Kopshti publik i Vorës, i shembur prej prillit 2021, duhet t’i nënshtrohej procesit të rindërtimit. Edhe pse objektet arsimore janë konsideruar si një prioritet i kësaj bashkie dhe fondi është akoluar nga qeveria shqiptare, kjo ndërtesë është ende peng i fazës së shpronësimeve. Banorët në Vorë shprehen se kopshti ishte i ri dhe nuk kishte shumë kohë që ishte ndërtuar, ndërsa Faktoje verifikoi se aktualisht 130 fëmijët e këtij kopshti janë zhvendosur në një godinë private 2-katëshe.
……………………………………………………………………….
“Rindërtimi i objekteve arsimore vijon me prioritet”, shkroi në një postim në Facebook kryebashkiaku i Vorës, Gentian Picari më 14 qershor të këtij viti, teksa njoftoi përfundimin e punimeve të kopshtit në fshatin Marqinet 1.
Postimi i kryebashkiakut të Vorës, Gentian Picari, 14 qershor 2021
Në muajin prill 2021, kopshti publik i Vorës ku shkojnë 130 fëmijë të kësaj u shemb, për t’i hapur rrugën projektit të ri rregullues për qendrën e Vorës.
Si po shkon procesi për ndërtimin e kopshtit të Vorës?
Më 14 prill 2021 nëpërmjet VKM 236, Qeveria Shqiptare ka alokuar nga Fondi i Rindërtimit për Bashkinë Vorë vlerën 88.433.787 lekë pa TVSH, për rindërtimin e godinës së kopshtit publik Vorë.
Screenshot nga VKM që i alokon fondet bashkisë së Vorës.
Këtë vlerë për ndërtimin e kopshtit e pranon dhe bashkia në përgjigjen e saj për Faktoje. Ky institucion na bën me dije se ende nuk ka nisur puna për ndërtimin e këtij objekti arsimor, teksa theksohet se kopshti është ende në fazën e shpronësimit, edhe pse fondet për rindërtimin e tij janë alokuar që në prill.
Screenshot përgjigjet e Bashkisë Vorë
Faktoje ishte në Vorë në tetor 2021, për të parë se çfarë zgjidhje ishte ofruar nga Bashkia për fëmijët, pas shembjes së kopshtit publik. Ne mësuam se aktualisht, fëmijët e ndiqnin kopshtin në një banesë private të marrë me qira, në qendër të Vorës. Ndërtesa 2-katëshe ishte përshtatur si kopsht, ku ofroheshin të gjitha shërbimet për të miturit.
Godina ku janë zhvendosur fëmijët, 15 tetor 2021
Drejtoresha e këtij institucioni, Albana Muzhaqi tha se aty janë 130 fëmijë, të zhvendosur në këtë godinë që në fund të muajit mars.
“Në këtë kopsht janë 130 fëmijë. Kemi ardhur këtu që vjet në fund të marsit, fillim të prillit. Do të qëndrojmë derisa të bëhet kopshti i ri. Do bëhen bashkë, shkollë e mesme, 9-vjeçare dhe kopsht. Shërbimi ofrohet për fëmijët dhe kushtet janë të mira”, sqaroi drejtoresha e kopshtit publik në Vorë, zonja Albana Muzhaqi.
Banorët e Vorës, pranojnë se kopshti publik nuk kishte asnjë dëmtim nga tërmeti, duke shtuar se ishte shembur për t’i hapur rrugë projektit rregullues për qendrën e Vorës.
“Kopshti që u shemb ka qenë i ri, nuk kishte shumë që ishte ndërtuar. Kopshti u shemb para disa muajsh. Kishte shumë fëmijë në atë kopsht. Tani kanë marrë një objekt tjetër me qira ku qëndrojnë fëmijët, një shtëpi private 2-katëshe”, tha një banor rreth 45 vjeç.
Një banore rreth 50 vjeçe shtoi: “Kopshtin e ka shembur shteti, do bëhet rregullimi i territorit na kanë thënë. E kanë prish dhe kanë marrë me qira një ambient më lart”.
Në faqen e bashkisë nuk ka asgje të publikuar në lidhje me planin rregullues të Vorës.
Screenshot faqja e Bashkisë Vorë
Nisur nga përgjigja zyrtare e bashkisë dhe nga verifikimi në terren premtimin për dhënie përparësi të objekteve arsimore dhe ndërtimin e kopshtit publik në bashkisë së Vorë, do ta kategorizojmë si Të Pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.