Godina e Bashkisë Vorë u përfshi në procesin e rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, madje qeveria shqiptare alokoi dhe fond me vlerë 618.868.546 për rindërtimin e kësaj ndërtese. Sot, 2 vite pas tërmetit, punonjësit e Bashkisë së Vorës janë zhvendosur në një ambient me qira, që gjithashtu ka shenja nga tërmeti i nëntorit, ndërkohë që procesi i rindërtimit ka ngecur për shkak të “ngërçit” me shpronësimin e banesave.

………………………………………………………..

Godina e bashkisë Vorë, u përfshi në procesin e rindërtimit, pasi u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Plani i rindërtimit përfshin edhe godinën e re të Bashkisë dhe të disa institucioneve të tjera publike, si dhe të objekte arsimore”, u bë e ditur gjatë një video-konference ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Vorës.

Ky plan u prezantua në 14 prill të vitit 2020, në video-konferencën që zhvilloi kryeministri Edi Rama me ministren e Kulturës, Elva Margariti, ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetarin e Bashkisë Vorë në lidhje me ecurinë e planit të rindërtimit të kësaj Bashkie.

Një vit më pas në prill të vitin 2021, qeveria shqiptare nëpërmjet VKM 236 i alokon bashkisë Vorë, si njësi zbatuese fondin prej 618,868,546 pa TVSH, ku vetëm për vitin 2021 i transferon fondin në masën 123.773.709 lekë pa TVSH në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Screenshot nga VKM-ja

Si po ecën procesi i rindërtimit të bashkisë Vorë?

Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë Vorë, për të mësuar se në çfarë fazë është projekti për ndërtimin e godinës së re të këtij institucioni.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë

Në informacionin e vënë në dispozicion, Bashkia njofton zyrtarisht se godina është në fazën e shpronësimit. Pra, për momentin ajo nuk është funksionale dhe pritet të lidhet fillimisht kontrata. Mirëpo, në përgjigjen zyrtare, Bashkia Vorë nuk jep një datë kur pritet të nisë puna për ndërtimin e godinës së re.

“Rindërtimi i godinës së Bashkisë Vorë është në fazën e lidhjes së kontratës dhe janë likujduar 10% me vlerën 61.535.951 lekë ku vlera e këtij projekti është 618.868.546 lekë”, njofton zyrtarisht Bashkia.

Screenshot përgjigja e Bashkisë Vorë

Për të parë nga afër si po shkonte procesi i rindërtimit, Faktoje verifikoi në terren në tetor 2021, që godina e vjetër e bashkisë ende nuk ishte shembur.

Në foto ish-godina e Bashkisë Vorë, tetor 2021

Faktoje mësoi nga burime zyrtare të Bashkisë Vorë se punonjësit janë zhvendosur në një ambient me qira, pasi godina e vjetër është dëmtuar prej tërmetit të vitit 2019. Të njëjtja burime, sqarojnë se sqarojnë se ka një plan për rijetëzimin e Vorës dhe shpronësimin e banesave përreth godinës së bashkisë dhe se kjo ka krijuar ngërçin për frenimin e punimeve për rindërtimin e saj.

Godina aktuale e Bashkisë Vorë, tetor 2021

Ne pamë nga afër edhe godinën e re, e cila ishte përshtatur dhe shërbente për punonjësit e kësaj Bashkie. Edhe kjo ndërtesë në muret e saj ruan shenjat e tërmetit të 2019.

Godina e Bashkisë Vorë dëmtuar nga tërmeti

Sipas të dhënave të Open Procurement, Bashkia Vorë ka shpallur tenderin për rindërtimin e Bashkisë Vorë në muajin maj dhe kohëzgjatja e kontratës është 16 muaj.

………

Screenshot nga Open Procurement

Më 25 maj të këtij viti SCAN raportonte se ishte shpallur tenderi për rindërtimin e godinës së Bashkisë me një fond limit prej 618 milionë e 868 mijë lekë dhe afati për dorëzimin e ofertave ishte 31 maj 2021.

“Ndërtesa e re do të jetë e përbërë nga 1 kat nëntokë dhe 6 kate mbi tokë, ajo është e vendosur përgjatë rrugëve të projektuara në zonën e rindërtimit, duke qenë lehtësisht e aksesueshme për komunitetin. Objekti i ri është menduar të zhvillohet në 6 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë”, sqaronte SCAN, duke dhënë detaje nga ky projekt.

Nga verfikimi në terren dhe nga përgjigja zyrtare e bashkisë Vorë, godina e bashkisë Vorë, ende nuk ka nisur rindërtimin.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.