Qeveria shqiptare përjashtoi Rusinë nga lehtësimi i udhëtimit pa viza për motive turistike, ndryshe nga ç’veproi një vit më parë. Vendimi vjen pas masave që mori Bashkimi Evropian për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan mbi 31 mijë turistë rusë, ndërsa në periudhën janar – mars numri i tyre është rreth 3 mijë, dy herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas Unionit Turistik Shqiptar, rikthimi i regjimit të vizave për turistët rusë nuk do të ketë ndikim domethënës në ecurinë e sezonit turistik për shkak të peshës së ulët që zë ky treg në Shqipëri.
Esmeralda Topi
Sivjet Shqipëria nuk i lehtësoi procedurat e hyrjes së shtetasve rusë për qëllime turistike. Në prag të çeljes së sezonit turistik, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që i lejon hyrjen pa viza në Shqipëri qytetarëve nga pesë shtete të ndryshme, ku përjashtohet Rusia.
Sipas VKM, shtetasve që do t’u lejohet hyrja pa viza nga data 20 prill deri më 31 dhjetor të këtij viti janë ata nga Arabia Saudite, Bahreini, Katari, Omani dhe Tailanda.
Përveç Rusisë, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka vendosur të rikthejë regjimin e vizave edhe për shtetasit nga Egjipti dhe India.
Në vitin 2022, shtetet e lartpërmendura përfshiheshin në listën e 8 vendeve që mund të hynin në Shqipëri pa viza. Megithatë periudha lehtësuese pa viza për Rusinë dhe Egjiptin, ishte më e kufizuar krahasuar me gjashtë vendet e tjera, e përqëndruar në periudhën maj – shtator 2022.
Rusia pa viza me Shqipërinë në vitin kur nisi agresionin ndaj Ukrainës
“Vendimet tona janë të linjëzuara me Bashkimin Europian. Nuk ka një vendim të linjëzuar të BE-së dhe për sa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar të Bashkimit Europian ne thjesht kemi vazhduar në të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Në rast se do të ketë një vendim të linjëzuar ne do të linjëzohemi menjëherë me Bashkimin Europian.”, deklaroi një vit më parë Kryeministri Edi Rama, duke argumentuar vendimin që i hapte rrugën hyrjes pa viza të shtetasve rusë në Shqipëri me qëllime turistike, vetëm dy muaj pasi Rusia kishte sulmuar Ukrainën.
Në këtë mënyrë, Rama e la të hapur mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga lista e vendeve, shtetasit e të cilave hyjnë pa vizë për qëllime turistike në Shqipëri, duke e hedhur topin në fushën e Bashkimit Europian, që doli pak muaj më vonë me një vendim për Rusinë.
Në fund të verës së shkuar, Bashkimi Evropian vendosi pezullimin e marrëveshjes së vitit 2007 me Rusinë, e cila ofronte lehtësira për udhëtimet e qytetarëve rusë në territorin e vendeve anëtare dhe në hapësirat e Shengenit. Topi këtë herë, ra në fushën tonë…
Në 2023 Shqipëria në linjë me BE-në
BE-ja ka pezulluar plotësisht lehtësimin e vizave me Rusinë dhe ka miratuar grupe të qarta udhëzuesish për të mbështetur shtetet anëtare që t’u heqin përparësinë vizave për rusët dhe të fokusohen në sigurinë dhe kontrollet e kufirit.
Përafrimi i politikës së vizave me BE-në është vendimtar për mirëfunksionimin e regjimit pa viza të këtyre partnerëve me BE-në, tha në një përgjigje me shkrim për Faktoje, një Zëdhënës i Bashkimit Evropian, teksa shton se kjo është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me Rusinë: pas pushtimit të pajustifikuar të Ukrainës prej saj.
Komisioni merr parasysh vendimin e fundit të Shqipërisë për të kufizuar listën e shtetasve të vendeve të treta që kanë akses pa viza në territorin e saj, gjatë sezonit turistik, por thekson se Shqipëria duhet të përafrojë më tej listën e këtyre vendeve me atë të BE-së.
“Është e rëndësishme që Shqipëria të përafrohet më tej me listën e vendeve që u kërkohet vizë për të hyrë në BE. Kjo është theksuar në raportet vjetore në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave, në raportet e Zgjerimit dhe është përsëritur në takime të shumta ndërmjet Komisionit dhe autoriteteve shqiptare.”, pohon për Faktoje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Vendimi, ‘zemëron’ Rusinë me Tiranën zyrtare
Vendimi i qeverisë shqiptare u pasqyrua dhe në faqen e ambasadës ruse në Tiranë në rrjetin social Facebook, e cila njofton qytetarët e Federatës ruse se shteti i tyre është përjashtuar nga lista e vendeve, që mund të udhëtojnë pa viza nga 1 maji deri më 30 shtator.
Në të njëjtën ditë, ambasada e Ukrainës në Tiranë përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare që anulonte regjimin pa viza turistike për qytetarët rusë.
“Më 20 prill, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi të përjashtojë Rusinë nga lista e vendeve, shtetasit e të cilëve gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza për qëllime turistike për periudhën nga 20 prilli deri më 31 dhjetor. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë shqiptarë për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të Ukrainës në luftën kundër pushtuesve rusë.”, shkruhej ndër të tjera në faqen e Facebook të ambasadës ukrainase në Tiranë.
Por mirënjohja e ambasadës së Ukrainës në Tiranë ndaj autoriteteve shqiptare, nuk u prit mirë nga ambasada ruse në Tiranë. Në një reagim të posaçëm për këtë rast, ambasada ruse e cilëson komentin e ambasadës së Ukrainës si keqdashës dhe të politizuar, duke kërkuar reagimin e autoriteteve shqiptare ndaj ‘#veprimeve #jodiplomatike dhe #provokuese’, theksohet në reagim.
“Siç na është shpjeguar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, vendimi i Këshillit të Ministrave për të korrigjuar listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk do të mund të hyjnë në Shqipëri në periudhën nga 1 Maj deri më 30 shtator pa viza për qëllime turistike, u kushtëzua nga arsyet dhe rrethanat e ndryshme nga ato që misioni diplomatik ukrainas po përpiqet t’i imponojë opinionit publik. Në këtë listë nuk u përfshinë edhe vende të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me krizën ukrainase.”, shkruhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës ruse në Tiranë, më 22 prill.
Mirëpo, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e hedh poshtë këtë pretendim të ngritur nga ambasada ruse në Tiranë. Në përgjigje të një kërkese për informacion, ministria e Jashtme tha për Faktoje se vendimi i qeverisë shqiptare është në linjë me Këshillin e BE-së, në funksion të situatës së agresionit ndaj Ukrainës.
“Vendimi për mosrinovimin e regjimit të vizave për sezonin turistik me Rusinë vjen në kuadër të linjëzimit që Republika e Shqipërisë i bën vendimeve të Këshillit të BE, në funksion të situatës së agresionit ndaj Ukrainës/destabilizimit të Ukrainës.”, argumenton në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, teksa kujton se vendimi për lehtësimin e procedurave për sezonin turistik është një praktikë e përvitshme, që ka si qëllim tërheqjen e turistëve të huaj.
Ndërkaq, vendimi i qeverisë shqiptare u pasqyrua edhe në faqen zyrtare të ambasadës shqiptare në Federatën Ruse.
‘Për të vizituar Republikën e Shqipërisë është e nevojshme të aplikohet për vizë në përputhje me qëllimin e udhëtimit.’, lajmëronte në faqe të parë ambasada shqiptare në Moskë, teksa e cilësonte njoftimin ‘tepër urgjent’.
Çfarë peshe zënë rusët në turizmin shqiptar?
Referuar të dhënave që Faktoje përpunoi nga Instituti i Statistikave, në pesë vitet e fundit Shqipërinë e kanë vizituar 131,710 shtetas nga Federata ruse. Në fund të 2022, në Shqipëri kanë hyrë 31,584 shtetas rusë, nga 7,5 milionë shtetas të huaj që kanë hyrë gjithsej.
Ndërsa këtë vit, të dhënat e tremujorit të parë tregojnë se në tokën shqiptare kanë hyrë nga toka dhe ajri 2,992 shtetas rusë ose dyfishi i së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Nisur nga këto të dhëna, për shkak të peshës së ulët të këtij tregu në Shqipëri, Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar thotë se vendimi nuk do të ndikojë ecurinë e sezonit turistik këtë vit.
“Turistët rusë që vijnë në Shqipëri janë mesatarisht rreth 30 mijë në vit, një shifër e papërfillshme krahasuar me totalin e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri. Nuk është se ka ndonjë kërkesë të madhe nga ky treg. Për ne ka pasur rëndësi tregu ukrainas. Shqipëria ndjek rekomandimet e BE-së për regjimin e vizave me Rusinë dhe mendoj se politika jonë duhet të shkojë sipas kahjes evropiane.” – thekson Kasa për Faktoje.
Lehtësimi i përkohshëm i procedurave të ardhjes së turistëve në Shqipëri nga vende specifike është një traditë disavjeçare.
Shqipëria, ‘as me Rusinë, as me Ukrainën’ – Faktoje.al
- *Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
- Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli