BallinaTë pambajturaRikonstruksioni i aksit Koman-Vau i Dejës, premtimi i shkelur me ‘argumentin’ e krizës energjetike

Rikonstruksioni i aksit Koman-Vau i Dejës, premtimi i shkelur me ‘argumentin’ e krizës energjetike

ERGYS KAVAJA

Në shkurt të këtij viti, KESH premtoi rikonstruksion e aksit 30.8 kilometra që lidh Vaun e Dejës me Komanin, një rrugë e degraduar dhe e rrezikshme, pasi nuk është ndërhyrë prej dekadash. Projekti me kosto rreth 2.5 miliardë lekë, u anulua në gusht të këtij viti, si pasojë e krizës energjetike, siç argumentoi ministrja e Energjetikës Belinda Balluku, ndërsa prezantonte projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Sipas konfirmimit të saj, investimi nuk do të kryhet as gjatë 2022-it, sepse përparësi do t’u jepet akseve që u shërbejnë më shumë qytetarëve. Kjo deklaratë dhe shkelja e premtimit shkaktuan indinjatën e banorëve të zonës

“30.7 km të rrugës Vau i Dejës -Koman do të rikonstruktohen; ky është investimi i parë i kësaj natyre që do të realizohet nga KESH. Bashkëbisedimi që pata me specialistë, banorë e drejtues lokalë, ashtu si edhe informimi i publikut për vijueshmërinë e këtij projekti janë pjesë e përgjegjësisë së Korporatës për të qenë më pranë komunitetit. Të hënën, datë 8 shkurt 2021, do të bëhet shpallja e garës për kompaninë zbatuese të projektit.– shkruante Benet Beci.

Postimi i ish administratorit të KESH, Benet Beci, 6 shkurt 2021

Gara për tenderin e projektit të rrugës Koman-Vau i Dejës, me gjatësi rreth 31 kilometra, u hap në fillim të muajit shkurt 2021 dhe qëndroi ‘aktive’ deri në në prill të po këtij viti.

Të dhënat për tenderin me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Qafë Qelë (Vau I Dejës) Koman

9 muaj pas këtij premtimi, një verifikim në terren përr Faktoje tregoi se aksi Qafë Qele-Koman është ende në gjendje skandaloze.

Aksi Koman-Vau i Dejës, nëntor 2021

Punimet për aksin, jo vetëm nuk kanë filluar, por investimi është anuluar, informacion që u konfirmua nga ministrja e Infrastrukurës dhe Energjisë, Balluku, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Ekonomisë.

“Për shkak të emergjencave që ndodhën, ne u detyruam në muajin gusht, me ndryshimin e çmimit etj, etj, që të ndalonim të gjithë investimet dhe KESH-i u detyrua në ato momente të ndalonte edhe investimin në rrugën e Komanit. Sigurisht që është një detyrim që duhet kryer. Nuk është në buxhetin 2022 dhe as në buxhetin afatmesëm, pasi prioritet kanë rrugët dhe akset kombëtare që ofrojnë shërbim për më shumë qytetarë”-tha zonja Balluku në 16 nëntor.

Kjo deklaratë indinjoi banorët e zonës Koman-Vau i Dejës, të cilët dolën në protestë në 18 nëntor. Ata u shprehën të zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimit të dhënë nga ish drejtuesi i KESH, aktualisht deputet i qarkut Shkodër, Benet Beci, për ndërtimin e segmentit 30.8 kilometra të aksit Qafë Qele-Koman.

Ky premtim kishte rritur pritshmëritë e komunitetit, jo vetëm për një rrugë të sigurtë, por edhe për zhvillimin turistik të zonës.

Banorë të Komanit në protestë, nëntor 2021

Banorët e Komanit, të indinjur për anulimin  e projektit, nëntor 2021

 

“Rruga u shërben përveç familjeve në këto zona, edhe qindra turistëve dhe punonjësve të HEC Koman, një vepër energjitike që shtetit i arketon miliona euro në vit. Rrugë vdekje, s’ka vënë kush dorë që në parti të punës kur është vënë hidrocentrali.”-tha një nga protestuesit

“Sot e kemi bërë protestë paqësore, nesër e mbrapa vazhdojmë me bllokimin e rrugës. Anulimi i këtij projekti është i papranueshëm nga ana jonë. Pas 22 viteve u u ktheva me investu në këtë vend, tani jam jam bërë me ik natën. E vetmja arsye është rruga”- u shpreh një tjetër banor i zonës.

Në një postim në rrjetet sociale, pas konfirmimit se rruga e premtuar e Komanit nuk ishte në planin e vitit 2022, deputeti Benet Beci shkruante:

“E kam thënë shpesh që ky është një ndër projektet kryesore zhvillimore në bashkinë e Vaut të Dejës dhe me impakt në gjithe rajonin e Shkodrës sepse besoj fort se u shërben banorëve, turizmit, por edhe energjitikës. Për më tepër, pas dekadash shfrytëzimi të kaskadës së lumit Drin për prodhimin e energjisë për të gjithë vendin, u detyrohemi banorëve të zonës investime për një lidhje normale rrugore me pjesën tjetër të vendit. Për këtë arsye, tashmë jo si administrator i KESH-it, por në cilësinë e deputetit të Qarkut Shkodër, do të bëj çmos për rifutjen e këtij investimi në prioritet e qeverisë.”

Postimi i deputetit të Shkodrës, Benet Beci 16 nëntor 2021

Nga verifikimi i listës së investimeve të paraqitura nga MIE, në projktbuxhetin e vitit të ardhshëm, rikonstruksioni i aksit me vlerë rreth 2.5 miliardë lekë, nuk figuron në planet për vitin 2022.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për rikonstruksionin e rrugës së Komanit, do ta kategorizojmë, Të Pambajtur.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img