Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, premtoi investim të menjëhershëm në tregun kryesor të qytetit, në lagjen Rus. 

 “Kjo zonë tregtare ka nevojë për kualifikim dhe investim të menjëhershëmDuhen plotësuar kërkesat e tregtarëve, por dhe të blerësve, në mënyrë që të kenë kushte higjieno-sanitare dhe të denja për ta kryer veprimtarinë tregtare në këtë zonë.”, premtoi Beci.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Benet Beci u votbesua nga 34,531 shkodranë. Kjo ishte hera e parë që socialistët fituan Shkodrën, që njihet si bastion i demokratëve prej vitit 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi politik. 

Fakt 

Punimet për rehabilitimin e tregut në lagjen Rus nisën në fund të korrikut, një vit pasi Beci mori zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut te Shkodrës.

“Sot është ditë shumë e mirë për ne me thënë të drejtën, që ia arritëm ditës me fillu tregun e Rusit se më beter s’ka si me qënë. Ka qënë turp.”, u shpreh Beci në çelje të punimeve.

Sipas tij, markata e re pritet të jetë gati këtë fundvit. 

“Shpresoj shumë që në katër muaj ne të kemi tregun me kushte cilësore shumë të mira, të pastrimit, të pastërtisë, të ndriçimit, të tregtimit.”, premtoi Beci. 

Mirëpo, në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia e Shkodrës jep tjetër afat. 

“Në tregun e lagjes rus, kanë filluar punimet të cilat sipas grafikut të punimeve janë parashikuar të zgjasin 1 vit.” – Bashkia Shkodër. 

Edhe në tabelën e punimeve në hyrje të tregut të Rusit, investimi planifikohet të përfundojë në 12 muaj- verën e vitit të ardhshëm.  

Punimet në tregun e lagjes Rus, Shkodër (17 shtator 2024)

‘Nga qendra në periferi’

Kohëzgjatja e punimeve prek aktivitetin e 52 tregtarëve që zhvillonin tregti në markatën e lagjes Rus. Prej muajit korrik ata janë zhvendosur nga qendra në periferi, në afërsi të Sheshit Ura e Maxharrit (kryqëzimi për Dobraç).

Tregu në Dobraç, Shkodër (17 shtator 2024)

 “Ata na kanë thënë për katër muaj, se sa zgjat s’di gjë. Ata ndoshta e bëjnë edhe më shpejt, ndoshta e bëjnë edhe më ngadalë.”, i tha Faktoje tregtari Fadil Cekaj, teksa ankohej se vendi ku po tregtojnë aktualisht nuk ka kushtet e duhura. 

“Atje është qendra e qytetit, normale që është më mirë. Si thu ti, a vjen e merr ti 1 kg domate, 1 kg speca gjysëm ore larg, apo çerek ore larg? Më mirë e merr 20 lekë më shtrenjtë aty në vend.”, argumenton ai. 

Life Smakaj, një tjetër tregtare e zhvendosur nga tregu i Rusit në Dobraç, ndan mirëkuptim.

“Ne nuk mërzitena, ta bëjnë kur të dojnë se ajo shtëpia e re ka punë. Ne fort keq nuk jena…”, pohon tregtarja. 

Tregu i ri në lagjen Rus është pjesë e projekteve të financuara nga Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor. Kosto totale e investimit parashikohet prej 36 milionë lekësh, nga të cilat 7,4 milionë janë nga buxheti i Bashkisë Shkodër. 

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për investim të menjëhershëm në tregun Rus, e vlerësojmë të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.