Pretendimi: Letonia përgatit qytetarët për luftë dhe ka urdhëruar kthimin e bodrumeve në vendstrehime

Verdikti: Mungon konteksti


Barbara Halla

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka përhapur panik në vendet e fqinje, sidomos ato që ndajnë një kufi me Rusinë. Në të njëjtën kohë, kjo gjendje paniku ka përkeqësuar problemin e dizinformimit në hapësirat mediatike. Në këtë realitet të ri, në mediat shqiptare ka qarkulluar lajmi se qeveria e Letonisë i ka kërkuar qytetarëve t’i kthejnë bodrumet e shtëpive në vendstrehime. Këto artikuj paraprihen nga pyetje retorike (“Gati për luftë?) të cilat përkeqësojnë atmosferën e panikut  tek lexuesit dhe ndryshojnë kontekstin.

Së pari, ky aksion nuk synon të gjithë shtetin e Letonisë, por vetëm kryeqytetin e vendit, Rigën. Për më tepër, nuk bëhet fjalë për një detyrim, por një kërkesë që ju është bërë qytetarëve të kryeqytetit për Ditën Kombëtarë të Pastrimit. E quajtur “Talka” në gjuhën vendase, në fund të prillit qytetarët e Letonisë organizohen në grupe për të bashkëpunuar në punë vullnetarë, si pastrimi i zonave të përbashkëta ose zonave të ndotura.  

Një nga aktivitetet e organizuara këtë vit nga Bashkia e Rigës ishtë pastrimi i disa bodrumeve, të cilat do të transformohen në strehimore. Zëvendëskryebashkiakja e Rigës, Linda Ozola, shkruajti në rrjetin social Twitter/X:

“Pastrimi i Madh i kësaj pranvere në Riga u zhvillua nën shenjën e mbrojtjes civile. Ne pastruam disa bodrume nëntokësore, të cilat gradualisht do të kthehen në vendstrehime. Dhe ne ftojmë gjithnjë e më shumë pronarë privatë të aplikojnë! Qoftë qyteti ynë më i rregullt dhe më i sigurt!”

Një artikull i publikuar në mediat vendase jep më shumë detaje për projektin. Tre ndërtesa nën pronësinë e bashkisë së Rigës do të pastrohen dhe transformohen në streha. Sipas artikullit, në kuadër të pastrimit, banorët e Rigës janë ftuar nga bashkia të pastrojnë dhe organizojnë bodrumet dhe katet nëntokësore të shtëpive të tyre, për të vlerësuar më pas mundësitë e krijimit të vendstrehimeve.

Megjithatë, Gints Reinsons, kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile të Këshillit të Qytetit të Rigës, ka pohuar se ky vendim është marrë si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Kjo është përgjegjësi e gjithë shoqërisë sonë. Kultura e sigurisë aktualisht është në një nivel të tillë që publiku është në pritje të veprimeve nga shteti, por nëse keni pronë, atëherë duhet të kujdeseni vetë për të,” tha Reinsons për portalin vendas “Sargs”, ku shpjegoi përse qeveria ka ftuar qytetarët e Rigës të kontrollojnë bodrumet e tyre dhe të aplikojnë për t’i kthyer ato në strehimore.

Frika e një sulmi rus është pjesë e pandashme e jetës në vende si Letonia, që ndajnë një kufi me Rusinë. Megjithatë, këto përpjekje që të rrisin nivelin e përgatitjes qytetare në raste konflikti nuk dëshmojnë se ka informacione që Rusia do të nisë luftë ne Letoni, duke patur parasysh që vendi balltik është pjesë e NATO-s.