Pretendimi: Policia arrestoi gruan ukrainase të atentatorit të kryeministrit sllovak

Rate: Mungon konteksti

Në rrjetet sociale në vendin tonë po qarkullojnë postimi se është arrestuar nga policia gruaja e agresorit që qëlloi ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico më 15 maj.

Gruaja e vrasësit të kryeministrit sllovak është refugjate ukrainase dhe është arrestuar”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale. Nëpërmjet këtij lajmi synohet të ngrihet dyshimi për urdhërimin e sulmit nga shërbimet sekrete ukrainase.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje bëri një verifikim të këtyre pretendimeve, duke iu referuar informacioneve që vijnë nga mediat e huaja. Fillimisht, nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove konfirmuan se video është publikuar fillimisht më 15 maj.  Mirëpo, në raportimet e mediave sllovake nuk thuhet që ajo është arrestuar, por raportohet se: “Forcat e sigurisë kanë nxjerrë nga banesa gruan e agresorit që qëlloi kryeministrin Robert Fico”.

Edhe “Daily Mail” raporton: ”Gruaja e Cintulës është vënë nën mbrojtje nga policia, nga frika se mbështetësit e kryeministrit Fico do të kërkojnë hakmarrje. Video tregon një oficer policie, duke e larguar gruan nga banesa e saj, teksa mbulon fytyrën me një revistë”.

Pretedimet se gruaja e të dyshuarit supozohet të jetë refugjate nga Ukraina nuk është e vërtetë, pasi ky informacion është hedhur poshtë nga policia.

Ministri i brendshëm i Sllovakisë, Matush Šutaj Eštok, u shpreh për mediat pas sulmit se Cintula ishte një kritik i politikave të Fico-s dhe se ai ishte i orientuar drejt Rusisë.

Gazetari investigativ hungarez Szabolcs Pányi postoi në rrjetin X prova të lidhjes së shkrimtarit me grupin pro-rus Slovenskí Branci (Rekrutët Sllovakë), një organizatë paraushtarake e paregjistruar që ekzistonte midis 2012 dhe 2022, udhëheqësi i së cilës ishte trajnuar nga ish-forcat speciale ruse. Panyi gjithashtu vuri në dukje se si grupi kishte lidhje me bandën ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës, e njohur për lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin.

Raportimet e fundit thonë se Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico është jashtë rrezikut për jetën, por gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë mjaft shqetësuese. Kryeministri Fico u qëllua me armë të mërkurën, një sulm që ngriti alarmin mbi polarizimin politik në Sllovaki.

Artikulli është verifikuar edhe nga kolegë të mediave të huaja fakt verifikuese.