Portalet kanë ricikluar një premtim të kryeministrit Edi Rama për rritjen e pensioneve. Verifikimet tregojnë se zotimi i kryeministrit për të rritur ndjeshëm edhe pensionet pas reformës në paga është bërë në fillim të muajit prill.
Lajmet për rritjen e pagave dhe pensioneve krijojnë gjithmonë interes tek lexuesit dhe përkthehen në klikime. I tillë është dhe artikulli i publikuar në 26 qershor nga Rilindje.info. “Edi Rama “zotohet”: Nuk largohem si kryeministër, pa rritur pensionet!”, titullohet lajmi.
Më tej në tekstin e artikullit thuhet se: “Edi Rama eshte zotuar para disa ditesh se nuk do të largohet kurrë nga posti i kryeministrit pa rritur pensionet në mënyrë të ndjeshme”.
Artikulli ka marrë brenda 24 orëve të para plot 7.800 shikime në Facebook si dhe është ndarë nga portale dhe profile të tjera të ngjashme.
Sipas kërkimeve të “Faktoje” deklarata e kryeministrit Rama është bërë dy muaj më parë, më 4 prill 2023 dhe jo pak ditë më parë sikurse pretendon portali rilindje.info.
Më 4 prill, pak ditë pasi qeveria kishte shpallur rritjen e pagave të sektorit publik, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, Rama u shpreh: ‘…rritja e pensioneve është objektivi i radhës, pas rritjes së pagave, nuk diskutohet. Ambicia ime është që të mos iki nga ky vend ku jam ulur pa i rritur dhe pensionet, jo këto rritjet e vogla, por pa i rritur në mënyrë të ndjeshme, por që të jemi shumë të qartë; kur flasim për pensionet kijeni parasysh që nuk është çështje dëshire, as për pagat, se ndjek komentet, ndjek analizat dhe duket sikur ne kemi një thes të fshehur nga ku ne mund të nxjerrim paga minimale 60 mijë lekë të reja dhe mund të nxjerrim pensione minimale 35 mijë lekë të reja.”
Nga ky verifikim, rezulton se lajmi është riciklim i deklaratës së muajit prill, risjellë me titull tërheqës në muajin qershor për të tërhequr klikime.
Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.