Video që tregon presidentin francez Macron që goditet me vezë nuk ka lidhje me protestat për rritjen e moshës së pensionit. Verifkimi i “Faktoje” zbuloi se video është e një incidenti të vitit 2017.
——————————————————-
Ndërsa protestat kundër rritjes së moshës së pensionit në Francë vijojnë, disa media shqiptare kanë shpërndarë një video të presidentit francez Macron duke u goditur me vezë në mes të një turme. Lajmi është publikuar në 20 dhe 21 prill si një ngjarje e ditëve të fundit, duke e lidhur gjithashtu edhe me sulmin që protestuesit kryen ndaj godinës së Bursës Franceze.


Megjithatë, një kërkim në motorin e kërkimit të imazheve TinEye tregon se video në fjalë është postuar fillimisht në internet 5 vite më parë.

Rezultati i kërkimit në TinEye
Duket se ky klip tregon Macron, në atë kohë ish-ministër i ekonomisë dhe kandidat për president të Francës, në Mars 2017. Gjatë vizitës së tij në Ekspozitën ndërkombëtare të Agrikulturës në Paris, Macron u godit me vezë në fytyrë.

Kjo nuk ishte hera e parë që Macron sulmohej me vezë. Në Qershor 2016, kur ishte ende ministër ekonomie, ai u godit gjatë një vizite në Montreuil. Së fundmi, në Shtator 2021, Macron u godit sërish me vezë gjatë një panairi gastronomik në Lyon. (Në Prill 2022, ai u godit me domate në Paris.)
Ndërkohë, kjo nuk është as hera e parë që kjo video e 2017 përdoret jashtë kontekstit. Në 2020, pas vrasjes së Samuel Paty, një mësues që u vra nga një mysliman radikal, video u riciklua sërish me pretendimin se Macron u sulmua sepse kritikoi Islamin dhe u betua të “mos heqë dorë nga karikaturat” e Profetit Muhamed.