Vikena Kamenica nuk ka bërë ndonjë rrëfim “tronditës” në muajjin janar të këtij viti, siç pretendojnë portalet. “Faktoje” verifikoi se mediat online kanë ricikluar një intervistë të artistes dhënë që në muajin prill të 2022-t, me qëllim tërheqjen e klikimeve nëpërmjet titujve abuzivë.
Më datë 8 janar të këtij viti, është publikuar online një artikull në lidhje me mexosopranon, Vikena Kamenica. Në këtë lajm pretendohet se diçka e keqe i ka ndodhur artistes dhe se prej kohësh ajo nuk ka qenë aktive, duke krijuar natyrshëm interes tek lexuesit për të klikuar dhe ndjekur më tej artikullin.
“Prej kohesh nuk eshte bërë e gjal lë, Vikena Kamenica e perlo tur tregon të keqen qe i ka ndodhur”, shkruan portali “reklamavip.com”.
Screenshot, artikulli i publikuar nga portali
Që në titull artikulli ka gabime drejtshkrimore, duke vënë në dyshim seriozitetin e portalit dhe vërtetësinë e lajmit të publikuar. Nëse do shohim tekstin në brendësi, aty thuhet se mexosopranoja ka rrëfyer në një emision për ndërhyrjen që nëna e saj kishte bërë në zemër, por sot ajo gëzon shëndet të mirë.
Në fjalën e parë të lajmit theksohet se Vikena Kamenica ka qenë e ftuar një natë më parë në emision, ku ka bërë edhe rrëfimin prekës. Mirëpo, gjatë një kërkimi të bërë në Google me fjalë kyçe rezulton se ky rrëfim është bërë nga artistja që më 2 prill të vitit 2022 dhe jo në janar të 2023-t siç pretendohet nga portali “reklamavip.com”. 9 muaj më parë, ajo tregonte se si nëna e saj kishte pasur më parë probleme shëndetësore dhe iu desh të bëhej e fortë dhe të merrte e vetme vendime të rëndësishme. Asokohe, lajmi është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat online në vendin tonë.
Riciklimi i artikujve të tillë synon mbledhjen e klikimeve duke shfrytëzuar kuriozitetin e audiencës për lajme “bombastike”. Portale të tilla i përdorin titujt si “karrem” për të tërhequr vëmendjen dhe kuriozitetin e lexuesit dhe ta shtyjnë atë të klikojë mbi lajmin. Për fat të keq, këto riciklime dhe tituj mund të sjellin shqetësim për personazhet publike të përdorura në këtë skemë si dhe të afërmit dhe të njohurit e tyre.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin