.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëResorti dimëror dhe pista e skive në Korçë

Resorti dimëror dhe pista e skive në Korçë

Sotiraq Filo është një nga kryebashkiakët më jetëgjatë në krye të Bashkisë Korçë. Por drejtimi prej më shumë se një dekade nuk i ka mjaftuar për të përmbushur premtimin e tij të hershëm për ndërtimin e një resorti dimëror së bashku me një pistë skish. Edhe në zgjedhjet e fundit lokale të 2023, Filo ricikoi premtimin përmes një projekti virtual 3D. 

‘Një Resort Dimëror fantastik së bashku me Skipistën do i shtohen Korçës si një vlerë e jashtëzakonshme për turizmin dhe sportet dimërore. Ndërtimi i tyre në një nga zonat më të bukura malore të Korçës do të jetë një potencial për turizmin rajonal dimëror dhe do të ndikojë në zhvillimin e zonës dhe rritjen e të ardhurave nga ky sektor’premtonte Sotiraq Filo në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit. 

Fakt 

Një vit më parë, Bashkia e Korçës pranoi për Faktoje se nuk kishte arritur të gjente mënyrën e financimit të resortit dimëror bashkë me pistën e skive- problem që nuk ka marrë zgjidhje as këtë vit. 

Në një përgjigje zyrtare, Bashkia e Korçës thotë se për shkak të madhësisë së projektit realizimi kërkon përfshirjen e disa aktorëve. 

“Për shkak të madhësisë së projektit dhe vlerës së investimit, realizimi i tij do të kërkojë përfshirjen e aktorëve të ndryshëm si qeveria shqiptare, bashkia ose bashkitë e rajonit, federata shqiptare e skive si dhe investitorë privatë potencialë.”, pohon Bashkia. 

Sa i përket vendit, Bashkia thotë se ka piketuar malin e Gramozit si një nga zonat më të mundshme ku mund të ndërtohet resorti bashkë me pistën e skive. 

“Aktualisht jemi duke monitoruar situatën e kushteve klimatike në një zonë në malin e Gramozit, nëpërmjet një stacioni meteo të instaluar atje.”, pohon Bashkia e Korçës.

Zbatimi i projektit është i lidhur ngushtësisht me situatën e klimës ndaj gjetja e zones se ku do të zhvillohet projekti është parakusht për realizimin e tij, si dhe përcakton afatet e zbatimit- thekson më tej institucioni. 

Ekspertët e turizimit e shohin me shumë interes projektin. Zak Topuzi nga Shoqata e Hoteleri-Turizmit thotë se ngritja e një resorti dimëror në zonën e Korçës, bashkë me një pistë skish, do t’i jepte impulsin e munguar turizmit dimëror.

“Një nga mangësitë më të mëdha që ka Shqipëria janë sportet e dimrit. Deri tani çështja e pistave është pjesa kryesore. Pasi po nuk investove në pista, nuk mund të investosh dhe në resorte. Dhe Korça kompletohet pastaj për një turizëm 365 ditë.”, thotë Topuzi. 

Përfundim

Ndërtimi i një resorti dimëror në Korçë, bashkë me një pistë skish është një tjetër premtim i ricikluar ndër vite nga Sotiraq Filo. I njëjti premtim ka qënë në lupën e Faktoje edhe përgjatë zgjedhjeve të tjera. Në 2015 Filo premtonte ndërtimin e pistës së skive dhe kompleksit turistik dimëror në Dardhë dhe Voskopojë. Tetë vite më vonë, Filo risolli projektin me fotografi 3D, por ende nuk ka gjetur financim për të. 

Ndaj, nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, për Resortin Dimëror dhe Skipistën, do ta kategorizojmë të pambajtur. 

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img