.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëRehabilitimi i fasadave në Dibër, zbut dimrin për banorët

Rehabilitimi i fasadave në Dibër, zbut dimrin për banorët

Rehabilitimi i fasadave të pallateve në qytetin e Peshkopisë, i artikuluar nga kandidati fitues si kryebashkiak Rahim Spahiu në 14 maj, rezulton një premtim i mbajtur. Verifikimi i Faktoje në një nga bashkitë me dimrin më të ftohtë, tregoi se banorët po kursejnë energji dhe para për ngrohjen me dru zjarri.  Veshja e fasadës së pallateve i ka bërë apartamentet më të mbrojtura nga acari. Investimi prej 151 milionë lekësh ka përfunduar në disa lagje dhe aktualisht vijon puna në rrugën “Gjok Doçi” të qytetit.

Përfundimi i fasadave të pallateve në qytetin e Peshkopisë ishte një prej premtimeve të kandidatit për kryetar të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

“Po bëhen fasadat e qytetit, u rrit vlerën pronave”, deklaroi kryebashkiaku i Dibrës, Rahim Spahiu në një intervistë për mediat më 19 prill të këtij viti.

Gjatë vitit që lamë pas, një nga përparësitë e Bashkisë Dibër ishte rehabilitimi i fasadave të qytetit të Peshkopisë.

Në lidhje me këtë zotim të zotit Spahiu, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Ndër të tjera ne e pyetëm këtë institucion se në çfarë faze ishte projekti për rehabilitimin e “Fasadave te Qytetit”.

Në përgjigjen zyrtare që mban datën 18 shtator 2023, Bashkia e Dibrës sqaron zyrtarisht për Faktoje se ka përfunduar puna për rikualifikimin e fasadave dhe vlera e investimit është 151,861,200 lekë me TVSH.

“Rikualifikimi i fasadave përgjatë rrugës kryesore ish NBSH deri tek ish-SMT, Qyteti Peshkopi, Bashkia Diber, vlera është 126,551,000 lekë pa TVSH dhe 151,861,200 lekë me TVSH“, bën të ditur Bashkia e Dibrës.

Faktoje udhëtoi drejt Dibrës më 4 dhjetor, për të parë nga afër procesin e punës për rehabilitimin e fasadave. Temperaturat në këtë periudhë shënojnë disa gradë nën 0 në orët e mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit. Nga verifikimi në terren vumë re se kishte përfunduar puna në rrugën “Nazmi Rushiti”, në atë që njihet si rruga e Gjykatës dhe në lagjen Dobrovë.

Banorë të këtyre zonave i thanë Faktoje se veshja e pallateve u ka kursyer energji elektrike dhe para’ për blerjen e druve të zjarrit, pasi apartamentet janë më të ngrohta.

Dibër, pallate pas rehabilitimit me riveshjen e fasadave

“Me këtë ndryshim që është bërë po kursejmë energji së pari dhe e dyta ngrohja, nuk shpenzojmë më dru sa shpenzonim më parë. Këtu në Dibër çdo vit nuk kishte familje që të mos merrte 5 ose 6 metër kub dru për dimrin. Ndërsa tani shpenzojmë më pak se gjysma, sepse ky izolimi është shumë i mirë”, tha një banor për Faktoje.

Banorë të lagjes Dobrovë shpresojnë që ky investim të bëhet edhe për banesat përdhese.  

“I kanë ndryshuar pamjen qytetit me këtë, por edhe njerëzit kanë shpëtuar. Me këtë termoizolim nuk ndihet më i ftohti si më parë, por as zhurmat. Do ishte mirë ta bënin edhe te shtëpitë private, sepse unë kam fëmijët në shtëpi private që jetojnë këtu, por nuk kanë thënë gjë për investim për ta”- shprehet një banore e lagjes Dobrovë.

Ndërkohë, në rrugën “Gjok Doçi” të Peshkopisë ende nuk kishte përfunduar puna për rehabilitimin e fasadave të pallateve. Në këtë lagje shiheshin skelat e ngritura pranë pallateve, teksa vijonte puna për rregullimin e tyre.

Dibër, pallat në proces për riveshjen e fasadës

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për rehabilitimin e Fasadave të Qytetit do ta kategorizojmë të mbajtur.

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img