.

.

BallinaNë lupën e FakteveReformat zgjedhore në vendnumëro, 15 ndërhyrje në ligj dhe ende nevojiten ndryshime

Reformat zgjedhore në vendnumëro, 15 ndërhyrje në ligj dhe ende nevojiten ndryshime

Ndryshimi i herëpas’hershëm i Kushtetutës dhe ndërhyrjet në ligjin zgjedhor, prej tri dekadash, nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, një kusht për procesin e integrimit në BE. Edhe raporti final i OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit 2021, jepte sugjerimet e radhës për nevojën e përmirësimit të Kodit Zgjedhor. Problematikat që ende janë pezull dhe hasin shpesh me mosdakordësinë e aktorve politikë, nisin që nga sistemi zgjedhor, depolitizimi i administratës zgjedhore deri te monitorimi i shpenzimeve të partive në fushatat zgjedhore.

Klementina Cenkollari

Një fjalë e urtë popullore thotë se fillimi i mbarë është gjysma e punës. Aktorët politikë, u ulën në tryezë për të nisur punën për reformën zgjedhore, 4 muaj pasi miratuan ngritjen e komisionit, ndërsa mandati i tij përfundon më 10 gusht.

Në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri, politika e ka ndryshuar Kodin Zgjedhor, thuajse në çdo palë zgjedhje.  Nevoja për të zbatuar rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe përmirësimi i procesit zgjedhor si një kusht për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, kanë qenë gjithëherë arsyet e përmirësimit apo ‘arnimit’ të ligjit zgjedhor.

“Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni plotësues (aktet nënligjore) kanë ndryshuar 15 herë në tri dekada duke qenë ligji më i ndryshuar në korpusin e legjislacionit institucional në Shqipëri. Interesat elektorale kanë qenë aq të mëdha saqë është ndryshuar katër herë Kushtetuta e vitit 1998 (më 2007 për KQZ, 2008 për sistemin dhe KQZ, 2015 për dekriminalizimin dhe 2020 për sistemin zgjedhor), një numër rekord në krahasim me të gjitha vendet e rajonit dhe ato ish komuniste, anëtarë ose kandidate për në BE. Ndryshimet nuk kanë sjellë impakt pozitiv në standardin e zgjedhjeve dhe demokracinë përfaqësuese, një tregues se ato më shumë janë përdorur për nevoja politike të ditës dhe interesa afatshkurtra elektorale sesa për të përmbushur standardin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta”, thotë studiuesi Afrim Krasniqi për Faktoje.

Në raportin final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit 2021 theksohet se kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias.

I pyetur për Faktoje, edhe ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri e vë theksin tek rekomandimet e paraqitura nga misioni OSBE-ODIHR pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

 

Pjesë nga përgjigjet e ambasadorit të prezencës së OSBE, Vincenzo del Monaco për Faktoje

“Përtej rekomandimeve, edhe votimi nga jashtë vendit është temë e rëndësishme, që me të drejtë, ka qenë në qendër të vëmendjes rishtazi dhe mund të kërkojë vëmendjen e aktorëve politikë”, thotë për Faktoje, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco.

*Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Vincenzo Del Monaco. Foto nga OSBE

“Një element i rëndësishëm është aspekti kohor, në mënyrë që të shmanget trysnia ndaj organeve përgjegjëse, siç është KQZ, për të miratuar akte nënligjore brenda afateve kohore të shkurtra. Sidoqoftë, miratimi i ndryshimeve në kohë nuk duhet të dëmtojë procesin e reformës”, kujton në intervistën për “Faktoje”, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një përgjigje zyrtare përmes postës elektronike për Faktoje, rendit si prioritete të reformës nxjerrjen e rezultatit, shqyrtimin e ankimimeve, financimin e partive dhe funksionin e reformës zgjedhore.

Pergjigjja për Faktoje e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi

Raporti i Komisionit Europian i vitit 2021 për Shqipërinë evidenton se në legjislaturën e re, shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik, të punojnë së bashku për agjendën e reformës, për hapjen e negociatave me BE-në.

 

Pjesë nga raporti i KE për Shqipërinë

Nga rekomandimet e ODIHR te vendimi i Kushtetueses

Në zgjedhjet e 25 prillit, me sistemin proporcional- rajonal- me lista të hapura, shqiptarët votuan kandidatët përmes listave të hapura zgjedhore, ndërsa partitë politike nuk u bashkuan në koalicione parazgjedhore, kjo pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në 30 korrik, që për opozitën përbëjnë një shkelje të hapur të marrëveshjes së 5 qershorit.

Për herë të parë, këto ndryshime detyruan edhe zbatimin e mekanizmit të herësit, që përbën numrin e votave  që duhet të tejkalojnë kandidatët e vendosur në fund të listës, për të marrë një mandat duke spostuar kolegët në pozicione të favorshme, por që nuk kanë mbështetje me vota parapëlqyese, mekanizëm që u rrëzua pjesërisht me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja, rrëzoi gjithashtu edhe pragun 1% për kandidatët e pavarur. Rishikimi i pragut ishte gjithashtu pjesë e rekomandimve të OSBE-ODIHR.

Rekomandimi i OSBE-ODIHR për pragun 1%

Vendimet e Kushtetueses detyrojnë ligjvënësit të ndërhyjnë sërish në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor. Përfaqësues të opozitës dhe ekspertë të pavarur kanë këmbëngulur në nevojën për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Është një nga çështjet që do të diskutohet nga opozita, e cila e vuajti vetë këtë sistem në kurriz. Për asnjë demokrat nuk ka qenë e dëshiruar gjendja ku ndodhet PD”, thotë Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logu.

Sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, është propozim i kryetarit të PR, Fatmir Mediu, anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

“Besoj që një proporcional kombëtar do të garantonte një garë brenda subjekteve politike për të parë se kush është më i votuari për të qenë në parlament. Kjo lejon dhe mundësinë e kandidimit të partive më vete dhe shmangim këtë historinë që ju mban PD apo PS”, thotë zoti Mediu për Faktoje.

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili thotë se sistemi aktual ka vjedhur votën e qytetarëve.

“Nëse vota ime dhe vota juaj nuk prodhojnë përfaqësim politik në mënyrë të pabarabartë, por vota ime të jetë 5 herë me më pak vlerë se vota juaj, reforma do jetë make -up për fytyrën politike, nuk kemi asnjë hap para, por rrënim të institucionit të votës”, thotë ai për Faktoje.

Edhe eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume thotë se ky sistem bëri që vota e 105 mijë qytetarëve që votuan për LSI të mos përdorej si vota e qytetarëve të tjerë. Sipas tij këto 105 mijë vota do të konvertoheshin në 9 mandate, pra janë 5 mandate të humbura, ndaj opsionet që mund të diskutohen, janë sistemi proporcional rajonal me dy apo 4 rajone ose sistem mazhoritar me komponent proporcional.

Pavarësisht kërkesave të opozitës, PS ka vënë në krye të axhendës, të tjera çështje. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Eridian Salianji thotë për Faktoje se komisioni duhet t’i japë zgjidhje votës së emigrantëve dhe përllogaritjes së mandatit të prodhuar nga vota e tyre dhe së dyti të adresojë depolitizimin e administratës zgjedhore.

“Procesi është automatik që i kthen partitë në vëzhguese. Kjo do ishte risia që komisioni për zgjedhjet lokale mundet ta marrë një vendim të tillë”, shprehet ai.

“Kodi Zgjedhor aktual e ka zgjidhur këtë dhe KQZ është në diskutim lidhur me llogaritjen e votës së emigrantëve në vendin ku ata kanë vendbanimin e tyre të regjistruar në Shqipëri apo do të llogaritet në qarkun e Tiranës, pasi përllogaritja e votës së zgjedhësve nga jashtë ka ndikim në qarkun ku do të llogaritet vota e tyre. Kjo është një çështje për të cilën KQZ po diskuton dhe do të dalë me vendimmarje. Një administratë më pak e ndikuar nga propozimet e partive politike, më larg ndikimive politike, dhe në lidhje të drejtëpërdrejtë me KQZ-në, është çelësi për miradministrimin e procesit ”, thekson kryekomisioneri Celibashi.

Depolitizim që në zgjedhjet e 2023 sugjeron edhe Premto Gogo, drejtues i Koalicionit për Reforma Integrim dhe Institucione të Konsoliduara.

“Kemi kërkuar që të fillojë depolitizimi i komisioneve të niveleve të dyta, që në këto zgjedhje. Si një shenjë e vullnetit që palët i qëndrojnë marrëveshjes së 5 qershorit dhe e dyta si formë pilotimi, me rang njerëzish prej 300 komisionerësh që s’vijnë nga politika, por shoqëria civile dhe administrate”, thotë Gogo për Faktoje.

Fshehja e burimit të parave, propozohet ndryshimi i ligjit për partitë politike

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partitë politike fshehën shpenzimet e fushtatës zgjedhore, duke mos deklaruar takime elektorale apo burimin e të ardhurave.

“Kostot tona elektorale shkojnë më shumë se 20 milionë euro, nga të cilat në regjistrat e KQZ nuk deklarohen as një e treta e tyre”, thotë studiuesi Afrim Krasniqi.

Për të monitoruar këtë proces, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka një sugjerim:

“Ngritja e një sistemi elektronik, ku çdo deklarim i partive politike të pasqyrohet në kohe reale do të ndikonte në rritjen e transparencës dhe kontrollit të financave të partive politike. Ndërtimi i një sistemi online për procedurën e monitorimit të fushatës zgjedhore do të lehtësonte aksesin në informacion, për procesin e monitorimit nga KQZ-ja.”

Përgjigjja e Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi

“Zgjidhja është transparenca dhe llogaridhënia: database publike të donatorëve që financojnë, të lëvizjeve të llogarive financiare të partive, të kontributeve financiare të anëtarëve, të aktiviteteve dhe kostove të tyre”, sugjeron Afrim Krasniqi.

 

Foto nga tryeza e 22 shkurtit 2022 për financimin e partive

Rishikimi i ligjit të partive politike dhe opsioni për financim 100% nga shteti, pritet të jetë në axhendën e komisionit të posaçëm të reformës, që deri më tani, ka mbajtur vetëm një mbledhje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img