Edi Rama i hapi rrugën shkarkimit të Erion Veliajt, shtatë muaj pas arrestimit të tij dhe prezantoi Ogerta Manastirliun si kandidate të Partisë Socialiste për kryeqytetin.

Esmeralda Topi

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste nisi gjashtë minuta më herët se ç’ishte lajmëruar. Në një sallë të mbushur plot socialistë të ngarkuar me emocione dhe ankth, pritej shpallja e qeverisë së re. Por Edi Rama, e nisi fjalimin e gjatë me emergjencën e Tiranës. Kryeqyteti, tha ai, “nuk mban më”, shtatë muaj pas arrestimit të kryebashkiakut.

Një ditë pasi SPAK dërgoi për gjykim Erion Veliajn për “korrupsion dhe pastrim parash”, kreu i qeverisë vendosi të çelë rrugën për zgjedhje të reja në Bashkinë e Tiranës. Rama, pa ia përmendur emrin ish-kryebashkiakut, u tha të vetëve se qyteti nuk mund të mbetet më gjatë “si një trup pa kokë”.

“Tema jonë këtu është që askush nuk di ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori drejtësie me pikëpyetje, pikëçuditëse, pikëpresje. Ndërkohë, asnjë zëvendësues i pa votuar nga populli i kryetarit të bashkisë, edhe sikur të bjerë nga qielli, nuk mund ta ketë legjitimitetin demokratik dhe forcën e brendshme që nevojitet për ta udhëhequr për dy vjet të plota,” tha Rama.

Këshillit Bashkiak të Tiranës i la një javë kohë të aktivizojë procedurën e shkarkimit. Lëvizje që e shoqëroi me nota pakënaqësie ndaj kuadrit ligjor, duke e quajtur “të mangët” për rastet kur kryebashkiaku ndalohet që të shkojë në punë, jo nga dëshira e tij.

Por ekspertët e pushtetit vendor mendojnë ndryshe.

“Neni 62, pika c, e përcakton qartë: Këshilli Bashkiak mund të propozojë shkarkimin kur kryetari mungon për 3 muaj me radhë,” thotë Agron Haxhimali i Insitutit të Bashkive.

Sipas tij procedura është e qartë. “Këshilli propozon, qeveria vendos dhe zgjedhjet e pjesshme janë të pashmangshme. Rama është vonuar,” përfundon Haxhimali.

“Forca e qetë e Tironës”

E nëse emrin Veliajt nuk ja përmendi asnjëherë, kandidaten për pasardhëse të tij Rama e thirri katër herë me emër. Ogerta Manastirliu, tashmë ish ministre e Shëndetësisë, nuk e fshehu dot tronditjen për kandidaturën si kryebashkiake e Tiranës.

“Ogerta është forca e qetë e tironses, denbabaden, e punonjëses dhe më tej drejtueses së dikurshme të punëve sociale në Bashkinë e Tiranës, e qytetares dhe menaxheres shembullore që nevojitet në këtë situatë,” tha ai, ndërsa Manastirliut lëvdatat e kryeministrit nuk arritën t’ja vinin buzën në gaz.

Që ishte e pa lajmëruar, tashmë e di kushdo që njeh historikun e Asambleve Kombëtare Socialiste për krijimin e qeverisë së re. Që ishte lajm bombë për të, edhe Rama ja pranoi Manastirliut e cila nuk e shkundi dot tronditjen deri në fund.

“E dashur Ogerta, e di që nuk do ma falësh lehtë këtë bombë të pa lajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën, dhe Tirana për Partinë Socialiste si lokomotiva për servisin e saj të vetëm.”

Zgjedhjet e pjesshme në Tiranë nuk do të jenë vetëm një garë për kryebashkiakun e radhës, por edhe një test i vërtetë për forcën dhe kohezionin e Partisë Socialiste në kryeqytet, pas arrestimit të figurës me jetëgjatë në krye të Bashkisë Tiranë, pas Edi Ramës.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur 13 akuza mbi Erion Veliajn: nga korrupsioni dhe pastrimi i parave, tek fshehja e pasurisë dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në qeli. Në të njëjtën dosje, për gjykim janë dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka dhe 15 persona të tjerë.