Pretendimi: Dibranët e pritën Ramën duke gatuar fli në brendësi të tunelit të Murrizit
Verdikti: E pavërtetë
Përurimi i tunelit të Murrizit në rrugën e Arbërit ishte një ngjarje e shumëpritur, e cila u transmetua në 14 mars në disa prej televizioneve kryesore. Megjithatë një prej momenteve që u kthye viral në rrjetet sociale ishte pritja e kryeministrit Rama nga një grup grash të veshura me kostume popullore të Dibrës në brendësi të tunelit. Sipas disa prej portaleve (link, link, link, link) një prej prej zonjave dibrane po gatuante fli, një gatim tradicional i veriut, në brendësi të tunelit. Nuk mungojnë edhe komentet në video që evokojnë traditën e Dibrës dhe Veriut të vendit.

Postimet e shpërndara në mediat online
Në videon e publikuar në rrjetet sociale shihet teksa kryeministri Edi Rama ecën brenda tunelit të Murrizit shoqëruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe një sërë zyrtarësh të tjerë publikë. Gjithashtu, pjesë e ceremonisë inauguruese ishin edhe qytetarë të shumtë, të cilët shoqëronin kryeministrin Rama gjatë inaugurimit të tunelit.
Gjithashtu, në videon e shpërndarë shihen edhe një grup valltaresh, duke i rënë dajreve. Në disa momente, një prej valltareve shihet teksa ngroh dajren dhe më pas nis t’i bjerë sërish. Dajrja është një vegël muzikore e lëkurë të regjur kafshësh, e cila duhet të ngrohet, për të kumbuar më mirë.
Ky mesa duket është edhe momenti që keqintepretohet online si një gatim I flisë në brendësi të tunelit. Flia është një ushqim tradicional shqiptar. Flija gatuhet më shumë në zonat e veriut të Shqipërisë dhe piqet në saç.
Pas 6 vitesh punime, më 14 mars u hap Tuneli i Murrizit. Me dhjetëra qytetarë u mblodhën për të festuar hapjen e Tunelit të Murrizit, duke e cilësuar atë si ditë historike për dibranët.