BallinaFaktometerE PavërtetëRama: Golem, gati për të hapur dyert për 45 familjet e prekura nga tërmeti

Rama: Golem, gati për të hapur dyert për 45 familjet e prekura nga tërmeti

Ina Allkanjari

Procesi i rindërtimit për dy pallate në Golem ende nuk ka përfunduar, pavarësisht deklaratës së kryeministrit Rama se janë gati për mirëpritur 45 familje të pastreha nga tërmeti i nëntorit 2019. Nga verifikimi në terren dhe komunikimi me zbatuesit e projektit, Faktoje mësoi se dy pallatet janë ende në fazë punimesh dhe deri më sot asnjë familje nuk ka hyrë në banesat e reja. Aty po realizohen lidhjet me energjine elektrike, ujit, vendosja e dyerve të brendshme ndërkohë që ende nuk kanë përfunduar sistemimet e jashtme.

———————————–

“Golem-Gati për të hapur dyert për 45 familje të prekura nga tërmeti, falë punës që vazhdon papushim, deri kur të kthehet në shtëpi të re familja e fundit” – shkruante kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook në datë 11 shkurt.

Screenshot, postimi i kryeministrit Edi Rama datë 11.02.2022

Nisur nga deklarata e kryeministrit Rama, Faktoje i dërgoi më datë 15.02.2022 një kërkesë për informacion Bashkisë Kavajë. Ndër të tjera pyetëm se sa pallate dhe banesa individuale janë të përfshira në procesin e rindërtimit në Golem dhe sa familje janë akomoduar deri më sot në këto objekte. Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga bashkia Kavajë.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar bashkisë Kavajë datë 15.02.2022

Më datë 17 shkurt Faktoje shkoi në Golem për të parë nga afër ecurinë e rindërtimit të pallateve që sipas kryeministrit Rama ishin gati për të pritur 45 familjet e pastreha. Ndryshe nga deklarimi i Ramës, mësuam se këto dy objekte nuk janë gati për të akomoduar familjet e prekura nga tërmeti.

Zbatuesit e projektit të dy pallateve tregojnë për Faktoje se afati i përcaktuar për përfundimin e objekteve është fundi i muajit shkurt, por duke parë ecurinë e punimeve mund të ketë shtyrje.

“Pallatet nga brenda kanë përfunduar, jemi duke bërë disa punime me dyert e drurit të apartamenteve, gjithashtu po merremi me sistemime, me lidhjen e linjave të energjisë elektrike dhe të ujit, besojmë se ne mund t’i përfundojmë këto dy palllate dhe t’i dorëzojmë në bashki rreth datës 3-4 mars. Gjithashtu është përfunduar pjesa e gjelbërimit, pjesa e jashtme. Pallatet janë me 5 kate banimi dhe një kat nëntokë” -thanë për Faktoje zbatuesit, të cilët sqaruan se punimet për këto objekte kanë rreth 1 vit që kanë nisur.

Ndërkohë një prej punëtorëve në terren tregon se pallatet pritet të përfundojnë në mes të muajit mars.

“Besoj nga gjysma e muajit tjetër do të jenë gati, jemi duke vendosur depozitat, do të bëjmë lidhjen e ujit pasi së brendshmi janë vendosur instalimet. Gjthashtu duhen bërë disa sistemime të fundit, si pastrimi etj. Ndërsa për përfundimin e pjesës së jashtme varet si do jenë dhe temperaturat, nëse do të ketë shira”- shprehet një prej punëtorëve.

Një banor i zonës tregon për Faktoje:

“Pallatet nuk janë ende gati, duket qartë. Duhen vendos pllakat, dritat, duhet rregulluar ambienti i jashtëm. Në gjithë Golemin vetëm këto dy pallate po rindërtohen nga tërmeti, këtu kanë qenë dy pallate të vjetra që u dëmtuan dhe banorët e atyre pallateve do futen te këto të rejat.”

Faktoje prej kohësh ndjek ecurinë e procesit të rindërtimit pas dëmve të shkaktuara nga tërmeti I 26 nëntorit 2019, në kuadër të afateve të premtuara nga zyrtarë publikë për nisjen dhe përfundimin e ndërtimit të banesave individuale dhe pallateve, për qytetarët e prekur nga tërmeti.

Më herët Faktoje ka evidentuar problematika lidhur me afatet e rindërtimit në bashkinë Kavajë ku më 23 dhjetor 2020 nga verifikimi në terren konstatuam vonesa për nisjen e procesit për dy pallatet në Golem.

Nga verifikimi i kryer në terren dhe informacionet e grumbulluara, vendosëm që deklaratën e kryeministrit Edi Rama se dy pallatet në Golem janë gati për të hapur dyert për 45 familjet e prekura nga tërmeti, ta kategorizojmë “Të pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img