Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me qytetarët, të martën e 14 prillit paralajmëroi publikimin e një propozimi konkret për dhënien e një shpërblimi punëtorëve informalë që denoncojnë punëdhënësin. “Nëse nuk e mbështesnin këtë nismë, pronarët do përballeshin me ligjin,” – u shtoi Rama. Por, në përfundim të këtij afati, qeveria ende nuk e ka publikuar planin.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, të martën më 14 prill, kryeministri Rama duke iu përgjigjur një qytetari, ofroi “zgjidhje” për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë dhe nuk përfitojnë nga “paga e luftës” për shkak se nuk figurojnë të regjistruar.
Ata që punojnë në të zezë duhet të kenë kurajon që të denoncojnë. Ne po bëjmë gati edhe një shpërblim financiar për ata që do të thonë se unë kam punuar në të zezë në filan kompani dhe sot nuk kam asnjë të ardhur sepse jo se nuk kam punuar por s’mw ka regjistruar pronari. Brenda 24 orëve ne do të kemi këtë ofertë të re për të gjithë ata që kanë punuar në të zezë. Do t’u japim një shpërblim financiar dhe do të marrin përsipër që ne ta ndjekim deri në fund punën e tyre. Do të kërkojmë nga pronarët e tyre të jenë në mbështetje të kësaj nisme përndryshe do të duhet të përballen me ligjin, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri ofroi kështu një “zgjidhje” edhe për ata që kanë punuar në të zezë dhe nuk përfitojnë nga “paga e luftës” .
Sipas të dhënave nga Banka Botërore dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, punësimi informal aktual është 36 përqind.
Të dhënat e informalitetit në Shqipëri sipas Bankës Botërore
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, INSTAT aktualisht 11,5 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç është e papunë.
Shkalla e papunësisë, INSTAT
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa argumenton se Shqipëria gjendet shumë e papërgatitur për tu përballur me pandeminë “Covid-19”, nga ku 1/3 e gjithë të punësuarve, janë informalë.
Është i njohur fakti se fatkeqesitë e çfardo natyre qofshin, godasin në mënyrë disproporcionale kombet më të varfra dhe shtresat më të varfra të shoqerisë. Që në nisje, pothuajse gjysma e popullsise së vendit (46%) jetojnë me më pak se 5$ në dite për person; gati gjysma e të punësuarve në ekonomi raportojnë paga nën 30,000 lekë në muaj që është pragu perjashtues për tatimin mbi të ardhurat; me shume se gjysma e të ardhurave shkojnë për blerjen e produkteve bazë të jetesës; gati 1/3 e të punësuarve janë në informalitet, me shume se gjysma e pensionistëve në vend përfitojnë pensione minimale, deri në 100$, i tha eskperi i ekonomisë Xhepa, “Faktojes”.
Pas verifikimit në “Faktoje” vendosëm që deklaratën e kryeministrit Rama referuar afatit për publikimin e planit për dhënien e një shpërblimi punonjësve “në të zezë”, ta kategorizojmë si “Premtim i pambajtur”.