.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëRama akuzon Prokurorinë, ajo e “rrëzon” me shifra zyrtare

Rama akuzon Prokurorinë, ajo e “rrëzon” me shifra zyrtare

Anxhela Ruçi

Kryeministri ka akuzuar Prokurorinë se nuk ka punuar për shkeljet që ka evidentuar AKU në cilësinë e ushqimeve. Përballë këtij konstatimi të kryeministrit, Prokuroria e Përgjithshme tregon shifrat zyrtare që tregojnë jo vetëm se ka hetuar çështje me këtë objekt, por gjykata ka shpallur fajtorë e ka dhënë dënime me gjobë e burg për të pandehurit.

————————————————————————————————————————————————————-

Siguria ushqimore është një nga çështjet më të ndjeshme që trajtohet nga institucionet përgjegjëse, me intensitet më të shtuar gjatë sezonit veror. Për të shmangur shkeljet madhore që bizneset apo tregtuesit bëjnë me cilësinë e ushqimeve, qeveria mori një nismë për ndryshimin e Kodit Penal për ata që kapen me shkelje. Krahas gjobave, ligji do të ashpërsojë masën e burgimit të parashikuar në ligjin aktual për shkelësit.

Gjatë një takimi me operatorë të biznesit ushqimor, ku prezantoi propozimet për ndryshime në ligj, Rama komentoi (mos) veprimet që Prokuroria ka bërë ndër vite, sipas tij për shkeljet e evidentuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

“Vetëm në periudhën tetor 2017-dhjetor 2018, në 95 referime jo që nuk është ndëshkuar askush se do të ishte treçereku i së keqes, po asnjë referim nuk është kthyer në proces penal dhe s’ka shkuar në gjykatë,”- tha ndër të tjera Rama.

“Faktoje” u interesua pranë Prokurorisë së Përgjithshme për konstatimin e kryeministrit Edi Rama, nëse abuzimet e gjetura nga AKU janë hetuar apo dërguar për gjykim.

Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet se për vitin 2018 dhe tre muajt e parë të 2019-s, për 72 raste është urdhëruar regjistrimi i procedimit penal. Për vitin 2018 rezulton se ka pasur procedime penale, shifra të cilat e rrëzojnë pretendimin e kreut të qeverisë se asnjë rast nuk ka shkuar në gjykatë.

Po gjatë të njëjtit takim, kryeministri Rama tha se pavarësisht shkeljeve që ka konstatuar AKU, Prokuroria nuk ka bërë asgjë.

“AKU ka konstatuar produkte jashtë afatit, të skaduara në sasira të konsiderueshme…, me tonelata dhe për fat të keq nuk ka ndodhur asgjë. Për Prokurorinë kjo nuk përbën një çështje,”- tha Rama.

Por çfarë thonë shifrat e siguruara pranë Prokurorisë së Përgjithshme?

Kur vijmë në përballjen e fjalës së kryeministrit me shifrat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme shikojmë se ka një mospërputhje. Ose kryeministri nuk është në dijeni të çështjeve që Prokuroria ka regjistruar si procedim penal, ose Rama nuk e merr në konsideratë numrin e tyre.

Nga 1 janari 2018 deri në 30 mars 2019 janë dërguar në gjykim 20 procedime penale, me 20 të pandehur. Prokuroria gjithashtu pranon se 44 çështje janë pushuar, më shumë se dyfishi i çështjeve që janë çuar në gjykatë. Nga ana tjetër hetimi për dosjet e dërguara në gjykatë ka rezultuar produktiv për prokurorinë, e cila thotë se gjatë së njëjtës periudhë, 10 persona janë dënuar me burg për shkelje të sigurisë ushqimore dhe 8 janë gjobitur.

Aktualisht janë në proces hetimi 43 procedime penale me 22 të pandehur.

Padyshim që ashpërsimi i ligjit për sigurinë është në interesin e konsumatorit, po të kemi parasysh dëmet që sjell për shëndetin cilësia e keqe e produkteve me të cilat ushqehemi përditë. Kryeministri Edi Rama duhet të jetë më i informuar për shifrat që publikon dhe akuzat që bën në drejtim të institucioneve shtetërore, që të paktën me statistika  rrëzojnë pretendimet e tij. Me keto argumente, “Faktoje” do ta klasifikojë GËNJESHTËR deklaratën e kryeministrit Edi Rama.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img