.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashRaketat ruse nuk goditën ndonjë shtet evropian

Raketat ruse nuk goditën ndonjë shtet evropian

Titulli për sulme me raketa ruse ndaj një shteti tjetër evropian, pra zgjerimin e konfliktit përtej Ukrainës, është i rremë. “Faktoje” zbuloi se lajmi i publikuar në rrjet, lidhet me denoncimin nga Moldavia të shkeljes së hapësirës ajrore nga raketat e lëshuara dhe jo një sulm të drejtpërdrejtë ndaj saj.

Lufta në Ukrainë mbetet një mundësi e mirë për prodhimin e titujve alarmistë që përhapin dizinformim për hir të mbledhjes së klikimeve. Pas sulmit më të fundit rus kundër Ukrainës, në 10 tetor, lajmet kryesore të konfliktit u përqëndruan në sulmet hakmarrëse me raketa që kreu Rusia ndaj objektivave civile në Kiev dhe disa qytete të tjera. Një prej lajmeve të publikuara në portalin lexoinfo.com shkonte edhe më larg duke ngritur alarmin se “një tjetër shtet europian GODlTET nga raketat e Rusisë”. 

Bazuar në informacionin e servirur në këtë titull, lexues të shumtë kanë klikuar, por duhet të jenë zhgënjyer kur kanë hapur artikullin. Në të vërtetë raketat ruse nuk kanë goditur asnjë shtet përveç Ukrainës.

Çfarë ka frymëzuar imagjinatën e titullshkruesit ka qenë një postim i zëvendëskryeministrit moldav Nicu Popescu, ku ai bën me dije se tre raketa të lëshuara nga anijet ruse në Detin e Zi kaluan në hapësirën ajrore të Moldavisë.

Shteti që këto raketa kanë goditur është Ukraina, si pjesë e një sulmi që vrau të paktën 11 persona dhe plagosi 64 të tjerë. Pra, pavarësisht se raketat kanë kaluar mbi hapësirën ajrore moldave, ato nuk kanë goditur asnjë pjesë të territorit të saj. Fjalët, si për shembull fjala “godet”, kanë kuptim specifik. Gjithashtu, Moldavia numëron ekzaktësisht 0 viktima nga cënimi i hapësirës së saj ajrore. 

Lexuesit skeptik, me të lexuar këtë titull, do t’i lindin dyshime. Si fillim shumica e vendeve europiane janë pjesë e NATO, aleanca më e madhe ushtrarake në botë, e bazuar mbi parimin e vetë-mbrojtjes kolektive. Sulmi ndaj një vendi të NATO do të sillte kundërpërgjigjen e të gjitha shteteve të aleancës më të mirë-armatosur në botë. Serbia dhe Bjellorusia, që nuk janë pjesë e aleancës, janë aleatë të Rusisë. është pak e besueshme se Rusia do të sulmonte me raketa Austrinë dhe Zvicrën, në zemër të Europës. Opsioni më i besueshëm është Moldavia, qeveria pro-perëndimore e së cilës, ka mbështetur Ukrainën gjatë luftës.

Shtetet me ngjyrë blu janë pjesë e NATO, shtetet me ngjyrë qielli janë në proces anëtarësimi

Por, nëse Putin do të fillonte mësymjen ndaj Moldavisë, sulmi me raketa nuk do të ishte zgjedhja e tij e parë. Më shumë gjasa do të kishte një mësymje tokësore, duke filluar nga rajoni i shkëputur i Transnistrias, në një taktikë të ngjashme me atë të ndjekur në rajonet secesioniste të Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë.

Lajme të tilla sensacionaliste lulëzojnë në periudha lufte dhe konflikti. Në këmbim të shikimeve dhe klikimeve që gjenerojnë të ardhura, ato vazhdojnë të kontribuojnë në krijimin dhe mirëmbajtjen e një atmosfere frike dhe ankthi konstant tek publiku.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img