.

.

BallinaFaktometerE vërtetëRadiografia moderne në Divjakë, jashtë funksionit prej 5 vitesh, s’ka fonde për ta riparuar

Radiografia moderne në Divjakë, jashtë funksionit prej 5 vitesh, s’ka fonde për ta riparuar

45 mijë banorë të Divjakës nuk po marrin shërbimin e radiografisë prej vitit 2017. Pajisja e ‘fjalës së fundit’ u përurua nga kryeministri Rama në 2016-n, por funksionoi vetëm gjashtë muaj, sipas denoncimit nga deputetja e zonës Ilda Dhori, verifikuar në terren nga Faktoje. Si zonë moçalore, në Divjakë ka një numër të madh banorësh që vuajnë nga artriti, por atyre u duhet të udhëtojnë për në Lushnjë për ta marrë këtë shërbim. Gjatë pandemisë së Covid-19, shërbimi i radiografisë ishte edhe më i domosdoshëm, por stafi mjekësor i tha Faktojes se kostoja për riparimin e radiografisë është shumë e lartë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë shmangu përgjigjen.

————————————————————————-

Në fjalën e mbajtur në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, deputetja e PD, qarku Fierit, Ilda Dhori ngriti shqetësimin në lidhje me mosfunksionimin e radiografisë në Poliklinikën e Divjakës.

“Prej afro 4 vitesh, edhe pse me një QSH të Re, banorëve të Divjakës u duhet të bëjnë rreth 50 km, për të realizuar në Lushnjë, një radiografi të thjeshtë, në të njëjtën kohë kur aparati, është në QSH Divjakë.

Kërkova vëmendjen e Ministrisë së Shëndetësisë, që banorët e Divjakës të mos sorrollaten më, në urbane e furgona, për një shërbim që mund t’ua ofrojmë me shumë pak angazhim!

Të shpresojmë që fjala e ministres për ta parë me seriozitet zgjidhjen e afërt të këtij problemi, të kthehet në vepra reale, për të mirën e pacientëve”, ngriti shqetësimin deputetja Ilda Dhori.

Postimi i deputetës demokrate në Facebook

Deputetja shtoi se bëhet fjalë përreth 50 mijë banorë që marrin shërbim në qendrën shëndetësore Divjakë.

Për të parë si është realisht situata, Faktoje udhëtoi drejt Poliklinikës së Divjakës më 15 qershor.

Gjatë komunikimit që patëm me stafin mjekësor dhe banorë të zonës që marrin shërbm aty, na u bë e ditur se radiografia nuk funksionon që prej vitit 2017. Sipas tyre, ajo kishte funksionuar vetëm 6 muaj, ndërsa u është komunikuar se kostoja për riparimin e radiografisë është e lartë.

Poliklinika e Divjakës, 15 qershor 2022

“Është një pajisje e niveleve europiane që ka hyrë në 2016 në këtë qendër, atëherë kur u bë inaugurimi i saj. Ka punuar një pjesë kohe, rreth 6 muaj dhe për arsye të një defekti në paketën elektronike që kanë ato, nuk ka funksionuar që nga 2017-ta e këtej. Rregullimi i pajisjes ka një kosto që është goxha e lartë. Kanë ardhur ekipe interesimi për këtë problem, sepse të gjithë kemi dëshirë që ta vëmë në punë. Së shpejti them se mund ta vëmë në funksion”, bëjnë të ditur anëtarët e stafit mjekësor.

Radiografia jashtë funksionit në Poliklinikës e Divjakës

Ata theksojnë se radiografia është shumë e rëndësishme për zonën, për mijëra qytetarët që marrin shërbim në këtë Poliklinikë. Sipas mjekëve, si zonë moçalore që është, nevoja e banorëve për pajisjen është e madhe, pasi numri i personave që vuajnë nga artriti është i lartë.

“Radiografia është një ekzamimin i rutinës, pra një thyerje, një enjtje. Çfarë janë emergjente ne i nisim nëpërmjet autoambulancave. Një karrambol në rrugë, një thyerje, një rrëshkitje, që na jep konceptin që duhet parë patjetër në radiografi, ne e nisim me autoambulancë në spitalin e Lushnjës. Disa raste të tjera që janë pak më të lehta dhe kjo zonë është goxha e prekur nga artriti, si zonë moçalore që është, këto raste i zgjidhim nëpërmjet spitalit, nëpërmjet referimit që bëjmë ne. Kjo qendër shëndetësore u shërben 13 mijë banorëve. Jemi 5 mjekë në këtë qendër shëndetësore”, sqaron stafi mjekësor i Poliklinikës së Divjakës.

Radiografia jashtë funksionit në Poliklinikës e Divjakës

Gjatë periudhës së pandemisë është ndjerë edhe më shumë nevoja për të pasur një radiografi në Divjakë. Mjekët shprehen se i kanë dërguar pacientët drejt spitalit të Lushnjës për të marrë këtë shërbim

“Është diçka shumë e nevojshme, një kollë, një temperaturë, një problem, me Covidin kemi qenë. Është jashtë mase e nevojshme. Njerëzit kanë shkuar në spitalin e Lushnjës dhe kanë pritur me orë të tëra, për 2 vjet kjo situatë”, sqarojnë ata më tej.

Domosdoshmëria për të pasur një radiografi në këtë qendër shëndetësore theksohet fort edhe nga banorët e zonës. Ata i thanë Faktoje se gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 janë torturuar duke pritur në radhë në spitalin e Lushnjës.

Poliklinika e Divjakës, 15 qershor 2022

“Kemi qenë në situatë shumë të vështirë. Në fillim, kur nisi Covidi mezi gjenim furgonë dhe makina për të lëvizur deri te spitali. Njerëzit e afërt, fqinjët kishin merak të na merrnin me makina të në çonin se Covidi ishte nëpër këmbë. Donim të bënim grafi, por radha atje ishte shumë e madhe. Njerëzve u ka rënë të fikët duke pritur në radhë në Lushnjë”, tregon një 50-vjeçare, banore e zonës.

Një i moshuar, i cili vuan nga artriti dhe herëpashere i duhet të shkojë në spitalin e Lushnjës për radiografi shprehet: “Problem është, rri vërdallë humbim kohë andej, kur e kemi qendrën këtu afër. Tani janë rritur edhe çmimet e biletave të furgonë, vapë është. Shumë vështirë e kemi të shkojmë deri atje. Ndonjëherë më dërgon djali, por edhe ai është në punë, nuk vjen dot gjithmonë të më shoqërojë”.

Pas evidentimit të problematikës në terren dhe shqetësimeve të mëdha të ngritura nga banorët dhe stafi mjekësor, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 16 qershor.

Disa prej pyetjeve që i drejtuam lidheshin me kostot e riparimit të pajisjes si dhe kur pritet që ajo të jetë gati për mijëra banorët që marrin shërbim në Poliklinikën e Divjakës.

Kërkesa për informacion dërguar Minsitrisë së Shëndetësisë, 16 qershor 2022

Ministria e Shëndetësisë e delegoi kërkesën te Qendra Shëndetësore Divjakë e cila ktheu përgjigje më 20 qershor. Në këtë përgjigje theksohet se në buxhetin e Qendrës Shëndetësore Divjakë nuk ka vlerë monetare të akredituar për mirëmbajtjen apo riparimin e aparaturës së radiografisë, e cila mbulon nevojat e 45 mijë banorëve të Divjakës.

“Duke mos qenë specialistë të fushës përkatëse, nuk kemi një shifër të saktë për  vlerën apo koston e defektit që ka pësuar aparatura në fjalë. As edhe një Qendër  Shëndetësore në Bashkinë Divjakë nuk është e pajisur me aparaturë radiografie, përveç poliklinikës”, sqaron ndër të tjera Qendra Shëndetësore Divjakë.

Përgjigje nga Qendra Shëndetësore Divjakë

Në prill të vitit 2016, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Ilir Beqaj dhe deputeti Erion Braçe inspektoi Poliklinikën e Divjakës.

“Kjo është ndoshta pjesa më e vështirë e gjithë kantierit të reformave dhe ndryshimit, shëndetësia…Ulja drastike e tarifave nëpër spitale dhe më shumë investime në infrastrukturë, siç është edhe ky investim këtu, që është investim i standardeve evropiane, që është shumë mbresëlënës dhe do t’i japi një shërbim tërësisht tjetër gjithë këtij territori. Ashtu sikundër krijon kushte shumë më të mira për gjithë personelin”, u shpreh kryeministri asokohe.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, kostoja e investimit për Poliklinikën e Divjakës ishte 75 milionë lekë.

“Qendra Shëndetësore e Divjakës, një infrastrukturë jashtë funksionit jo vetëm për 34 mijë banorët e Divjakës, por edhe për pushuesit gjatë sezonit turistik. Sot, në Divjakë gjen një poliklinikë moderne, një ndërtesë krejt e re, me infrastrukturë të standardeve europiane dhe pajisje bashkëkohore.

Me një investim prej 75 milionë lekë, ajo është kthyer në një qendër polivalente, ku përveç shërbimeve tradicionale të mjekut të familjes dhe shërbimit të kontrollit bazë shëndetësor është pajisur edhe me shërbimet e specializuara si të kardiologjisë, okulistikës, otorino-laringologjisë, pediatrisë, imazherisë etj”, thuhej në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë që mban datën 26 prill 2016.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img