Mbjellja e 2 milionë pemëve në Tiranë, apo Pylli Orbital është një premtim i kryebashkiakut Veliaj i cili u promovua edhe në prezantimin e planit urban istik t Tiranës 2030. Një verifikim i nisur më herët nga Faktoje, tregon se ky objektiv është jo realist e madje në kufijtë e gënjeshtrës, bazuar në vëzhgimet në terren, komunikimi me ekspertët dhe vetë bashkinë e Tiranës.

Viola Keta

“Fillojmë sot në Farkë operacionin më të madh të gjelbërimit të qytetit, ajo që më vonë do të quhet si ‘Pylli Orbital’. Kemi ambicien që në 15 vitet e ardhshme të mbjellim 2 milionë pemë!” – deklaroi Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përpara qytetarëve në 20 dhjetor 2016, një vit pas zgjedhjes në këtë detyrë. Premtimi shfaqet madje edhe si pjesë e planit urban Tirana 2030 promovuar edhe në faqen e arkitektit italian Stefano Boeri, bashkëpunëtor me Bashkinë Tiranë në hartimin e këtij plani. Hartuesi llogariste rreth 5 vite më parë se 2 milionë pemët do të zinin një sipërfaqe prej mbi 14.000 hektarë në dy unaza të gjelbra në Tiranën e viti 2030.

Arkitekti Stefano Boeri duke prezantuar planin urbanistik Tirana 2030

Kur klikuam në hiperlinkun Tirana 2030 që ndodhet po në këtë prezantim, shfaqet njoftimi se ky material mund të jetë fshirë, siç shfaqet në screenshot më poshtë.

Nga një verifikim i mëhershëm i Faktoje ka rezultuar se ndryshe nga çfarë planifikohej, në kryeqytet mbizotëron rritja e sipërfaqeve të betonizuara kundrejt atyre të gjelbëruara. Por nga komunikimi me ekspertë dhe me bashkinë e Tiranës, dalin edhe elementë të tjerë që dëshmojnë përse premtimi për mbjelljen e dy milionë pemëve në Tiranë deri në 2030 është i paarritshëm.

Ekspertët: Objektivi arrihet me mbjelljen e 120 000 pemëve në vit!

Prof.Aleko Miho thotë se mbjellja e 2 mlionë pemëve është e mundur vetëm nëse bëhet angazhimi vullnetar i rinisë shqiptare dhe se ky proces nuk bëhet gjatë gjithë vitit, por në periudhën dhjetor-mars.

Për sa i përket Kopshtit Botanik i cili aktualisht është ende pronë e Universitetit të Shkencave të Natyrës (por në projektin e Tirana 2030 parashikohet të jetë pjesë e Pyllit Orbital) Prof.Miho sqaron se ky kopsht nuk ka nevojë për mbjellje pemësh pasi funksioni i tij është tjetër.

Pjesë nga përgjigjja e Prof.Miho

 

Prof. Petrit Hoda, pedagog pranë Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës  gjithashtu drejtues i Kopshtit Botanik  thotë për Faktoje se  me një përllogaritje të përafërt  duhet të mbillen rreth 120.000-130.000 fidanë/vit që të arrihet objektivi për 2 milionë pemë deri në fundt të vitit 2030.

Mirëpo sipas një përgjigjeje zyrtare të Bashkisë Tiranë për Faktoje, sesi ka ecur procesi, llogaritëm se nga viti 2017 deri më sot janë mbjellë 115 857 dru dhe shkurre.

Përgjigjja e Bashkisë Tiranë për Faktoje.al

Me këto shifra del se në 8 vite e gjysmë që mbeten deri në vitin 2030, duhet të mbillen edhe mbi 1 milionë 884 mijë pemë, ose rreth 18 471 pemë çdo muaj. Se sa realist është ky skenar, nuk ka nevojë për koment.

Një tjetër problematikë, sipas ekspertëve vjen edhe në kuadrin e llojit të pemëve që do të mbillen. Sipas Prof. Hodës, problemi kryesor mbetet cilësia, pra çfarë speciesh drurore apo shkurrore do të mbillen.

Me ç’pashë nga listat e hartës nr. 4, speciet që do të mbillen janë shumica të ardhura, bimë zbukuruese dhe jo të natyrës sonë. Këto të fundit, pra bimët e egra i rezistojnë më mirë kushteve mjedisore, mund të merren në vend, si të tilla, mund të kushtojnë edhe më pak. Dakord, bimët zbukuruese edhe mund të përdoren, por ato kurrsesi nuk duhet të jenë mbizoteruese. Pra, në listë nuk pashë bimë vendase, që rriten lehtësisht në rrethinat e Tiranës-thotë Prof. Hoda.

Pas këtij komunikimi Faktoje shkoi në terren për të verifikuar dy nga zonat që përfshihen në përgjigjen e Bashkisë për Faktoje, si zonat ku janë bërë mbjelljet e pemëve të reja 5 vitet  fundit.

Në Parkun e Liqenit të Kasharit, zonë ku sipas bashkisë janë mbjellë 244 drurë në 2017-n  pamë se kishte disa pemë të mbjella vetëm në njërën anë të liqenit.

Foto e zonës përreth liqenit të Kasharit, qershor 2022

Bashkia – Nuk ka buxhet për “Pyllin Orbital”, presim donacione

Vetë bashkia Tiranë i konfirmoi Faktojes përmes përgjigjes zyrtare, se nuk ka një buxhet specifik për projektin e “Pyllit Orbital”.

Përgjigjja e Bashkisë Tiranë për Faktoje.al

Sipas përgjigjes zyrtare, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit merr buxhet nga bashkia për mbjellje pemësh dhe bimësh dekorative për çdo park në Tiranë, por jo specifikisht për projektin e Pyllit Orbital. Pjesa më e madhe  e të ardhurave vijnë përmes donacioneve të ndryshme, sipas bashkisë, një tjetër argument ky që e bën të gënjeshtërt premtimin e kryebashkiakut për mbjelljen e 2 milionë pemëve në kryeqytet.