Mes shumë teorive konspirative që po qarkullojnë në rrjet pas tërmetit në Turqi është dhe ajo e fajësimit të një anijeje amerikane tërmet-sjellëse. “Faktoje” verifikoi këtë informacion për të konfirmuar se bëhet fjalë për radar të lëvizshëm të përdorur nga ushtria amerikane prej shumë vitesh.
“Kjo është për të mos mbetur në injorancë. E ndërtuar në 2022, tip anije që mban flamurin amerikan, dhe që mund të lëviz ku të jetë e nevojshme…Përdoret për të gjeneruar tërmete.” – shkruan në rrjetin social Facebok një përdorues shqiptar, më 9 shkurt, pak ditë pas tërmetit tragjik të ndodhur në Turqi. Kjo pretendohet se është prova e parë e teorive që po qarkullojnë në rrjet këto ditë se fatkeqësia natyrore ishte e qëllimshme.
“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej këtë “provë” të anijes amerikane. Ashtu siç përshkruhet edhe në linkun që shoqëron postimin, platforma lundruese SBX1 është ndërtuar në vitin 2002 (21 vjet më parë) dhe lundron nën flamurin e SHBA. Platforma është një radar i vendosur në një anije lundruese me qëllim zhvendosjen e lehtë të tij në pjesë të ndryshme të globit sipas nevojave të ushtrisë. Për shkak të formës ovale të tokës, valët e radarëve kanë kufizime në sipërfaqen që mund të mbulojnë dhe ka gjithmonë pika të errëta. Si rrjedhojë, është e nevojshme që të ketë mbulim shtesë në këto pozicione gjeografije për të siguruar monitorimin dhe komunikimin ushtarak dhe civil. Nëpërmjet një radari të lundrueshëm, mund të arrihet të mbulohen me sinjal radari edhe pjesë të largëta të Oqeaneve.
Aktualisht, sipas hartës së ndarë në postim, platforma SXB1 deklarohet se ndodhet në Hawai, në Portin e “Pearl Harbor”, shumë larg Turqisë.
Kjo nuk është hera e parë që SHBA-të përfshihen në teori konsiprative si shkaktarë të fatkeqësive natyrore nëpër botë, përmes forcave të tyre të armatosura. Pas tërmetit në vitin 2010 në Haiti, u raportua gjerësisht se presidenti Hugo Chavez i Venezuelës bëri pretendime të pabaza se lëkundja ishte shkaktuar nga testimi i një arme tektonike të SHBA-së.
Deri më sot nuk ka asnjë provë apo bazë shkencore për ekzistencën e armëve apo pajisjeve që mund të shkaktojnë lëkundje të tilla të tokës. Tërmetet janë fatkeqësi natyrore, ndërkohë që zona ku ndodhi lëkundja e fortë sizmike njihet për aktivitetin shumë të lartë sizmik.