Protestat e ditëve të fundit në Tiranë vijojnë të shoqërohen me zhvillime në planin gjyqësor dhe reagime nga Policia e Shtetit. Këtë të premte, 22 protestuesit e arrestuar në ditën e parë të protestës dolën para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Ndërkohë, për 19 prej tyre seanca vijon të zhvillohet me grupe, për shkak të kufizimeve të ambienteve. Paralelisht, Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet për praninë e shtetasve serbë të maskuar mes efektivëve gjatë protestave.
Autoritetet kanë reaguar edhe për videot e përhapura në rrjetet sociale, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të përfshirë në incidentet e regjistruara.
Ndërkohë, nga një prej kioskave të djegura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama përforcoi të njëjtën deklaratë të një dite më parë se pas sulmeve në kryeqytet nuk qëndrojnë studentët.
Pasi kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga dhuna dhe grabitjet, degët e bankave të nivelit të dytë vijojnë të qëndrojnë të mbyllura. Në 11:00 pritet të marrin vendim nëse rifilojnë punën sot apo jo.
10:05 – “Fishekzjarrë kontrabandë për protestuesit”, arrestohet 24-vjeçari
Një 24-vjeçar u arrestua nga policia sot, pasi brenda banesës së tij në rrugën “Jargavani” u gjetën 344 kuti me fishekzjarre e kapsolla që dyshohet se ua shiste protestuesve.
Sipas policisë, vlera e kutive me fishekzjarre, sipas policisë arrin deri në 40 mijë euro.
“Nga kontrolli në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike, që dyshohet se ky shtetas ua furnizonte personave të maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit”- njofton policia.
Ndërkohë që theksohet se vijojnë veprimet për identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.
08:30 – Protestuesit e ditës së parë dalin para sot para gjykatës
22 protestuesit e arrestuar në ditën e parë të protestës (13 tetor), kanë dalë sot në orën 08:30 para gjykatës për masën e sigurisë.
Dy prej tyre janë lënë nën arrest shtëpie dhe një vajzë nën detyrim paraqitjeje, ndërsa tani vijon seanca për 19 të tjerët. Seanca, ku gjyqtare është Amarilda Sulaj, po zhvillohet në grupe për shkak të kufizimit të ambienteve.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë 8 vepra penale, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
08:20 – Rama nga kioska e djegur: Durim, do dalim edhe më të fortë!
Pavarësisht se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij si kusht të panegociueshëm, kryeministri Edi Rama vijon të theksojë se nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë.
Teksa vizitoi një prej kioskave të djegura, ai tha se pavarësisht problemeve që ka vendi, nuk do të përkulet përballë dhunës.
“Ndërkohë që studentët, sipërmarrësit prindërit e tyre kanë të drejtë të kërkojnë më shumë. Problemet janë aty, duhen adresuar., jemi këtu për të bërë më të mirën, me aq sa dimë. Mos harroni që e kemi sjellë Shqipërinë këtu, e kemi sjellë Tiranën këtu. Kush thotë të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon sepse kjo do të thotë ta humbësh qetësinë për një kohë të gjatë”- tha Rama.
Më tej, ai u bëri thirrje të gjithëve që të kenë durim duke u thënë se nga kjo do të dalin më të fortë.
“Motra dhe vëllezër durim se edhe kjo do kalojë dhe sapo të kalojë do të dalim më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara”, shtoi kryeministri.
08:00 Policia përgënjeshtron pretendimet për policë serbë në protesta
Pas pretendimeve të përhapura në rrjete sociale për praninë në protesta të shtetasve serbë të maskuar si civilë në radhët e uniformave blu, Policia e Shtetit, i ka cilësuar lajmet të pavërteta.
Në një njoftim zyrtar për mediat, policia thotë se personat që i shpërndajnë synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të nxitur konflikt.
Reagimi vjen pas publikimit në rrjetet sociale të disa mesazheve dhe videove, përmes të cilave pretendohet se persona nga Serbia janë angazhuar për të arrestuar dhe dhunuar protestuesit.
Aludime pati edhe për një tjetër video që qarkulloi në rrjet, kur policia ndalon një protestues ndërsa lëvizte me motor.
Në rrjet u pretendua se policia serbe po rrëmbente vajza, por policia sqaroi është shoqëruar vetëm protestuesi mashkull, pasi drejtonte tubimin e sulmonte policët dhe jo vajza që ndodhej me të.
Për videot e fotot e shpërndara në rrjet, ku shihen kavo me shufra hekuri brenda që përdoren në vend të shkopit të gomës, policia thotë se ua ka sekuestruar 4 protestuesve të maskuar.
Për ngjarjen në Qytetin Studenti, ku pati disa protestues të maskuar që thyen xhamat e konvikteve, po vijon puna për identifikimin e tyre.






