“Qyteti 15 minutësh” në Kanada nuk ka nisur ende zbatimin

375

Portat e verdha të reduktimit të shpejtësisë në Vankuver të Kanadasë nuk janë pjesë e propozimeve të qytetit për nismën “Qytet 15-minutësh”. Verifikimet tregojnë se ngjitëset që lexojnë ” Qyteti 15 minuta Gati” të vendosura në policat për qetësimin e trafikut nëpër Vankuver, nuk janë të autorizuara nga zyrtarët e këtij qyteti dhe as pjesë e nismës.

Javët e fundit, përdorues të rrjeteve sociale kanë shpërndarë video dhe imazhe të ndryshme, shkëputur nga qyteti i Vankuverit në Kanada, me mbishkrime që kritikojnë nismën për një qytet 15 minutësh.

Qyteti 15-minutësh” është një koncept urbanistik që parashikon një mjedis jetese me elementë thelbësorë lehtësisht të aksesueshëm, por disa njerëz nuk e kanë mirëpritur duke e keqinterpretuar qëllimin e saj si një karantinë që do të kufizojë lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

“Vancouver, Kinada (gërma i nuk është vënë gabimisht). Ka filluar ndërtimi i zonave 15 minutëshe.”, shkruan një profil në rrjetin social facebook, teksa poston një video që tregon ngjitëset me mbishkrimin “Qyteti 15 minutësh, gati” nëpër portat e verdha të reduktimit të shpejtësisë në Vankuver.

Sipas një verifikimi të bërë nga kolegët tanë të Reuters, këto ngjitëse nuk janë pjesë e propozimeve për ‘Qytetin 15-minutësh”.

‘Blloqet e verdha të betonit që shihen në postimet në internet janë një mjet qetësues i trafikut që nuk i pengon njerëzit të hyjnë ose të dalin nga një rrugë apo zonë,’ tha një zëdhënës i qytetit të Vankuverit për Reuters, duke cituar një raport të qeverisë lokale, i përshkruar gjithashtu në një njoftim për shtyp.

“Portat e Slow Street kanë për qëllim të reduktojnë shpejtësinë e automjeteve,” tha zëdhënësi në një email.

Iniciativa u miratua për të bërë disa rrugë më të sigurta dhe për të ndihmuar këmbësorët dhe çiklistët, shtoi zëdhënësi.

Edhe pse qyteti po zbaton versionin e tij të konceptit të qytetit 15-minutësh, zëdhënësi tha, ngjitësit “Qyteti 15-minutësh, gati” nuk u aplikuan nga Qyteti i Vankuverit.

Edhe pse zëdhënësi i qytetit të Vankuverit konfirmoi se stafi i qytetit i ka parë ngjitësit në portat e hyrjes, Reuters nuk ishte në gjendje të identifikonte origjinën e tyre.

Komentet dhe përgjigjet në internet ndaj fotove të ngjitëseve që shfaqen nëpër qytet tregojnë se disa përdorues të mediave sociale i shohin afishet si një protestë ose kritikë ndaj konceptit të qytetit 15-minutësh, ndërsa të tjerët nuk janë të sigurtë.

Por në përfundim, verifikimet tregojnë se portat e verdha të Vankuverit janë një program i qeverisjes vendore për reduktimin e shpejtësisë dhe jo pjesë e propozimeve 15-minutëshe të qytetit. Ngjitëset që i referohen konceptit të qytetit 15-minutësh nuk u aplikuan apo autorizuan nga zyrtarët e Vankuverit.