Në muajin prill, Faktoje kërkoi nga qeveria të njihet me Memorandumin e Bashkëpunimit të firmosur mes Shqipërisë dhe SHBA-së, dokument ku thuhet se është bazuar ngritja e Komisionit për Dezinformimin. Në tejkalim të çdo afati ligjor, procesi i ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit vijon të zvarritet. Ky është një nga mijëra rastet kur institucionet shtetërore shkelin ligjin për të drejtën e informimit. Në katër vitet e fundit, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit raporton shqyrtimin e mbi 1500 ankesave nga gazetarë të cilëve u refuzohet e drejta për informim.
Esmeralda Topi
Në konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit në Tiranë, Kryeministri Edi Rama e cilësoi të drejtën për informim si parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracisë funksionale.
“Mendoj që kjo është sfida si të bëjmë që të rriturit të mos i tremben dritës e si t’i bëjmë qeveritë dhe institucionet shtetërore të mos i tremben dritës.”, deklaroi Rama.
E vërteta është se sfida për të mos u trembur nga drita e informacionit mbi të gjitha nis nga kryeministri, i pari, përfshi kabinetin e tij qeveritar. Për të ilustruar më qartë këtë sfidë, po ju sjellim rastin e fundit ku Këshilli i Ministrave ka shkelur ligjin për të drejtën e informimit.
Në fillim të muajit prill, Faktoje kërkoi nga Këshilli i Ministrave të njihet me Memorandumin e Bashkëpunimit të firmosur mes Shqipërisë dhe SHBA-së, dokument që thuhet se është bazuar ngritja e Komisionit për Dezinformimin. Teksa afatet ligjore janë tejkaluar, procesi i ankimimit vijon të jetë ‘pezull’.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk ka një vendim lidhur me ankimimin në fjalë. Ndryshimet e fundit të ligjit për të drejtën e informimit parashikojnë që Komisioneri pas hetimit administrativ mund të vendosë gjoba ndaj titullarit të institucionit apo zyrtarit që është bërë pengesë për dhënien e informacionit në zbatim me ligjin. Në rastin konkret, titullari është kryeministri Edi Rama.
Dhe ky është vetëm një nga qindra rastet ku Faktoje është përballur me shkelje të ligjit për informim në pesë vite punë.
Rastet më flagrante lidhen me refuzimet për dhënie informacioni nga një sërë institucionesh lidhur me faturat e shpenzimeve të udhëtimeve të titullarëve jashtë vendit- edhe pas një vendimi gjyqësor.
Kryeministria rezulton një nga institucionet që ka refuzuar të japë faturat e kërkuara nga Faktoje përmes kërkesës për informacion, që në vitin 2019, çështje e cila pret të gjykohet në Apelin e Gjykatës Adinistrative.
Edhe Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme refuzon prej 3 vitesh zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative për dhënien e informacionit se si i kanë shpenzuar titullarët paratë e taksapaguesve në udhëtimet zyrtare. Po ashtu edhe Presidenca e Republikës.
Edhe pse shpenzimet e titullarëve të institucioneve shtetërore paguhen nga buxheti i shtetit e për rrjedhojë janë në interes të publikut i cili paguan për to – në Shqipëri është e pamundur të arrihet transparencë lidhur me këto shpenzime.
Transparenca, ligji dhe ‘Maliqi’
Ligji për të drejtën e informimit u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2014 dhe ka për qëllim të garantojë rregulla konkrete për mbrojtjen dhe shndërrimin e të drejtës së informimit në një të drejtë lehtësisht të zbatueshme në praktikë. Por dhjetë vite më vonë, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se aksesi për informacion cilësor dhe profesional është kufizuar.
“Arsyet lidhen me mënyrën se si zyrtarët e interpretojnë ligjin, do të thotë pjesa më e madhe e zyrtarëve i shmangen detyrimeve ligjore me shkeljen e vazhdueshme të afateve dhe me përgjigje formale, jo përmbajtësore të kërkesave për informim. Dhe me dështimin e komisionerit përkatës për të imponuar standarde të transparencës që lidhen me informacione që duhet të jenë publike.”, argumenton Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politik.
Qendra Res-Publica që prej 10 vitesh monitoron zbatimin e të drejtës së informimit në Shqipëri, në raportin e fundit vlerëson se nuk ka përparime të dukshme në këtë drejtim.
“Në afro 73% të rasteve kërkuesit marrin një përgjigje të plotë pas kërkesës fillestare. Në 8% të këtyre rasteve, kërkuesit marrin përgjigje të pjesshme (shpesh kjo është përgjigje pa përmbajtje, pra joefektive, ndërsa në 27% të rasteve nuk marrin asnjë përgjigje.”, nënvizon raporti.
Sa më sensitiv të jetë informacioni i kërkuar, aq më e cunguar përgjigjja – thotë Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare që sapo ka fituar një beteje dyvjeçare gjyqësore me Universitetin e Tiranës.
“Sistematikisht prej dy vitesh është refuzuar të na vihen në dispozicion kontratat që ky Universitet lidhte me palët e treta. Një informacion i cili do të duhej të ishte publik. Në dy vite betejë me institucionin që refuzonte po edhe me institucionin që siguron zbatueshmërinë e ligjit për të drejtën e informimit, ne e patëm të pamundur që të kishim informacionin e kërkuar. U desh që t’i drejtoheshim Gjykatës Administrative të Tiranës për të marrë të drejtën tonë.”, shprehet Qiraxhi.
Nga viti 2014 e deri në fund të vitit të kaluar, Komisioneri për të Drejtën e Informimit raporton se ka shqyrtuar 6893 ankesa të ardhura nga gazetarë, qytetarë, avokatë dhe Organizata të Shoqërisë Civile.
Listën e ankesave për mos marrje informacioni e kryesojnë gazetarët. Në katër vitet e fundit 1525 gazetarë i janë drejtuar zyrës së Komisionerit për të ndërmjetësuar marrjen e informacionit të kërkuar.
E ardhmja, parashikon studiuesi Afrim Krasniqi, do të bëhet edhe më e vështirë.
“Për shkak të skandaleve të vazhdueshme, për shkak të konfliktit të madh që ka midis vizionit të qeverisë për informimin dhe nevojave që ka media dhe shoqëria civile për më shumë informacion dhe transparencë, por dhe për shkak të vitit zgjedhor.”, përfundon ai.