KEJSI LEKA
Qelizat e fetuseve të abortuara nuk përdoren në produktet ushqimore të kompanive Pepsi apo Nestle. Ky pretendim që qarkullon online është një keqinterpretim i kërkimeve të kompanisë bioteknologjike Senomyx, por kurrsesi për të përmirësuar shijen e produkteve ushqimore.
Pepsi, Kraft, Campbell’s dhe Nestle janë disa prej kompanive të përmendura në një video të postuar në 30 janar nga një përdorues në Facebook, të cilat pretendohet se përdorin qelizat e foshnjeve të abortuara për t’u dhënë shije prodhimeve të tyre ushqimore.
“Ata marrin qelizat e veshkave nga fetusi i abortuar. Këto linja qelizash i riprodhojnë në laborator dhe i vendosin në të gjitha produktet tuaja.”- thuhet në një pjesë të videos.
Postimi për përdorimin e qelizave të fetuseve në ushqime
Në video shfaqet një burrë, i cili shpjegon se si Senomyx, një kompani bioteknologjike në ShBA, është zbuluar se përdor qelizat e veshkave të fetuseve të abortuara në kërkimet e saj. Senomyx furnizon kompanitë gjigande me përbërës të nevojshëm për të prodhuar ushqimet më të njohura në botë.
Pretendimet mbi përdorimin e qelizave të indeve të veshkave të fetuseve në produktet e prodhuara nga kompanitë në bashkëpunim me Senomyx, filluan vite më parë nga një organizatë pro-jetës në Amerikë, “Children of God for life”.
Organizata zbuloi se pjesë e patentës së Senomyx ishin qelizat e foshnjeve të abortuara, të njohura shkencërisht me emrin HEK-293. Këto qeliza u morën nga veshka e një foshnjeje të abortuar në vitin 1973 dhe që prej asaj periudhe ato vijojnë të përdoren si klone të qelizave origjinale, të cilat në vetvete nuk u përkasin foshnjeve të abortuara.
Në vitin 2010, kjo organizatë i drejtoi një letër CEO së Senomyx, ku i sugjeroheshin disa mënyra në përdorimin apo edhe testimin e adititivëve, por letra u injorua prej tij.
Një vit më vonë, drejtoresha ekzekutive e “Children of God”, Debi Vinnedge, publikoi në website-in e faqes një thirrje për bojkot ndaj kompanive në bashkëpunim me Senomyx, duke i akuzuar se po prodhonin produkte me qeliza të foshnjeve të abortuara, pa dijeninë e konsumatorit. Thirrja për bojkot e organizatës u pasua nga reagime edhe nga ana e kompanive që gjatë asaj kohe bashkëpunonin me Senomyx. Të pyetur nga kolegët e Full fact mbi situatën, Pepsi, Campbell’s dhe Kraft mohuan përdorimin e produkteve të prodhuara nga Senomyx, ashtu sikurse shtuan se në përmirësimin e shijes së produkteve të tyre nuk ishin përdorur këto qeliza. Nestle ishte e vetmja kompani e përmendur, e cila nuk reagoi.
Për vite me radhë, njerëzit kanë kritikuar dhe keqinterpretuar faktin se kompania bioteknologjike Senomyx përdori linjën qelizore HEK293 – ose Veshkat Embrionale të Njeriut 293 – në kërkimet që përfshijnë zhvillimin e shijes. Linja qelizore HEK293 u krijua për herë të parë në fillim të viteve 1970 duke përdorur qeliza nga një veshkë e një fetusi.
Megjithatë, raportet e shumta të lajmeve gjatë viteve kanë sqaruar se kompania nuk ka vendosur qeliza fetale në asnjë produkt ushqimor që u jepet konsumatorëve.
Senomyx u ble në vitin 2018 nga kompania zvicerane Firmenich, e cila nuk iu përgjigj kërkesave të shumta me email për koment.
Por siç shpjegoi një zyrtar i Senomyx në një intervistë të vitit 2011 me “Miami New Times”, kompania përdori linjat qelizore “në thelb një sistem robotik të shijimit” që izolonte receptorët e shijes njerëzore në formën e proteinave për të provuar se si reagonin ndaj shijeve. Nëse një proteinë reagon pozitivisht ndaj një shijeje, kompania do të kalonte në teste të mëtejshme të shijes.
Frank Graham, një profesor emeritus në departamentet e biologjisë, patologjisë dhe mjekësisë molekulare në Universitetin McMaster, i cili zhvilloi linjën qelizore HEK-293 në vitet 1970, u shpreh për Associated Press përmes emailit se qelizat “do të përdoreshin në teste për vetitë e ndryshme të përbërjeve që do të përdoren si përmirësues të shijes”, por “nuk do të përfshiheshin vetë në pije ose ushqime të tjera”.
“Kjo nuk do të kishte kuptim,” tha Graham. “Me sa kam njohuri, qelizat po përdoren vetëm për testimin in vitro të kimikateve dhe komponimeve të ndryshme.”
Dr. David Gorski, një onkolog kirurgjik dhe kryeredaktor i faqes së internetit Science-Based Medicine, ka shkruar për keqkuptimet rreth linjave qelizore të fetusit. Ai konfirmoi në një email për AP se kërkimi i linjës qelizore të fetusit “nuk përfshin indin aktual të fetusit”. “Ai përdor linja qelizore të izoluara nga fetuset, shpesh dekada më parë,” shkroi Gorski.
Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Medikamenteve (FDA) iu përgjigj interesit të kolegëve të Associated Press se nuk ka asnjë bazë për pretendime të tilla.