Pretendimi: Kjo video tregon presidentin rus Vladimir Putin duke shmangur dorështrëngimin me presidentin kinez Xi Jinping si hakmarrje pasi Xi nuk kishte pranuar të shtrëngonte duart me të më parë gjatë një takimi me presidentin amerikan Donald Trump
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————————
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon “një moment të sikletshëm” mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping. Sipas përshkrimit të videos, Putin është parë të anashkalojë homologun e tij kinez, pasi ky i fundit nuk pranoi të shtrëngonte duart me të gjatë takimit me presidentin Donald Trump. Refuzimi i Xi pretendohet se tregohet në pjesën e sipërme të të njejtës video.

Presidentët e Rusisë, Kinës dhe ShBA u takuan më 18 nëntor 2026 në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen, Kinë.
Për të verifikuar këtë pretendim, verifikojmë fillimisht vërtetësinë e secilës video.
Video e sipërme
Video e sipërme nuk është reale. Ajo është modifikuar nga video origjinale, me gjasa me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, e cila është xhiruar në gusht 2026 gjatë një takimi mes Putin dhe Xi në Kirgistan.
Një krahasim i videos së manipuluar me atë origjinale, më poshtë, zbulon se ajo është modifikuar për t\u bërë të duket sikur Xi refuzon të shtrëngojë duart me Putin, ndërsa në videon origjinale tregohet duarshtrëngimi i tyre.
http://faktoje.al/ëp-content/uploads/2026/11/doënload-2.mp4
Video e manipular (lart) dhe ajo origjinale (poshtë)
Foto nga takimi te botuara nga qeveritë përkatëse gjithashtu tregojnë dy presidentët duke shtrënguar duart.

Foto e Putin dhe Xi botuar nga Ministria e Jashtme kineze, 31 gusht 2026

Foto e Putin dhe Xi botuar nga Kremlini, 31 gusht 2026
Video e poshtme
Duke përdorur sërish Google Lens, Faktoje gjeti se video është reale dhe është xhiruar para banketit mirëpritës në samitin APEC më 18 nëntor.
Megjithatë, në versionin e saj të plotë, nuk duket se Putin po shmang dorështrëngimin me Xi.
Në fakt, tabloidi britanik Daily Mail i ka interpretuar pamjet në mënyrën e kundërt, duke pretenduar se ishte Putin ai që u shpërfill nga Xi.
“Presidenti kinez u duk se e shpërfilli Putin. Pamjet sugjerojnë se Xi refuzoi t’i jepte dorën liderit rus. Më pas, Trump i bëri shenjë Putin që të qëndronin së bashku për foton. Por, në një goditje poshtëruese për presidentin rus, Xi e largoi Putin nga Trump për t’i bërë vend bashkëshortes së tij, Zonjës së Parë Peng Liyuan. Më pas, Putin u shfaq duke qëndruar i vetëm, ndërsa Xi i ktheu shpinën dhe nisi të bisedonte me Trump,” shkruan tabloidi.
Gjithsesi, një ditë më vonë, përpara nisjes së diskutimeve më 19 nëntor, Putin dhe Xi u shfaqën duke shtrënguar duart.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtrëngon duart me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në Samitin e Liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen, provinca Guangdong, Kinë, më 19 nëntor. (Foto e Reuters)






