BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPërse u vonua ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në ishullin e Sazanit?

Përse u vonua ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në ishullin e Sazanit?

Esmeralda Topi

Flakët që përfshinë ishullin e Sazanit disa ditë më parë, ‘rindezën’ debatin mbi mënyrën e manaxhimit të situatave të zjarrit nga autoritetet. Ministria e Mbrojtjes, refuzoi fillimisht ndërhyrjet nga ajri në ishull me argumentin se vatra do të vihej nën kontroll me efektivë të forcave të armatosura, mjete detare dhe zjarrfikës. Përpjekje këto pa rezultat që e detyruan ministrinë të tërhiqej dhe të aktivizonte Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së duke kërkuar ndihmën e Greqisë për të ndërhyrë nga ajri.

—————

“I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës.”- shkruante ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në rrjetin social facebook në përgjigje të kritikave adresuar ndaj dikasterit që ai drejton mbi manaxhimin e flakëve që përfshinë ishullin e Sazanit të dielën e 5 qershorit.

Por përpjekjet e autoriteteve për të shuar flakët në ishull me efektivë të forcave të armatosura, mjete detare dhe zjarrfikës nuk patën rezultat dhe Ministria e Mbrojtjes u detyrua të tërhiqej nga kjo deklaratë brenda 24 orëve.

Mëngjesin e 7 qershorit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi lajmëroi ndërhyrjen nga ajri në Sazan, përmes një avioni të ardhur nga Greqia, si përgjigje ndaj aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

“Eskpertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri me sasi te madhe uji, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren.”- shkruantë ndër të tjera në postimin e tij Niko Peleshi.

Po çfarë e ndryshoi vlerësimin e ekspertëve brena disa orësh? Në një përgjigje për Faktoje zyra e shtypit pranë ministrisë së Mbrojtjes sqaron se në raste të tilla, grupi i ekspertëve bën vlerësime çdo dy orë për situatën, për të gjykuar nevojën e ndërhyrjes me njerëz, me mjete me fikje apo me izolim të zjarrit.

“Dje në darkë në vlerësimin e orës 23:00 është gjykuar se ka nevojë për ndërhyrje nga ajri dhe duhet ndërhyrje masive, me volume të mëdha uji pasi zona e pashkelur ka shtresë të madhe humusi/gjethe të thata. Sidoqoftë fikja finale bëhet me njerëz, sepse ajri vetëm lehtëson flakët. Një shkëndijë e rindez.”- shkruan në reagimin për Faktoje zyra e shtypit pranë ministrisë së Mbrojtjes.

Kërkesën e Shqipërisë për ndihmë e konfirmon edhe Janez Lenarcic, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, përgjegjës për Mbrojtjen Civile Evropiane dhe Ndihmën Humanitare. Përmes një postimi në Twitter ai shkruan:

Me kërkesën e #Shqipërisë mbrëmjen e djeshme për ndihmë në shuarjen e zjarreve të #pyjeve që shpërthyen në ishullin #Sazan ne kemi aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile. Sapo ka mbërritur një avion zjarrfikës nga #Greqia, i cili është përgjigjur menjëherë.”

Eduard Demo, shef i sektorit të ndërhyrjes së zjarrëfikses në Vlorë ka qënë pjesë e ekipit të parë që mbërriti në Sazan në përpjekje për të shuar zjarrin. Ai thotë për Faktoje se kërkesa për ndërhyrjë nga ajri i është bërë Emergjencave Civile që prej ditës së dielë.

“Që ditën e djelë në orën 11.00 kemi kërkuar ndërhyrjen nga ajri. Edhe sallës operative të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes.  Patëm shumë vështirësi atje, terreni shumë i thyer dhe duhej kujdes i madh për shkak të zonës që ka municione.” – thotë Demo për Faktoje.

Ndërkohë, ish drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në vend, Dilaver Laçi thotë se ndërhyrja nga ajri në Sazan duhet të ishte e vetmja alternativë.

“Nëse ka një rast ku duhet të ndërhyet nga ajri është ai, vetëm Sazani, për shumë arsye. Dhe jo edhe nga ajri, por ndërhyrja duhej vetëm nga ajri. Me kazma e me lopata nuk fiket zjarri në një ishull. Me helikopter do të ishte e domosdoshme, sepse uji është shumë afër atje dhe do të ishte fikur zjarri tani. Ne kemi arrë ujë nga Kukësi e kemi hedhur në Pukë e kemi thënë është afër. Ata ujin e kanë atje. Ndërkohë një tjetër arsye është dhe rreziku nga municionet, sepse rrezikohet jeta e efektivëve.”- tha Laçi për Faktoje.

Edhe ish drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi thotë se ndërhyja nga ajri duhej bërë që ditën kur ra zjarri.

“Forma e vetme për fikjen e zjarrit në ishullin e Sazanit është vetëm me operacione ajrore. Fakti që sot një avion i tipit CANADER për 3 orë operacion fiku zjarrin tregon shumë se autoritetet shqiptare e lënë vetë të digjet Shqiperia duke nxjerrë jashtë gatishmërie flotën ajrore të helikoptereve dhe kjo bëhet me qëllim për ta djegur bregdetin shqiptar dhe për ta nxjerrë nga zonat e mbrojtura që t’ua japë oligarkëve per resorte turistike…!”- thekson ai për Faktoje.

Sazani është ishulli më i madh në vend. Dikur një bazë ushtarake, ishulli i pabanuar vitet e fundit është kthyer në një destinacion tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Prej majit të vitit 2017, ishulli i Sazanit është i hapur për turistët. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë verë hapja zyrtare e ishullit për turistët ende nuk është bërë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img