BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorPublikimi i titujve ‘copy-paste’ nga tabloidët po i bën jehonë propagandës kundër emigrantëve në Britani

Publikimi i titujve ‘copy-paste’ nga tabloidët po i bën jehonë propagandës kundër emigrantëve në Britani

Në mediat tona online dhe jo vetëm, po zhvillohet një fushatë anti-emigrantë, përmes publikimit të titujve ‘copy-paste’ nga tabloidë britanikë që njihen për qëndrimet e ashpra kundër refugjatëve. Faktoje sjell një analizë mbi realitetin e emigracionit në masë që po ndodh në Britani, bazuar në raportet zyrtare të Home Office apo organizatave të refugjatëve. Ndryshe nga propaganda dizinformuese e tabloidëve që portretizon shqiptarët si kriminelë që po sjellin krimin e organizuar në Britani, të dhënat tregojnë se shumë azilkërkues janë ende të mitur dhe se po përballen me kërcënime, borxhe dhe skllavëri.

Barbara Halla

 Duke nisur nga mesi i gushtit, nëpër portalet shqiptare janë përhapur shumë artikuj mbi numrin e shqiptarëve që kanë kapur brigjet e Britanisë së Madhe në mënyrë të “jashtligjshme”. Këto artikuj janë bazuar kryesisht nga reportazhet e gazetës famëkeqe britanike Daily Mail, e cila i ka vënë në shënjestër emigrantët shqiptarë, dhe ka publikuar me dhjetëra artikuj mbi këtë temë vetëm në dy muajt e fundit.

Burim: Daily Mail

Disa portale vendase kanë ndjekur shembullin e Daily Mail dhe në diskutimet online ku shkruhet dhe flitet shqip, këto lajme kanë thurur një narrativë të zymtë mbi refugjatët dhe emigrantët shqiptarë. Në këtë narrativë, shifrat dhe faktet përzihen me propagandën kundër emigracionit, tipike të mediave britanike, por edhe të manipulimit që u bëhet këtyre ngjarjeve nga politikat e brendshmë të qeverisë britanike.

“Mirësevini në Britani! ‘Daily Mail’: Emigrantët shqiptarë mburren, pozojnë para ‘syrit’ të Londrës,” është një nga titujt e marrë fjalë për fjalë nga kjo gazetë dhe e shpërndarë nga të paktën katër portale të ndryshme. “Daily Mail”: Si krimi i organizuar shqiptar po sjell emigrantët në Britani,” shkruan një tjetër portal, apo “Daily Mail”: Krimi i organizuar shqiptar po sjell emigrantët në Britani-shkruan një tjetër.

Daily Mail dhe Propaganda Kundër Emigracionit

Problematikat në qasjen e bërë nga këto portale janë të shumta. Së pari, ato trajtojnë Daily Mail si një burim të besueshëm. Por e vërteta është se gazeta si Daily Mail nuk bëjnë gazetari serioze, por në fakt janë më të ngjashme me revistat apo portalet e thashethemeve që quhen në anglisht “tabloid”.

Për më tepër, Daily Mail është një hapësirë mediatike me tendenca të forta kundër emigrimit. Kjo do të thotë që me artikujt e tyre mbi këtë çështje përpiqen të japin një imazh të shtrembëruar të fakteve duke i portretizuar shqiptarët si kriminelë që rrezikojnë popullin britanik. Por gjithashtu, Daily Mail po përpiqet të nxisë opinionin publik në Britani kundër sistemit të kërkimit për azil, duke e përdorur rastin e shqiptarëve si një pikë hyrjeje për të shtuar dyshimet mbi refugjatët në përgjithësi.

Prandaj artikujt e Daily Mail kanë tituj që nënvizojnë situatën në Shqipëri, duke lënë të kuptohet se ka diçka që nuk shkon kur një përqindje kaq e lartë azilkërkuesish janë shqiptarë. Për shembull, artikulli më poshtë lexon: “40 për qind e emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit janë nga SHQIPËRIA – jo një vend i shkatërruar nga lufta e uria – zbulon një raport sekret ushtarak.”

Burim: Daily Mail

Në artikull nuk shpjegohet më tej situata e atyre shqiptarëve që kërkojnë azil në Britani. Shkruhet vetëm mbi faktin se ‘bandat shqiptare thuhet se po blejnë varka të mëdha fryrëse nga fabrikat kineze dhe po i përshtatin ato duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë ato më të mëdha për të shtrydhur më shumë emigrantë në bord.’ Artikulli flet edhe për ata kontrabandistë që, nëpërmjet TikTok-ut, reklamojnë se janë të gatshëm të ndihmojnë me kalimin e La Manshit përmes barkave, për ata që kanë mundësi të paguajnë midis 3,500 dhe 5,000 pound për një rrugëtim.

Pas lajmeves mbi numrat në rritje të emigrantëve shqiptarw, Daily Mail ka publikuar edhe artikuj të tjerë, ku shqiptarët “pozojnë për foto para Syrit të Londrës, teksa mburren me udhëtimet në pikat kryesore të kryeqytetit, vetëm disa ditë pasi kaluan Kanalin me varka të vogla.” Këto foto informale të emigrantëve shqiptarë ballafaqohen me imazhin e mjeruar të azilkërkuesve me të cilën shiten zakonisht historitë e refugjatëve për të legjitimuar kërkesat e tyre për azil në vende si Britania. Përmes këtyre artikujve Daily Mail lë të kuptojë se shqiptarët nuk e meritojnë statusin e refugjatëve.

Faktet sipas raporteve britanike

Shkas për artikujt në rritje të Daily Mail qenë dy raporte të përgatitura nga qeveria britanike mbi emigraconin dhe kërkesat për azil në gjashtë-mujorin e parë të 2022. Raporti i parë u publikua nga Ministria e Mbrojtjes në fillim të gushtit. Ky raport tregon se mbi 18,000 persona kishin kaluar kanalin e La Manshit që ndan Francën nga Britania për të kërkuar azil tek kjo e dyta. Midis 1 qershorit dhe 12 korrikut, 1075 nga 2862 personat e sjellur në rrugë të paligjshme përmes varkave, vinin nga Shqipëria. Këto ishin numrat të cilët Daily Mail i përdori për të argumentuar se emgirantët nga Shqipëria nuk meritonin statusin e refugjatëve pasi nuk vijnë nga një vend në luftë.

Por, në një intervistë për britaniken The Guardian, punonjës të disa organizatave që merren me refugjatët e kanë sfiduar këtë interpretim të Daily Mail, duke specifikuar që fëmijët shqiptarë janë ndër më të trafikuarit në Britani. Lauren Starkey, që punon për organizatën Love146, shkroi në Twitter: “Dhunë, kërcënime, mashtrim, borxhe që të çojnë në skallvëri. Të gjitha teknikat e përdorura për trafikimin e të rinjve shqiptarë në Britani. Vendi mund të mos jetë në luftë, por nuk është paqësor apo i sigurtë për ata që i mbijetojnë këti lloj abuzimi.”

Clare Moseley, drejtoresha e OJQ-së Care4Calais, tha po ashtu se shumica dërrmuese e atyre që vijnë në Britani përmes varkave janë refugjatë, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët. “Shifrat e fundit tregojnë një normë pranimi prej 55% për refugjatët shqiptarë, kështu që pretendimi se ata janë të gjithë emigrantë ekonomikë duket i pasaktë.” Kjo do të thotë që 1 në 2 shqiptarë që kërkojnë azil në Britani, iu pranohet kërkesa. Për më tepër, vetëm 21 persona janë rikthyer në Shqipëri për shkak se kërkesa e tyre është konsideruar si e “papranueshme,” edhe pasi qeveria britanike e zgjeroi kategorinë.

Por është e vërtetë se numri i shqiptarëve që mbërrijnë në Britani është rritur në mënyrë të dukshme. Sipas një raporti të publikuar nga Home Office, zyra e qeverisë britanike që merret me ligjin, kufinjtë dhe emigrimin, në fund të qershorit, ve në dukje: “Numri i shqiptarëve që vijnë me varka të vogla është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të fundit. Para kësaj periudhie, shqiptarët nuk zbuloheshin zakonisht në varka të vogla.”

“Në gjysmën e parë të këtij viti, më shumë se gjysma (51%) e mbërritjeve me varka të vogla ishin nga tre kombësi – shqiptare (18%), afgane (18%) dhe iraniane (15%),” shkruhet në raport. Për më tepër, shifrat tregojnë se 2165 shqiptarë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla midis janarit dhe qershorit 2022, krahasuar me vetëm 23 të zbuluar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është një rritje marramendëse, që sipas spekulimeve të shumta ka të bëjë me rritjen e prezencës së bandave kriminale shqiptare në Britani, sidomos ato që po merren me kokainën.

Burim: Home Office. “Kombësitë kryesore që mbërrijnë me varka të vogla, si përqindje (%) e totalit të mbërritjeve të varkave të vogla 1,2, janar 2018 deri në qershor 2022.”

Megjithatë, këto mbeten spekulime, dhe ende nuk dihet arsyeja përse numri i azil- kërkuesëve, sidomos atyre shqiptarë është rritur me hapa vigane. Me shumë gjasa, mediat sociale si TikTok e kanë bërë më të lehtë gjetjen e varkave drejt Britanisë, edhe pse me çmime të kripura, siç e tregon një raport i BIRN.

Megjithatë, organizatat që punojnë me refugjatët i inkurajojnë si mediat britanike dhe qeverinë të bëjnë kujdes me raportet, pasi ka një ndryshim thelbësor midis bandave kriminale—të cilat merren edhe me trafikimin e njerëzve—dhe atyre që janë thjesht kontrabandistë, pra që paguhen për të kaluar njerëzit nga një vend në tjetrin. Dhe gjithashtu nuk duhet harruar ndryshimi midis refugjatëve dhe emigrantëve për arsye ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, E. Solomon i shoqatës Refugee Council shtoi: “Ne e dimë drejtpërdrejt nga puna e gjerë me refugjatët shqiptarë se shumë prej tyre janë trafikuar dhe janë viktima të shfrytëzimit kriminal dhe seksual. Edhe nëse një vend nuk është në luftë nuk do të thotë se është i sigurt për të gjithë ata që jetojnë atje.”

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Editor: Viola Keta & Aimona Vogli Hotova

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img