BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE rreme deklarata e ish-drejtorit të Pfizer se viruset e frymëmarrjes nuk ekzistojnë

E rreme deklarata e ish-drejtorit të Pfizer se viruset e frymëmarrjes nuk ekzistojnë

Një video e Michael Yeadon, ish-punonjës i Pfizer, që pretendon se “viruset e frymëmarrjes nuk ekzistojnë” po qarkullon në mediat sociale shqiptare për të ‘përgënjeshtruar’ ekzistencën e Covid-19 dhe promovuar konspiracione anti-vaksinë. Verifikimi i “Faktoje” arriti në përfundimin se ekzistenca e viruseve të frymëmarrjes është e mirë-provuar dhe studiuar nga shkenca.

Një nga postimet e videos në mediat sociale në shqip

Video që po qarkullon është shkëputur nga një intervistë më e gjatë e Micheal Yeadon, dhe në të ai thotë: 

Ata janë shtirur se kishte një kërcënim të ri viral serioz frymëmarrjeje. Për mendimin tim, nuk ka patur asnjë rrezik të ri shëndetësor, kurrë. […] Mësova diçka të re kohët e fundit që thjesht e rrëzoi mundësinë që viruset e frymëmarrjes, siç janë përshkruar, nuk ekzistojnë fare. Nuk ekzistojnë. Njerëzit sëmuren. Unë mendoj se nuk e dimë se çfarë e shkakton këtë, por viruset e frymëmarrjes nuk e shkaktojnë.“

Megjithëse video e quan Michael Yeadon ‘ish-zëvendës president’ i Pfizer, sipas profilit të tij në LinkedIn, ai nuk e ka mbajtur kurrë këtë pozicion. Në të vërtetë, në vitin 2006 ai u bë zëvendës president i departamentit kërkimor për alergjitë dhe frymëmarrjen në kompaninë Pfizer. Ai e mbajti këtë pozicion deri në 2011, kur ky departament u mbyll. 

Departamenti në fjalë, e si rrjedhim dhe puna e Yeadon, nuk kishte të bënte me zhvillimin e vaksinave apo me sëmundjet ngjitëse si Covid-19. Për më tepër, në 2020, kur filloi pandemia e Covid-19, Yeadon kishte gati një dekadë që nuk punonte më për Pfizer.

Në 30 tetor 2020, kur në Mbretërinë e Bashkuar kishin vdekur 45 mijë persona nga Covid-19, Yeadon shkroi një artikull ku deklaroi se vdekjet nga Covid-19 do të mbaronin së shpejti, dhe populli britanik duhet t’i kthehesh normalitetit sa më shpejt. Më 7 tetor 2022, Britania kishte në total mbi 200 mijë vdekje nga Covid-19.

Pohimi se “viruset e frymëmarrjes nuk ekzistojnë” është i pavërtetë. Yeadon pretendon se ka arritur së fundmi në këtë përfundim pasi mësoi diçka të re, diçka që nuk e shpjegon duke na privuar nga një argumentim për këtë pretendim të jashtëzakonshëm. Ndërkohë, shumë shkencëtarë të tjerë, të cilët merren specifikisht me studimin e viruseve të frymëmarrjes, kanë shkruar gjerësisht për to, duke ofruar një bollëk provash dhe të dhënash që lexuesi mund t’i aksesojë dhe vlerësojë lehtësisht. 

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) shpjegon se Covid-19 dhe gripi janë të dyja sëmundje ngjitëse të frymëmarrjes, dhe shkaktohen nga viruse. Covid-19 shkaktohet nga infektimi nga një koronavirus (SARS-CoV-2) i identifikuar fillimisht në 2019. Gripi shkaktohet nga infektimi nga një virus gripal.

Koronavirusët i përkasin familjes Orthocoronavirinae të virusëve, ndërsa virusët gripalë i përkasin familjes Orthomyxoviridae

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img