MERXHAN DACI
Nga një vëzhgim mbi numrin e personave që lënë shtetësinë, “Faktoje” konstatoi se ky fenomen po shënon rritje. Në vitin 2019, ata që kanë lënë shtetësinë janë 741 persona, 184 më shumë se në vitin 2018. Çfarë po i shtyn shqiptarët të braktisin pasaportën shqiptare?
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Që prej vitit 2015 ka ardhur duke u rritur numri i personave që lënë shtetësinë shqiptare, madje në 2019-n ky numër thuajse është dyfishuar në krahasim me 4 vite më parë.
Në krahasim me vitin 2018, në vitin 2019, ishin 184 persona më shumë që lanë shtetësinë shqiptare.
Nëse shohim numrin e personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare për të njëjtën periudhë kohore, rezulton se në 2015-n ky numër ishte 257 dhe në vitin 2019 është rritur në 637.
Megjithatë, shifrat tregojnë se lënia e shtetësisë është më e madhe se përfitimi i saj.
Lënia e shtetësisë shqiptare bëhet me dekret të Presidentit të Republikës, pas Përpunimit të kërkesës nga Ministria e Brendshme.
Pse shqiptarët po lënë shtetësinë?
Sipas sociologes Entela Binjaku, lënia e nënshtetësisë shqiptare duhet të kuptohet nëse është një procedurë e detyruar konform legjislacionit të shtetit ku është bërë aplikimi, apo ai shtet e ka lejuar dyshtetësinë dhe sërish ajo shqiptare është lënë.
Teksa ky fenomen ka ardhur në rritje, sipas Binjakut kjo është një dukuri që meriton të studiohet.
“Këta 741 qytetarë shqiptarë që e kanë lënë nënshtetësinë shqiptare gjatë vitit të kaluar, me siguri në fillim të viteve ‘90 duhet të kenë qenë fëmijë ose kanë lindur pas këtij kufiri dhe tashmë, në moshën 30–46 vjeçare aspiratën për “Shqipërinë si gjithë Evropa” ia përmbush një pasaportë tjetër”, tha ajo për “Faktoje”.
Binjaku shton se lënia e nënshtetësisë shqiptare mund të quhet edhe një veprim nënvlerësimi, duke përjashtuar rastet kur ky akt ka qenë një domosdoshmëri.
“Lënia mund të kuptohet edhe si një vendim proteste ndaj situatës në Shqipëri apo edhe si një masë mbrojteje për veten dhe familjen. Lëvizja e lirë e njerëzve vetëm sa e ka lehtësuar procesin e marrjes së një shtetësie të dytë. Ajo që duhet të kuptojmë është se në cilat kushte është lënë dhe çfarë motivi kanë shprehur ata që e kanë kryer këtë veprim”, tha ajo.
Socialogia Binjaku përfundon se ajo që duhet të kuptojmë është se në të kaluarën nënshtetësia konsiderohej si çështje emocionale, pra besnikëri ndaj shtetit apo “tradhti” ndaj Atdheut, por sot kjo çështje është e natyrës ekonomike, demografike apo politike.
Ku kanë shkuar shqiptarët
Nga viti 2002 deri në vitin 2017 janë dhënë gjithsej 391 mijë shtetësi për shqiptarët që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Ndërkaq, vetëm për periudhën 2012-2017, sipas Eurostat, plot 286,677 shqiptarë kanë marrë shtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian.
Shtetet që kanë lëshuar më shumë shtetësi për shqiptarët janë Greqia dhe Italia, me një diferencë të madhe nga shtete të tjera që pasojnë në listë, si Britania e Madhe dhe Gjermania.
(Të dhënat e vitit 2017, burimi: Eurostat)
Për katër vite, nga 2014-2017, shtetasit shqiptarë kanë qenë të dytët pas shtetasve të Marokut që kanë përfituar shtetësinë nga një vend i BE-së.