ESMERALDA TOPI

 

Në mars të këtij viti qeveria krijoi Bordin e Transparencës së Karburanteve për t’i dhënë fund abuzimeve me çmimet në treg duke krijuar një formulë ligjore që përcakton vendosjen e çmimit tavan për tregtimin e karburanteve. Vendimet e para të bordit u përcollën me rigorozitet nga aktorët e tregut, por në muajin qershor situata ndryshoi. Rrjetet e vogla filluan të shesin me çmime më të ulta për shkak të rënies së fuqisë blerëse. Shoqata e Hidrokarbureve konfirmon se në pak kohë janë mbyllur 86 pika karburantesh, ndërkohë që 300 të tjera janë një hap larg falimentit.

“Vihet një tavan mbi të cilin askush nuk mund të shkojë. Është komplet koncept tjetër dhe gjithkush është shumë i lutur që të ulet më poshtë.  Pra ne, nuk mund të vendosim çmim unik për të gjithë se nuk jemi në komunizëm.”- tha Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Parlament në 9 qershor të 2022.

Nisur nga kjo deklaratë e Kryeministrit Rama, Faktoje bëri një verifikim mbi ecurinë e çmimit të karburanteve në vend, disa muaj pas krijimit të Bordit të Transparencës së Karburanteve.

9 qershor 2022

Referuar vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, çmimi tavan për shitjen e një litri naftë është 261 lekë me pakicë dhe 249 lekë për shitjet me shumicë. Nga ana tjetër, çmimi i shitjes me pakicë të benzinës është 236 lekë për litër, ndërsa shitja me shumicë 224 lekë për litër.

Foto në një prej pikave të karburanteve në Tiranë, 20 qershor 2022

Foto në një prej pikave të karburanteve në Tiranë, 20 qershor 2022

Por ndryshe nga periudha mars-maj kur të gjitha pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve tregtonin me çmimin e fiksuar tavan të bordit, muaji qershor shënoi pikën e kthesës për ato që njihen si pikat e bardha të tregtimit me pakicë të karburanteve.  Rrjetet e vogla kanë filluar të shesin nga 2 deri në 12 lekë më pak se çmimi tavan i bordit të transparencës.

20 qershor 2022

Petraq Filka është pronar dhe administrator i një pike të vogël karburanti në Fier. Ai thotë për Faktoje se shitjet gjatë kësaj periudhe kanë rënë me 50%, ndaj karburantet po i tregton me çmime më të ulta se tavani i vendosur nga bordi.

“Më duhet shumë e gabuar që të krijohet një bord për të vendosur çmimet. Sepse përveç bordit që cakton çmime që nuk janë të pranueshme për xhepat e qytetarëve është dhe konkurenca. Nëse unë i mbaj në kokë siç i ka Bordi atëherë unë s’do të kem shitje fare, falimentoj.”- thekson Filka për Faktoje.

4 qershor 2022

Të kontaktuar nga Faktoje, përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve thonë se përcaktimi i çmimit po e shkatërron tregun. Luigj Aliaj, kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve thotë se janë mbyllur 86 pika karburantesh në vend ndërkohë që 300 të tjera janë në prag falimenti.

“Në një treg ku ka liri tregu dhe shumë operatorë, ti s’mund të caktosh çmim. As tavan, as mesatar as minimal. Secili ka historinë e vet të biznesit. Dikush e ka me qira, dikush të vetën, dikush me kredi dhe me radhë. Ndaj ti nuk mund të kesh çmim të fiksuar kurrë. Ndaj Bordi që i thonë Bord Transparence duhet të bëjë transparencë se sa është kosto sot dhe sa po shitet. Kaq! Sepse në këtë mënyrë po e shkatërrojnë tregun. Në të gjithë Shqipërinë janë 86 pika të mbyllura nga 1400 në total. Ndërkohë që 300 të tjera janë duke punuar për mbijetesë. Jemi pro transparencës, por jo për caktim çmimi.”- thekson Aliaj për Faktoje.

Mirëpo deputeti socialist Erjon Braçe, anëtar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, e sheh problematikën më të thellë se kaq, ndaj ai thekson se çfarë hapash duhen ndërmarrë.

“ 1. Duhet transparencë dhe drejtësi për shpenzimet e PIKAVE TË BRANDUARA dhe PIKAVE TË BARDHA; 2. Duhet transparencë mbi pronësinë e stacioneve të pompimit të naftës dhe marrëdhënieve tregtare ku përfshihen; 3. Duhet garantuar konkurrencë efektive në tregtinë me shumicë e me pakicë të naftës;4. Duhet kontroll ligjor, efektiv e transparent për cilesinë e naftës për çdo çmim të vendosur në tabelë! Por mbi të gjitha: Duhet rrëzuar skema e tregtimit të naftës me brooker në origjinë dhe marrëdhënie okulte të të gjithë tregut me të!”- thekson Braçe për Faktoje.

Nga ana tjetër Konfederata e Industrive të Shqipërisë kërkon që qeveria të ndryshojë përbërjen e Bordit të Trasparencës, duke përjashtuar përfaqësuesit e operatorëve të karburanteve si antarë me të drejtë vote në vendimmarrje.

“Është e papranueshme dhe tërësisht e paarsyeshme, që vendimmarrjet të përcaktohen pikërisht edhe nga subjektet, që duhet të jenë objekt vëzhgimi për spekulime të mundshme në treg dhe për të cilët përligjet qëllimi i krijimit të vetë Bordit të Trasparencës.”- shkruhet në deklaratën për mediat të Konfindustrias në 20 qershor.

Por eksperti i ekonomisë, Bardh Sejdarasi sqaron se Bordi thjesht monitoron treguesit e tregut ndërkombëtar dhe llogarit çmimin sipas formulës ligjore.

“Nëse i hidhni një sy funksioneve që kanë bordet, ato thjesht monitorojnë treguesit e tregut ndërkombëtar dhe llogarisin, sipas një formule ligjore çmimin e një litri karburant. Bordi nuk ka asnje funksion tjetër. Formula e llogaritjes është publike dhe çmimin mund ta llogarisë çdo kush nëse ka aksesin e të dhënave të çmimit të karburanteve në bursën Plats të Mesdheut dhe taksat e tarifat ligjore që aplikohen mbi këtë çmim. Këto të dhëna publikohen rregullisht çdo ditë. E vetmja tarifë e kontrolluar nga qeveria është caktimi i një tarife për shërbime operacionale dhe kosto operacionale neto të kompanive në vlerën 3 lekë për litër për shoqëritë e shumicës dhe 12 lekë për litër për kompanitë e pakicës.”-thotë Sejdarasi për Faktoje.

Edhe Enio Jaço, President i Dhomës Amerikanë të Tregtisë në një postim në rrjetet sociale thotë se kontrolli i çmimeve në periudha krizash nuk është gjë e re, por situata të tilla në periudhë afatgjatë kërkojnë reformim të thellë.

“Vende të ndryshme e kanë eksperimentuar. Por nga rezultatet janë detyruar të ndryshojnë kurs duke gjetur zgjidhje tek reformimi i thellë. Pak a shumë e njëjta situatë ndodh dhe tani. Kriza në Ukrainë ka krijuar presione dramatike në rritjen e paparashikueshme të çmimeve dhe në Shqipëri, efektet e kësaj krize janë shtesë mbi sfidat që vendi duhet të adresojë. Prandaj në vend të një instrumenti qëndror për kontrollin e çmimeve, me efekte të paprovuara në rastin më të mirë, një reformim i thellë ekonomik do ishte më produktiv për shendetin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë!”- thekson Jaço në reagimin e tij në Facebook.

Për shkak të luftës në Ukrainë por edhe një politike agresive taksimi mbi naftën, Shqipëria është shndërruar vendi me çmimin më të lartë të naftës në botë në raport me fuqinë blerëse.

Referuar të dhënave të fundi nga Global Petrol Price, Shqipëria renditet një nga 20 vendet me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë, 2.031 euro për një litër.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, importet e naftës në muajin maj rezultuan rreth 44 mijë tonë, me rënie 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahas rënies së konsumit, shtrenjtimi i naftës ka detyruar konsumatorët të orientohen drejt zgjidhjeve alternative në tregun e “zi”. Ervis T. thotë për Faktoje se prej muajit mars ble naftë me bidon tek një i afërm që nuk di se si e siguron produktin më lirë se çmimet e tregut.

“ Kur nafta shkoi 200 lekë unë e blija një litër me 160 lekë, ndërkohë që tani që ka shkuar afër 260 lekëve e ble me 200 lekë për litër.” – thotë ai për Faktoje, duke shtuar se ndryshe nuk i dalin llogaritë për të shkuar në punë me makinë.