BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookProtesta në Gjermani, jo me fotot e viktimave nga vaksina Covid

Protesta në Gjermani, jo me fotot e viktimave nga vaksina Covid

Qytetarët që vuajnë nga pasojat e gjata të Koronavirusit kanë protestuar përpara parlamentit gjerman duke kërkuar mbështetje dhe financim për situatën e tyre shëndetësore. Por protesta, e cila përdori 400 fotografi të vendosura në karrige me rrota për të simbolizuar pamundësinë e tyre për të vijuar jetën normale për shkak të simptomave kronike, është keqinterpretuar në rrjet si “demonstratë me fotot e viktimave dhe të dëmtuarve nga vaksina Covid”.

Jona Plumbi

Qindra karrige me rrota, simbol i fatit të shumë pacientëve që kanë kaluar Covid prej kohësh, u vendosën para parlamentit gjerman në Berlin në 4 korrik 2023 nga iniciativa ‘Nuk janë shëruar’.

Ky aktivizëm është interpretuar në rrjet si “Demonstratë para Bundestagut gjerman me fotografi të viktimave dhe të dëmtuarve nga bioarma vaksina Covid.”

Videoja e publikuar me pretendimin se fotografitë e vendosura në karrige i përkasin viktimave të vaksinave Covid-19, njofton një fjalë që në gjermanisht është Nichtgenesen”.

Nëse bën një kërkim në rrjet me këtë fjalë kyçe, rezultati të tregon se ajo është një nismë e quajtur “Nuk janë shëruar”.

Të gjithë ata që vuajnë nga lodhja, ata që vuajnë pasoja Post Covid dhe Post Vaksinim në Gjermani janë bashkuar në një iniciativë të përbashkët për të kërkuar financim për trajtimin e problemeve që i ka lënë pas infektimi me Covid-19 apo vaksinimi kundër këtij virusi.

Ndaj, nisma “Nuk janë shëruar” vendosi 400 karrige me rrota në livadhin përballë Bundestagut. Secila shfaqte portretin e një personi, një pacienti ose një të afërmi që vuan nga pasojat e Covid-19 dhe jo viktimave të vaksinimit nga koronavirusi, si pretendon publikimi i mësipërm.

Ata kërkojnë financimin e kërkimeve shkencore dhe ndihmë. Alokimi i të paktën 200 milionë eurove buxhet federal për hulumtimin, edukimin dhe përkujdesjen e atyre që janë të prekur nga lodhja, nga simptomat post-covid dhe ato post-vaksinim Covid është kërkesa e tyre e printuar në fletëpalosje që i shpërndajnë nëpër qytet. Ndërkohë, Berliner Zeitung njofton se parlamenti gjerman po diskuton ligjin “Për kujdesin e Sindromës post-covid dhe post-vaksinim”.

Sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundja post-covid-19 mund të ndodhë zakonisht tre muaj pas infektimit me Covid-19 me simptoma që zgjasin të paktën dy muaj dhe që nuk lidhen me një diagnozë tjetër. Simptomat më të zakonshme përfshijnë lodhje, gulçim, mosfunksionim kognitiv dhe të tjera që ndikojnë në rutinën e përditshme. Simptomat mund të shfaqen pas shërimit fillestar nga sëmundja akute Covid-19 ose të vazhdojnë pas sëmundjes fillestare. Ato mund të luhaten ose të përsëriten me kalimin e kohës.

Nisur nga këto informacione publike, rezulton se pretendimi që fotografitë e vendosura në karriget me rrota tregon viktimat e vaksinës kundër Covid, është i pavërtetë.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img