.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookProtesta e shqiptarëve në Angli nuk u nxit nga Rama

Protesta e shqiptarëve në Angli nuk u nxit nga Rama

Pse shqiptarët në Britani iu bashkuan thirrjes së Ramës?” Me këtë titull, portali lexo.al pretendon se qindra shqiptarë të mbledhur në protestën e 12 nëntorit në Angli, dolën në tubim të nxitur nga reagimi i ashpër që bëri Kryeministri Edi Rama kundrejt qeverisë britanike mbi debatin e emigrantëve.

Kjo protestë vjen menjëherë pas deklaratave të forta të kryeministrit Rama, i cili në një dalje të fundit në median SKY NEËS, kërkoi një ndjesë nga qeveria britanike, pas deklaratave të ministres së Brendshme, Suella Braverman për “pushtimin” e Mbretërisë së Bashkuar nga emigrantët shqiptarë”- shkruhet ndër të tjera në brendësi të artikullit, që duket se dëshiron t’i japë kryeministrit Rama një meritë që as ai vetë nuk e ka pretenduar.

Verifikim i “Faktoje” konfirmoi se protesta e shqiptarëve në Londër nuk e kishte aspak prejardhjen nga Tirana. I pyetur nga “Faktoje”, Taulant Omi, një prej organizatorëve të tubimi, thotë se protesta ishte një reagim revolte ndaj deklaratave ofenduese që ministrja e Punëve të Brendshme Suela Braverman bëri për emigrantët shqiptarë gjatë fjalës së saj në parlamentin britanik.

Taulant Omi, gjatë protestës së 12 nëntorit në Westminster Bridge

Së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Enkeleid Omi dhe Zamir Ymeri, më 31 tetor ne kemi kërkuar zyrtarisht leje në policinë angleze për mbajtjen e protestës.  Nuk kemi menduar ta organizojmë këtë protestë për Ramën, Berishën apo Metën.”- sqaron më tej Taulanti, duke shtuar se për të shmangur pikërisht këtë lloj retorike ka hequr nga protesta mbi 20 postera që kishin mesazhe politike për Shqipërinë.

Ftesa për protestën e 12 nëntorit që u shpërnda në rrjetet sociale

Edhe Taulant Shpata, një tjetër emigrant shqiptar që punon prej vitesh në Britani, pohon për “Faktoje” se organizimi i protestës u bë përpara deklaratave të Kryeministrit Rama.

Unë personalisht dola për të mbrojtur dinjitetin tonë si emigrantë të rregullt pasi nuk mund të mos revoltohesh kur dëgjon një zyrtare të lartë të flasë në gjuhë fyese për ne shqiptarët. Si mua atë ditë ishin me qindra të tjerë në protestë. Asnjë prej ne nuk del se foli Rama apo ndonjë politikan tjetër.” – shprehet ai.

Çështja e emigrantët të paligjshëm shqiptarë në Britaninë e Madhe është kthyer në kryefjalën e debateve politike në Angli nxitur nga deklarata që bëri Sekretarja për Punët e Brendshme, Suela Braverman, mbi “pushtimin” e emigrantëve shqiptarë atje. Por edhe në Shqipëri çështja ka marrë vëmendje të lartë, vëçanërisht pasi Kryeministri Edi Rama ju kundërpërgjigj zyrtarëve anglezë me gjuhë të ashpër në një intervistë për BBC-në.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img