BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet i “fryjnë zjarrit” të Berishës ndaj ambasadorit britanik

Portalet i “fryjnë zjarrit” të Berishës ndaj ambasadorit britanik

Sulmet e ish-kryeministri Sali Berisha ndaj ambasadorit britanik në Tiranë nuk janë bërë në mënyrë direkte nga ai. “Faktoje verifikoi se bëhet fjalë për një opinion të shkruar nga “Syri.net”, tezat e të cilit janë transformuar nga disa portale.

Ilda Hoxha

Në një artikull që mban datën 9 nëntor, mediat online kanë publikuar një shkrim ku i referohen një deklarate që pretendohet se është bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha tërbohet me ambasadorin britanik, pse mbrojti shqiptarët: Të hetohet, se paguhet nga Veliaj dhe më shpalli ‘non grata’ kot”, shkruan “Gazeta Tema”. E vendosur në vetën e parë, pra si një citim i ish-kryeministrit Berisha, kjo deklaratë ka tërhequr vëmendjen e lexuesve online dhe është ripublikuar gjithashtu nga disa portale të tjera.

Screenshot, lajmi i publikuar nga ‘Gazeta Tema’

Ndërkohë, në brendësi të artikullit, nuk konstatohen citime të drejtpërdrejta të Berishës si dhe në një moment, flitet për akuza të lëshuara nga “portali i familjes Berisha”.

“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej artikullin në fjalë, duke bërë fillimisht një kërkim në Google me fjalë kyçe. Gjatë kërkimit gjetëm që lajmi është publikuar fillimisht nga portali “Syri.net” po në datën 9 nëntor, por në formën e një opinioni. Duhet nënvizuar se ndonëse artikulli i “Syri.net” është një qëndrim personal, shkrimi nuk është shoqëruar me emrin e autorit të tij.

Është e lehtë për të kuptuar se ndryshe nga çfarë shkruhet në titullin e gazetës Tema, në fakt deklarata kundër ambasadorit britanik nuk është bërë direkt nga ish-kryeministri Sali Berisha, por nga Syri.net.

Kërkimi zbuloi gjithashtu se ky artikull është publikuar edhe nga disa portale të tjera, po me të njëjtin titull dhe format, si: “Shqiptarja.com”, “Tellalli.al”, “Ekskluzive.al”. Të gjitha këto portale e kanë marrë lajmin “copy-paste” nga “Tema” dhe nuk kanë bërë asnjë verifikim nëse kemi të bëjmë vërtetë me një deklaratë të Berishës.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img