Propaganda zgjedhore me pensionistët dhe shpërblimi i munguar

1628

Pasi shpërbleu në prag të zgjedhjeve lokale me 5 mijë lekë të gjithë pensionistët, qeveria u premtoi se në shtator do merrnin një tjetër bonus. Verifikimet e Faktoje tregojnë se premtimi për shpërblime në kulmin e fushatës zgjedhore nuk u mbajt. Në shtator pensionet u indeksuan me 8.6%, por asnjë prej 767 mijë pensionistëve nuk e mori bonusin e premtuar prej 5 mijë lekësh. Një shkelje premtimi por edhe shkeljee Kodit Zgjedhor, e konsiderojnë ekspertët premtimin propagandistik gjatë fushatës për zgjedhjet 14 majit.

Esmeralda Topi

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, qeveria shpërbleu me 5 mijë lekë të gjithë pensionistët dhe u premtoi atyre se një tjetër bonus 5 mijë lekësh do t’u shpërndahej në shtator. 

‘Në shtator, përveç indeksimit që do të ndodhi për shkak të inflacionit në pensionin tuaj do të merrni edhe pjesën tjetër të bonusit. Edhe një 5 mijë leksh tjetër shtesë që vjen sërish nga pjesa e dytë e taksimit të jashtëzakonshëm.’, premtoi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët e Dibrës më 20 prill, pak javë para zgjehjeve vendore të 14 majit. 

5 muaj më vonë… 

Verifikimet e Faktoje tregojnë se qeveria e mbajti premtimin për indeksimin e pensioneve në muajin shtator. Me një vendim të datës 28 shtator, qeveria bëri indeksimin e pensioneve në masën 8,6% për mbi 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin. E thënë ndryshe 1,500 lekë më shumë për pensionin mesatar në qytet dhe 890 lekë më shumë për pensionin mesatar në fshat, duke nisur nga data 1 tetor. 

Por shpërblimi i premtuar prej 5 mijë lekësh mungoi dhe pensionistët nuk ngurruan t’ia kujtonin kryeministrit në profilin e tij zyrtar në Facebook. 

‘Po 50 mijë lekëshi i vjetër i Shtatorit që premtuat ku është kryeministër? Ne ishim prehur të merrnim ca ilaçe që s’i gjejmë, por ishte gënjeshtër. Ç’tu themi na ka zënë!’, i shkruante një pensioniste kryeministrit Edi Rama në 1 tetor në postimin që lajmëronte indeksimin e pensioneve.  

Zef Preçi, që drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se premtimi për shpërblim gjatë fushatës elektorale përbën shkelje të Kodit Zgjedhor.

‘Premtimi i këtij bonus-i para zgjedhjeve është një shkelje e rëndë e Kodit Zgjedhor dhe në përgjithesi dëshmi e papërgjeshmërisë në përdorimin e fondeve buxhetore nga qeveria. Kjo, jo se nuk duhen dhënë mbështetje të tilla, por ato në çdo rast janë edhe kontribut i këtyre shtresave (pensionistëve si konsumatorë në rastin tonë) dhe nuk mund të jenë një “dhuratë e partisë qeverisëse” në këmbim të votave të kësaj kategorie sociale. Shtyrja në kohë me sa duket po bëhet jo aq për mungesë të burimeve financiare (inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë sjellë një vit buxhetor “të mirë” edhe pse duke varfëruar konsumatorët), por edhe me qëllimin që propaganda qeveritare ta shesë në publik si një mbeshtetje të posaçme qeveritare në prag të festave të fundivitit që nuk janë larg…’                                                                                                                       

Shpërblimi në fundvit

Premtimi se bonusi prej 5 mijë lekësh do të jepej në shtator, krijoi shpresë tek pensionistët se qeveria mund t’i shpërblente tri herë brenda një viti me nga 5 mijë lekë. Ndaj për të shuar çdo dyshim mbi shpërblimin e premtuar në fushatë elektorale, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave në mesin e muajit shtator.  

‘Në buxhetin e vitit 2023 është parashikuar një fond për shpërblimin e fundvitit për pensionistët. Masa dhe detajet do të bëhen të njohura në kohën e miratimit të VKM.’, iu përgjigj Faktojes Ministria e Financave dhe Ekonomisë më 10 tetor, pas procesit të ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. 

Referuar treguesve fiskalë të buxhetit të vitit 2023, qeveria planifikon të shpërndajë për festat e fundvitit 3,5 miliardë lekë për pensionistët në formë bonusi. 

Tabela e treguesve fiskal (Burimi: Ministria e Financave) 

Përfundim 

Nisur nga verifikimi dhe të dhënat e grumbulluara nga Faktoje, vendosëm që premtimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në lidhje me shpërblimin e pensionistëve në muajin shtator, ta kategorizojmë të Pambajtur. 

Lexoni edhe: