Në interpelancën për ndryshimin e ligjit të zonave të mbrojtura, ministrja për turizmin dhe mjedisin Mirela Kumbaro deklaroi se socialistët ‘kanë prishur mijëra objekte pa leje në zona të mbrojtura në dekadën e fundit’. Verifikimi i Faktoje tregon se në të vërtetë janë shembur vetëm 69 objekte ilegale brenda këtyre zonave – jo mijëra siç pretendon Kumbaro. 

Esmeralda Topi

Pasi parlamenti miratoi në një seancë 7 minutëshe ndryshimet ligjore që lejojnë ndërtimin brenda zonave të mbrojtura, ministrja për turizmin dhe mjedisin Mirela Kumbaro u thirr në një interpelancë nga deputetja demokrate Ina Zhupa. 

Betonizimi i zonave të mbrojtura u denoncua nga opozita, shoqatat e mjedisit dhe shoqëria civile, si dhe shqetësoi ndërkombëtarët. Në mbrojtje Kumbaro u kthye pas në kohë për të treguar ndryshimin e qeverisjes aktuale nga ajo e shkuar. Si shembull ajo solli moratoriumin e lejeve zhvillimore në zonat e mbrojtura dhe shembjen e ndërtimeve pa leje në këto territore. 

“Në zona të ndryshme me status mbrojtjeje, qoftë natyrore apo kulturore deri në vitin 2014 janë ndërtuar e është bërë batërdia me objekte ilegale pa asnjë kriter. Çka na detyroi atë vit, të vendosnim moratoriumin për leje zhvillimi në të gjitha zonat e mbrojtura natyrore dhe kulturore…”deklaroi Kumbaro duke shtuar se aksioni i qeverisë socialiste solli “më pas prishjen e mijëra ndërtesave të paligjshme anë e mbanë vendit…”

Verifikim

Në Shqipëri, gjatë tranzicionit ndërtimet nuk kursyen as territoret e mbrojtura. Brenda këtyre zonave pati ndërtime pa leje, që sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura janë identifikuar nga institucionet përgjegjëse dhe janë raportuar pranë organeve ligjzbatuese (IKMT dhe Policia e Shtetit).

Nga të dhënat e siguruara nga Faktoje rezulton se nga viti 2014 e deri në fillim të këtij viti janë shembur 69 objekte pa leje në zonat e mbrojtura, jo mijëra sikurse propogandoi Kumbaro.

Kjo ‘ruajtje’ e zonave të mbrojtura gjithsesi zbaton standarte të dyfishta, sipas ekspertëve.

“Është paradoksale që ministrja krenohet për shembje objektesh pa leje, në një kohë kur aeroporti i Vlores filloi të ndërtohet në paligjshmëri të plotë dhe në brendësi të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë duke shkelur me të dy këmbët dhe konventat ndërkombëtare që e mbronin këtë zonë.”, thotë Aleksandër Trajçe – drejtuesi i PPNEA, të parës organizatë mjedisore në Shqipëri.

Sipas tij ligji është shkelur me të dy këmbët kur kjo ka qenë në interes të pushtetit. 

“Për investime madhore si aeroporti apo resortet në Nartë, Divjakë apo Sazan nuk pyetet për ligjin për zonat e mbrojtura, madje shkohet deri aty sa të ndryshohet kufiri apo dhe vetë ligji i zonave të mbrojtura që t’i hapet rrugë këtyre ndërtimeve. Ndërkohë që nga ana tjetër propagandohet prishja e koteceve apo shtesave të ndonjë godine apo muri që mund të kenë bërë banorët e këtyre zonave nga nevoja.”, argumenton Trajçe. 

Ku u shembën ndërtimet pa leje?

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, numrin më të lartë të ndërtimeve ilegale të shembura e mban qarku i Korçës me 28 objekte të shembura përgjatë vijës liqenore në Pogradec.

Më pas vjen Shkodra me 16 objekte të shembura pranë lumit Buna në Velipojë dhe Vlora me 7 objekte të shembura brenda zonës së mbrojtur të Pishë-Poros, Nartë, 4 objekte të shembura në Kanionin e Gjipesë, 2 në Parkun Kombëtar të Butrinitit dhe 1 në Karaburun.

Objekte të shembura ka pasur edhe në Durrës dhe Lezhë. [shih grafikun më poshtë]

Përfundim 

Nisur nga informacionet zyrtare, deklaratën e ministres Kumbaro se janë shembur mijëra objekte pa leje brenda zonave të mbrojtura, e kategorizojmë të pavërtetë.