Pretendimi: Në SHBA u miratua një ligj që lejon kompanitë e ushqimit të mos etiketojnë në renditjen e përbërësve të ushqimeve insektet.

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————

Një artikull i portalit mast.al lajmëron se “ligji i ri në ShBA për etiketat e ushqimeve […] lejon kompanitë e ushqimit të mos etiketojnë ne renditjen e përbërësve, insektet në ushqime” 

Në brendinë e tij, artikulli i referohet projektligjit SF 4225, i cili u miratua më 4 prill nga Senati i shtetit amerikan të Minesotës me 58 vota pro dhe 9 vota kundër.

Projektligji i propozuar nga senatori i shtetit Aric Putnam adreson një numër shqetësimesh të sektorit bujqësor, përfshi ndryshime të një fondi dëmshpërblimi për grurin dhe themelimin e një portali për raportimin e shkeljeve të ligjeve që kufizojnë pronësinë e tokës nga korporatat.

Projektligji tani kalon për miratim në dhomën tjetër legjislative të Minesotës, ku do t’i nënshtrohet këqyrjes dhe diskutimeve të mëtejshme.

Përpara se projektligji të miratohej në Senat, senatori i shtetit Toerry Westrom propozoi një amendament që parashikonte etiketimin e ushqimeve që përmbajnë produkte insektesh ose produkte me prejardhje “kulturash qelizore”, si mishi i rritur në laborator.

Propozuesi i ligjit, Putnam, megjithëse ishte dakord se “konsumatorët duhet ta dinë çfarë po konsumojnë,” e kundërshtoi amendamentin duke e përshkruar çështjen në fjalë si një “problem i të ardhmes”. “Të gjithë duan që konsumatorët të jenë të vetëdijshëm për ushqimin që po hanë, por disa nga ne duan ta bëjnë këtë në mënyrë të mirëmenduar,” tha Putnam.

Në fund, amendamenti i Westrom nuk u miratua, me 34 vota kundër dhe 33 vota pro.

Westrom e ka propozuar përmbajtjen e amendamentit edhe si një projektligj më vete. Putnam është bashkë-propozues i këtij projektligji, i cili iu nënshtrua një dëgjese në Komisionin e Bujqësisë në Mars 2024.

“Një gjë që doli nga ky diskutim është se për momentin ka vetëm një hapësirë në të gjithë vendin që shet mish nga kulturat qelizore dhe ajo ishte një restorant në San Francisco që ka ndaluar tanimë së shituri këtë produkt,” tha Putnam.

Si përfundim, nuk kemi të bëjmë me një ligj për etiketat e ushqimeve në ShBA që lejon mospërfshirjen e insekteve si përbërës në ushqime, siç alarmon artikulli. Kemi të bëjmë me rrëzimin e një amendamenti për një projektligj lidhur me bujqësinë në Minnesota, i cili ende nuk është miratuar.