Sot në Tiranë do të zhvillohet takimi i rradhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
Takimi i nivelit të lartë sjell zyrtarë të institucioneve të Bashkimit Europian, vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, si dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo është hera e parë prej fillimit të kësaj nisme në vitin 2014 që samiti i Procesit të Berlinit organizohet në një vend jo anëtar të Bashkimit Europian.
Çfarë është Procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit është një nismë për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit – Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Sllovenia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar (deri në 2020-ën).
Nisma nisi në vitin 2014 me iniciativë të kancelares gjermane Angela Merkel në një kohë kur Bashkimi Evropian po përballej me sfida të shumta dhe zgjerimi i tij ishte lënë pezull. Procesi i Berlinit filloi për të ruajtur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur reformat në vazhdim dhe për të çuar përpara bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka anuluar vizitën e tij për Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, duke njoftuar se do të mbërrijë në kryeqytet pasditen e së hënës vonë. Macron shtyu mbërritjen në Tiranë, si pasojë e sulmit terrorist në Arras.
Qëllimet
Deklarata e Kryesisë Gjermane e vitit 2014 synoi të konkretizojë progres në katër drejtime:
- Zgjidhja e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme mes vendeve të Ballkanit Perëndimor
- Arritja e paqes brenda dhe ndërmjet shoqërive në rajon
- Rritja e bashkëpunimit ekonomik rajonal
- Hedhja e bazave për rritje të qëndrueshme
Samitet e përvitshme të organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit dhe takimet e shumta që organizohen në nivele të ndryshme përfaqësimi kanë përforcuar bashkëveprimin mes BE-së dhe politikanëve të nivelit të lartë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim fokusin tek sfidat e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor por edhe mbajtjen e këtij rajoni në axhendën e shteteve dhe institucioneve të BE-së.
Si funksionon?
Procesi ka një strukturë fleksibël, pa mekanizëm qendror koordinues. Çdo vit organizohen samitet vjetore, për të cilat vendi pritës vendos axhendën dhe ndjek samitin e vitit të kaluar. Procesi vijon gjatë vitit përmes një sërë takimesh si samitet e Ballkanit Perëndimor, takimet në nivel qeveritar dhe takime përgatitore të shoqërisë civile.
Nga viti 2014 e derimë tani janë organizuar 7 Samite të Procesit të Berlinit, me këtë të Tiranës që shënon takimin e 8-të të këtij niveli.
- Berlin (2014)
- Vienna (2015)
- Paris (2016)
- Trieste (2017)
- London (2018)
- Poznan (2019)
- Sofia (online) (2021)
- Tiranë (2023)
Rëndësia
Ky Samit i Procesit të Berlinit vjen në një moment mjaft të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor sa i përket marrëdhënieve mes vendeve pjesëmarrëse. Takimi vjen vetëm 3 javë pas sulmit terrorist të organizuar nga serbët në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë së Kosovës.
Pikërisht ky sulm terrorist dhe pozicionimi i Kosovës dhe Serbisë në zgjidhjen e këtij problemi pritet të jenë temë e diskutimeve mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit është i vetmi forum ndërkombëtar që bën bashkë përfaqësues të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për të faktorizuar lëvizjen “Open Balkan” si një forum rajonal ku Serbia dhe Kosova mund të uleshin në një tryezë bisedash për bashkëpunim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar vazhdimisht bërjen pjesë të Kosovës në Ballkanin e Hapur, me argumentin se ajo nismë ishte një dublikim i Procesit të Berlinit. Në fakt, kryeministri Rama njoftoi mbylljen e Open Balkan në Korrik të këtij viti duke theksuar fokusin e Shqipërisë në Procesin e Berlinit.
Gjatë takimit të 16 Tetorit në Tiranë, vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina do të nënshkruajnë një marrëveshje rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.