Problemet shëndetësore që shfaqi një zyrtare daneze e shëndetësisë gjatë një konference për shtyp në prill të 2021, nuk kanë lidhje me vaksinimin kundër Covid-19. Video po bën xhiron e rrjetit nga grupimet antivaksinë që keqpërdorin problemet shëndetësore të personave publikë për të argumentuar rezistencën e tyre ndaj fushatave vaksinuese.
Një nga zyrtaret më të larta të shëndetit publik në Danimarkë, Tanja Erichsen, humbi ndjenjat gjatë një konference për shtyp më 14 prill të 2021, teksa po diskutohej vendimi për të ndërprerë përdorimin e vaksinës AstraZeneca në Danimarkë.
Pamjet e konferencës ku Erichsen u shemb në tokë bënë xhiron e rrjetit në atë kohë, teksa incidenti mori vëmendje të lartë në mediat ndërkombëtare.
Edhe pse problemet e saj shëndetësore nuk kishin lidhje me vaksinën, pasi ajo ende nuk ishte vaksinuar kundër Covid-19, sërish nuk munguan keqinterpretimet në rrjete sociale. Përkrahësit e anti-vaksinave pretenduan se Erichsen humbi ndjenjat si rezultat i goditjes nga vaksina Astrazeneca.
Ndonëse ka kaluar thuajse dy vite, pamjet janë shpërndarë sërish në rrjetin social Facebook nga një profil shqiptar.
“Ndryshimet klimatike e kanë fajin. Gjilpëra me helm nuk ka asnjë faj.”- shkruan ky përdorues, duke marrë dhjetra reagime nga ndjekësit.
Menjëherë pas humbjes së ndjenjave të zyrtares së lartë daneze në fushën e shëndetësisë, Tanja Erichsen, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shëndetësor Danez, Soeren Brostroem u tha gazetarëve në konferencë se ajo ishte mirë. Ai sqaroi se humbja e ndjenjave erdhi si pasojë e mbingarkesës në punë dhe orëve të gjata të qëndrimit.
Ndërkohë, kolegët tanë të AP kanë kontaktuar në atë kohë edhe me një zëdhënës të Agjencisë Daneze të Barnave, Kim Voigt Østrøm, i cili ju ka pohuar se zyrtarja nuk ishte vaksinuar kundër COVID-19, sikurse pretendohej në internet.
Edhe vetë Erichsen ka reaguar për incidentin në fjalë. Në profilin e saj në Twitter ajo ka shkruar se ndihej mirë teksa falënderonte të gjithë ata që ishin shqetësuar për shëndetin e saj.
Fushatat e vaksinimit kunder Covid-19 në Danimarkë janë mbështetur kryesisht në vaksinat e bëra nga Pfizer dhe Moderna. Autoritetet vendosën të ndërpresin vaksinimin e popullatës daneze me Astrazeneca pas raportimeve për rastet e mpiksjes së gjakut në disa prej personave.