Pretendimi: Presidenti brazilian u shpall ‘non grata’ nga Izraeli, pasi lëshoi fyerje ndaj Holokaustit
Rate: Mungon konteksti
Presidenti brazilian u shpall ‘non grata’ nga Izraeli, jo se lëshoi fyerja ndaj Holokaustit, por krahasoi situatën në Gaza me masakrën që nazistët bënë ndaj hebrenjve. Verifikimet tregojnë se mediat pro izraelite në vendin tonë kanë keqinterpretuar deklarimin e Da Silva.
Artikuj të shpërndarë në mediat online shkruajnë se Izraeli shpalli ‘non grata’ presidentin e Brazilit. Luiz Inácio Lula da Silva, pasi ky i fundit kishte fyer Holokaustin.
“Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall ‘non grata’ presidentin e Brazilit”- shkruan portali “Izraeli Sot”.
Artikujt e shpërndarë në mediat online
Më tej, në këtë artikull thuhet se shkak për këtë vendim është bërë krahasimi që presidenti i Brazilit bëri mes operacionit ushtarak të vendit në Rripin e Gazës, me vrasjen masive të hebrenjve evropianë të urdhëruar nga diktatori nazist, Adolf Hitler.
Pra, nuk përmendet në asnjë moment që da Silva ka lëshuar fyerje në drejtim të Holokaustit, por thjesht ka bërë një krahasim me gjendjen aktuale në Rripin e Gazës.
Në titullin e saj “The Times of Israel”, ndryshe nga portali “Izraeli Sot” shkruan se presidenti Lula është shpallur ‘non grata’ për krahasimin e luftës në Gaza me Holokaustin.
Në fjalën e tij, presidenti brazilian u shpreh: “Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës me popullin palestinez nuk ka ndodhur në asnjë moment tjetër në histori. Në fakt ka ndodhur, kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë.”
Në muajin shkurt të këtij viti, ministri i jashtëm i Izraelit, Israel Katz shpalli ‘non grata’ presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, pasi ky i fundit krahasoi numrin e të vdekurve në ofensivën ajrore dhe tokësore në Gaza me Holokaustin.
Më pas, në një reagim për mediat në Brazil, da Silva sqaroi se ai nuk e kishte përdorur fjalën “holokaust” në komentet e tij mbi Izraelin.
“Së pari, unë nuk e thashë fjalën holokaust, ky ishte interpretimi i kryeministrit të Izraelit, nuk ishte i imi”, tha presidenti.
Lula gjithashtu pohoi se beson se Izraeli është fajtor për kryerjen e gjenocidit kundër civilëve të Gazës.
Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, mund të lëshojë urdhër-arreste ndërkombëtare për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yoav Galant dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm izraelit, Herzi Halevi.