Presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka konfirmuar se ekipi i tij po pengon kandidimin e Donald Trump si President. Komentet e Biden, të bëra në vitin 2022, lidheshin me shqetësimet ndërkombëtare për demokracinë amerikane, jo me betejat ligjore të Trump.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale flasin për një “komplot” të Joe Biden me Departamentin e Drejtësisë për të penguar Donald Trump që të bëhet sërish president.
“Joe Biden pranoi se kishte bashkëpunuar me Departamentin e Drejtësisë, për të parandaluar që Trump të bëhej sërish POTUS…”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
“Ne duhet vetëm të demostrojmë se ai nuk do të marrë pushtetin nëse kandidon, duke u siguruar që sipas përpjekjeve ‘legjitime’ të Kushtetutës ai të mos bëhet përsëri president i ardhshëm”, thuhet më tej në këtë postim të shpërndarë, duke cituar Presidentin Biden në fjalën e tij.
Në nëntor të vitit 2022, Joe Biden mbajti një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe kjo pjesë është shkëputur pikërisht nga ky fjalim.
Një vit pas kësaj konference, në rrjetet sociale po qarkullon një video, që po përdoret për të mbështetur ish-presidentin Donald Trump dhe pretendimet e tij se akuzat penale kundër tij në Nju Jork janë të orkestruara nga demokratët kryesorë.
Kjo video është ndarë nga Donald Trump me 5 milionë ndjekësit edhe në rrjetin e tij social, duke u bërë më pas virale në rrjet.
Por, çfarë tregon video origjinale?
Kryekorrespondenti i CNN, i cili mbulon çështjet e Shtëpisë së Bardhë, Phil Mattingly, i bëri Biden një sërë pyetjesh, ku përqëndrohej në mënyrën se si liderët botërorë duhet ta shohin potencialin e Trump që do kandidojë përsëri për postin e Presidentit.
Në përgjigjen e tij, Biden iu referua takimit të tij të parë të vendeve të G7, ku mori pjesë pas emërimit si president, ku u tha liderëve botërorë: “Amerika u rikthye”.
Më tej Biden shtoi: “Njëri prej tyre u kthye nga unë dhe më tha: ‘Për sa kohë”, duke shpjeguar se liderët e tjerë kishin shprehur shqetësimin për sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol Hill, ku u mblodhën mbështetësit e Trump për të ndaluar certifikimin e fitores presidenciale të Biden.
“Ata duan të dinë: A janë Shtetet e Bashkuara të qëndrueshme”, tha Presidenti amerikan.
Pasi Biden iu përgjigj disa pyetjeve, gazetari i CNN vazhdoi duke pyetur për të ardhmen e Trump: “E gjithë gjeneza e asaj bisede të G7 ishte e lidhur me paraardhësin tuaj, i cili do të nisë një fushatë tjetër. Pra, si t’i qetësoni ata, nëse kjo është arsyeja e pyetjes së tyre, se ish-presidenti nuk do të kthehet ose se lëvizja e tij politike, e cila është ende shumë e fortë, nuk do të marrë përsëri pushtetin në Shtetet e Bashkuara?”
Për këtë pyetje, Biden u përgjigj: “Epo, ne vetëm duhet të tregojmë se ai nuk do të marrë pushtetin nëse ai kandidon. Po sigurohem që ai, nën përpjekjet legjitime të Kushtetutës sonë, të mos bëhet më President”.
Dhe këto dy fjalitë e fundit nga Biden janë e vetmja pjesë e përgjigjes së tij që është përfshirë në klipin që po qarkullon në mediat sociale.
Pra, video nuk tregon se Biden konfirmoi se ekipi I tij po përpiqet të pengojë garimin e Trump për president, por është thjesht përgjigjia e tij për gazetarin, referuar pikëpamjeve ndërkombëtare për të ardhmen politike të ish-presidentit, Donald Trump.
Këto pretendime që qarkulluan online janë verifikuar edhe nga kolegët e Factcheck.org.