Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden është aq i moshuar se nuk e ka vënë re që ka vënë një kapele me emrin e kundërshtarit të tij politik Donald Trump
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Një foto e presidentit amerikan Joe Biden me një kapele që shkruan “Trump 2024” po qarkullon në rrjete sociale si dëshmi e gafës së rradhës së tij për shkak të moshës.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është shkrepur në Shanksville, Pennsylvania në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.
Ndërsa ishte në Shanksville, Biden vizitoi stacionin vendas të zjarrfikësve. Gjatë vizitës Biden shfaqet duke folur me një burrë me një kapele të Trump.
Biden, i cili hoqi dorë nga rikandidimi për president dhe mbështeti kandidaturën e zv. presidentes Kamala Harris, i ofroi burrit një kapele me logon presidenciale në këmbim të kapeles së Trump.
Mbështetësi i Trump e pyet Biden nëse do t’i firmoste kapelen. Biden pranon dhe burri e tall duke i thënë: “A e mbani mend emrin tuaj?” Presidenti përgjigjet me shaka se “nuk e mban mend emrin” sepse është “i ngadaltë”, gjë që shkakton të qeshura në turmë.
Biden më pas u tall se i duhej kapelja Trump e burrit dhe ky i fundit i kërkoi që ta vendoste në kokë. Pasi tha fillimisht “Nuk po shkoj aq larg”, Biden përfundimisht e vuri kapelen me Trump, duke fituar duartrokitje nga turma dhe mbështetësi i Trump. “Jam krenar për ju tani,” tha mbështetësi i Trump.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andreë Bates e përshkroi këtë veprim si një gjest uniteti. Bates tha: “Në Stacionin e Zjarrfikësve në Shanksville, [presidenti] foli për unitetin dypartiak të vendit pas 11 shtatorit dhe tha se duhej t’i riktheheshim atij. Si një gjest domethënës, ai i dha një kapelë një mbështetësi të Trump, i cili më pas tha se në të njëjtën frymë, [presidenti] duhet të vinte kapelën e tij me Trump. Ai e vuri për një kohë të shkurtër.”
Gjatë së njejtës vizitë, Biden këshilloi me shaka turmën e mbledhur “të mos hanin qen dhe mace” duke iu referuar pretendimit të Trump se emigrantë nga Haiti “po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve” në Springfield, Ohio.