.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPremtimi për zgjerimin emergjent të rrugës së spitalit në Krujë, i pambajtur

Premtimi për zgjerimin emergjent të rrugës së spitalit në Krujë, i pambajtur

Zgjerimi i rrugës së spitalit në Krujë nuk është bërë ende, ndonëse tre vite më parë  u cilësua si emergjent nga kryetari i Bashkisë, Artur Bushi. Faktoje konstatoi gjatë verifikimit në terren se banorët nuk ishin në dijeni për një projekt të tillë, ndërkohë që parkimi i makinave në anë të rrugës, e vështirëson edhe më shumë kalimin për automjetet e tjera.

Tre vite më parë, kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi deklaroi:

“Zgjerimi i rrugës së spitalit në Krujë është emergjent”.

Lidhur me këtë premtim të zotit Bushi, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Krujës, ku ndër të tjera e pyetëm nëse ishte bërë zgjerimi i këtij segmenti rrugor.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Krujë, 22 nëntor 2022

Ende nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë, edhe pas ankimimit të bërë te zyra e Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Faktoje ishte në qytetin e Krujës më 12 dhjetor, për të parë nga afër si kishin ecur punimet për zgjerimin e rrugës së spitalit. Nga verifikimi në terren dhe komunikimit me banorët, na u bë e ditur se nuk ishte bërë zgjerim i saj, madje qytetarët nuk ishin në dijeni për një projekt të tillë.

Rruga e Spitalit, 12 dhjetor 2022

“Këtu parkojnë njerëzit në anë të rrugës dhe bëhet problem kalimi për urgjencat. Nuk kemi parkingje, prandaj krijohet ngarkesë në këtë rrugë”, thotë një banore e zonës.

Rruga e Spitalit, 12 dhjetor 2022

Një tjetër qytetar, i cili kishte një biznes në këtë rrugë thekson se nuk janë në dijeni për këtë projekt, duke shtuar se është i vështirë zgjerimi, pasi në të dy anët e rrugës ka banesa private dhe pallate.

“Nuk kemi dëgjuar që do bëhet zgjerimi i rrugës. Pastaj vështirë shumë të bëhet, këtu ka shumë shtëpi që do preken, nuk besoj se bëhet”, thotë ai.

Rruga e Spitalit, 12 dhjetor 2022

Një qytetare tregon se gjatë periudhës së pandemisë, kjo rrugë bllokohej në mënyrë të vazhdueshme për shkak të fluksit të pacientëve të prekur nga covid 19.

“Tani nuk është se bllokohet shumë, në mëngjes ndonjëherë. Gjatë Covid-it ishte plot këtu, sepse vinin shumë njerëz te spitali. Po tani, çfarë spitali është. Ndonjë vizitë të thjeshtë bëjmë, ose operacion apandesiti dhe dhjamthi, se për të tjerat i çojnë në Tiranë”, shprehet 50-vjeçarja.

Rruga e Spitalit, 12 dhjetor 2022

Drejtuesi i një automjeti shprehet se është i nevojshëm zgjerimi, pasi kjo është rrugë njëkalimshme.

Verifikimi tregoi se zgjerimi i rrugës së spitalit, me një gjatësi rreth 1 kilometër, jo vetëm që nuk ishte bërë, por as nuk kishte shenja për realizimin e një projekti të tillë, të cilin tre vite më parë, kryebashkiaku e konsideronte emergjent. Për këtë arsye, premtimin në fjalë do ta kategorizojmë të pambajtur.

* “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img