Bashkia e Durrësit nuk ka nisur ende me rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, edhe pse u premtua nga kryebashkiakja, Emiriana Sako gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023. Faktoje.al verifikoi vetë në terren se nuk ka nisur asnjë punim. Ndërsa Bashkia e Durrësit thotë se deri më tani ka në dorë projektin e realizuar, por nuk jep një ditë se kur mund të nisë rikonstruksioni.
Më 19 prill të vitit 2023, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako premtoi rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
“Do vazhdojmë me rikonstruksionin e ‘Pallatit të Sportit”-deklaroi Sako gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të një viti më parë.
Ndërsa në programin e saj, kryebashkiakja Sako publikonte edhe pamje si do dukej Pallati i ri i Sportit.
“Rikonstruksioni i godinës së Pallatit të Sportit ‘Ramazan Njala’, synon: – Të rehabilitojë godinën si nga ana fizike ashtu edhe nga ana arkitektonike; – Të ofrojë kushte më të mira për stërvitjen e sportistëve pjesë e klubit shumësportësh ‘KS Teuta’ Durrës, punonjësve apo profesionistë të tjerë që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë; – Të nxisë zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sportive (pra jo vetëm ndeshje basketbolli apo volejbolli), por edhe të aktiviteteve të tjera për qytetin e Durrësit; – Të ofrojë një shërbim sa më cilësor për të gjithë qytetarët që frekuentojnë Pallatin e Sportit”, përcaktohej në program.
Fakt
Verifikimi i Faktoje.al në terren konfirmoi se sportistët kryenin stërvitje në ambientet ekzistuese të Pallatit të Sportit.
“Godina është e vjetër, ka edhe probleme sigurisht, por djemtë aty po stërviten. Nuk kanë mjedis tjetër për momentin dhe as nuk kemi informacion kur do nisë rikonstruksioni”, thanë për Faktoje.al përfaqësuesë të Pallatit të Sportit.
Të dhënat e “Open Procurement” tregojnë se në maj të vitit 2022, Bashkia e Durrësit hapi garën për projektin e rikonstruksionit të pallatit të sportit “Ramazan Njala”. Mirëpo, edhe pas dy vitesh nuk kemi asnjë zhvillim në lidhje me zbatimin e këtij projekti.
Nuk ka ende një datë për nisjen e punimeve
Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Ky institucion bëri të ditur zyrtarisht se aktualisht ka në duar vetëm projektin.
“Në lidhje me rikonstruksionin e Pallatit të Sportit ju informojmë që ka një projekt të realizuar nga një studio projektuese por punimet ende nuk kanë filluar. Vlera sipas projektit që disponon bashkia është 815,310,945.6 lekë, totali me TVSH + pajisje”, sqaron Bashkia e Durrësit.
Më tej, Bashkia thekson se do të bëhet një ndërhyrje rrënjësore me qëllim funksionimin komod të aktiviteteve sportive që zhvillohen në këtë objekt.
“Nëpërmjet këtij projekti synohet rikonstruksioni i plotë sipas të gjitha standarteve të përcaktuar nga Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sporteve si dhe standardeve ndërkombëtare, e cila është kthyer në një arenë e shumësporteve dhe shërben për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, edhe të aktivitete të tjera për qytetin e Durrësit. Do të bëhet nje ndërhyrje rrënjësore në të gjithë elementet përbërës të saj, me qëllim funksionimin komod të aktiviteteve sportive që zhvillohen në këtë objekt. Të gjitha ndërhyrjet që propozohen, kanë si qëllim krijimin e hapësirave të nevojshme për funksionimin e çdo ambienti, duke marrë në konsideratë nevojat”, thekson Bashkia e Durrëst.
Mirëpo, institucioni nuk ka një datë për nisjen e punimeve, por thotë vetëm se “nëse fillon zbatimi i projektit parashikohet që punimet të mbyllen brenda 1 viti”.
Nisur nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimi në terren, premtimin për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.