.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPremtimi për këndet e lojërave në Elbasan, nis ndryshimi pas artikullit të Faktoje

Premtimi për këndet e lojërave në Elbasan, nis ndryshimi pas artikullit të Faktoje

Në dhjetor 2020 Faktoje verifikoi në terren dhe përmes kërkesave zyrtare për informacion, se një pjesë e këndeve të lojërave në Elbasan ishin ende të dëmtuara, edhe pse në fushatën e 2019-s, kryetari aktual i bashkisë  kishte premtuar shtimin dhe rehabilitimin e tyre. Thuajse një muaj nga publikimi i artikullit, në Elbasan konstatuam se ka nisur puna, të paktën për rehabilitimin në dy kënde lojërash në territorin e kësaj bashkie, ndërkohë që për këtë mandat është premtuar se do të shtohen edhe hapësirat e gjelbërta.


Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të qershorit 2019, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Elbasan, zoti Gledian Llatja, premtoi shtimin dhe riparimin e hapësirave të gjelbra dhe këndet e lojërave, si një nga sfidat e Rilindjes Urbane për 4 vitet e ardhshme. Në dhjetor të vitit 2020, Faktoje konstatoi se ky premtim ende nuk ishte mbajtur gjatë më shumë se një viti punë si kryetar i bashkisë.

Ne u rikthyem në shkurt të këtij vitit në Elbasan dhe konstatuam se në dy prej këndeve të lojërave që kishim verifikuar, situata kishte nisur të ndryshonte.

Këndi i lojërave në sheshin përpara bashkisë, 11 shkurt 2021, foto: Bardha Nergjoni

Në sheshin kryesor përpara bashkisë janë hequr lodrat e dëmtuara dhe janë zëvendësuar me lodra të reja dhe më cilësore.

Këndi i lojërave në sheshin përpara bashkisë, 11 shkurt 2021, foto: Bardha Nergjoni

Investimi është cilësuar i rëndësishëm nga banorët e Elbasanit, pasi aty mblidhen shumë fëmijë për të kaluar kohën e lirë.

Në sheshin tjetër, lodrat e dëmtuara janë hequr plotësisht dhe aktualisht sheshi është lënë bosh.

Këndi i lojërave në sheshin përpara pallatit të sportit, 11 shkurt 2021, foto: Bardha Nergjoni

Këndi i lojërave në sheshin përpara pallatit të sportit, 11 shkurt 2021, foto: Bardha Nergjoni

Ndryshimi, sado i vogël vjen më pak se një muaj nga publikimi i shkrimit të Faktoje, në një vit kur buxheti për shërbimet rekreative është më i ulët se ai i vitit 2020. Në vitin paraardhës, referuar përgjigjes zyrtare të Bashkisë Elbasan ndaj kërkesës për informacion që Faktoje dërgoi, nuk ishte bërë asnjë kënd i ri lojërash.

Në buxhetin afatmesëm të Bashkisë Elbasan, ku janë listuar programet dhe shpenzimet për vitet 2019-2021, buxheti në totalin e tij ka ardhur në rritje, ndërsa programi për shërbimet rekreative dhe sportive ka ndjekur një trajektore të kundërt. Ndërsa ky program ka njohur një rritje minimale nga viti 2019 në vitin 2020 me më pak se 2 milionë lekë, nga viti 2020 në vitin 2021 është ulur ndjeshëm, me rreth 40 milionë lekë.

Verifikimi i premtimeve për bashkinë e Elbasanit, u bë në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë”, një proces që Faktoje po kryen në 10 bashki të vendit. Më herët edhe në Bashkinë Lezhë konstatuam se pas publikimit të lajmit për një premtim mbi zgjidhjen e problemit me energjinë elektrike, për shkak të shtyllave të amortizuara, nisi puna për zëvendësimin e tyre, më pak se një muaj nga publikimi i artikullit në Faktoje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img