Bashkia e Kavajës ende nuk e jep bonusin mujor prej 5 mijë lekësh për bebet e sapolindura, një premtim i bërë nga Fisnik Qosja gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit. Edhe pse ky premtim ishte pjesë e angazhimeve të fushatës, deri më tani asnjë nga familjet që kanë sjellë në jetë një fëmijë nuk ka e marrë bonusin mujor. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje.al edhe nga Bashkia e Kavajës.
“Do të ofrojmë bonuse mujore në vlerën 50 mijë lekë në muaj për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë në vitin e parë të jetës”, premtoi Qosja më 23 shkurt 2023, në një intervistë për Panorama, duke shtuar se kjo do të realizohej brenda 6-mujorit të parë në krye të këtij institucioni.
Edhe më 10 mars 2023, ai e përsëriti premtimin: “Do japim bonuse mujore në vlerën 5000 ALL (5 mijë lekë të reja në muaj) për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë, në vitin e parë të jetës”.
Kur ka kaluar rreth 1 vit e gjysmë nga ky zotim i kryebashkiakut Qosja, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës. Zyrtarisht institucioni sqaron se nuk jepen bonuse mujore prej 5 mijë lekësh për lindjet e reja.
“Bashkia nuk jep më bonuse”, është kjo përgjigjia e shkurtër nga Bashkia Kavajë.
Faktoje.al pyeti edhe pranë Gjendjes Civile nëse kishin informacione në lidhje me këtë bonus, por konfirmuan se nuk kishin dijeni për dhënien e tyre. Ndërkohë mësuam se në 10 muajt e vitit 2024 janë regjistruar 102 lindje në Bashkinë Kavajë.
“Lindje të mbajtura në Bashkinë Kavajë nga janari i vitit 2024 deri në tetor të 2024 janë në total 102 lindje”, bën të ditur Gjendja Civile Kavajë.
Jonida është nënë e një djali 9 muajsh, por thotë që nuk ka dëgjuar dhe as nuk ka marrë bonus për beben e saj.
“Djalin e kam lindur në maternitet në Tiranë, por është i regjistruar këtu në Kavajë. Nuk na kanë dhënë bonus, nuk di gjë. Kam marrë vetëm çekun e lindjes së bebit, 400 mijë lekshin (të vjetra)”-tregon ajo.
Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që premtimin për dhënien e bonusit për lindjet e reja ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.