Dhjetëra familje të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Lezhë nuk kanë marrë ende në dorëzim apartamentet e reja, sikurse u ishte premtuar nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu në kuadër të procesit të rindërtimit thujase tre vite më parë. Edhe pse ka më shumë se një vit i shembur, rindërtimi i një pallati në rrugën “Luigj Gurakuqi” ende nuk ka nisur. Po ashtu, Bashkia ka shkelur edhe afatet për riforcimin e pallatit tjetër që ndodhej ngjitur me objektin e shembur.
Esmeralda Topi
Gjatë një mbledhjeje të këshillit bashkiak në Lezhë më 5 shkurt të 2020 me fokus rindërtimin, Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu premtoi ndër të tjera rindërtimin e një pallati në rrugën “Luigj Gurakuqi”, pranë lagjes Besëlidhja.
Por ndonëse kanë kaluar thuajse tre vite nga ky premtim, një verfikim i Faktoje në terren zbuloi se puna për rindërtimin e pallatit të shembur ende nuk ka nisur.
Hapësira e pallatit të shembur në lagjen “Besëlidhja” Lezhë, 9 nëntor 2022
Faktoje ishte në Lezhë më 9 nëntor dhe bisedoi nga afër me disa banorë të zonës.
“Vetëm ky ka mbetur pa u bërë në të gjithë Lezhën. Nuk dimë asnjë arsye konkrete, veç na thonë së shpejti së shpejti…” – tregon për Faktoje një banore e pallatit, duke shtuar se familjet e mbetura të pastreha nga shembja e këtij objekti marrin bonusin e qirasë dhe jetojnë në apartamente me qira.
“Ne marrim bonus dhe jemi me qira, por se kur do të bëhët pallati s’e dimë. Bashkia thotë se ka bërë kontratën me një fondacion, por s’e dimë se ku ka ngecur puna.” – thotë një tjetër banore që nuk pranon të citohet as me iniciale.
Më 20 shtator, ne iu drejtuam Bashkisë së Lezhës me një kërkesë për informacion në lidhje me ecurinë e rindërtimit të këtij pallati, përgjigjen e të cilës e morëm pas procesit të ankimimit në zyrën e komisionerit për të drejtën e informimit.
Më 13 tetor, Bashkia e Lezhës sqaron se rindërtimi i pallatit të shembur në lagjen “Besëlidhja” do të bëhet me donacion nga Fondacioni Firdeus, në bazë të një akt-marrëveshjeje. Por nuk jep asnjë informacion se përse nuk ka nisur puna për rindërtimin e këtij objekti, duke u mjaftuar me faktin që financuesi është donatori në fjalë dhe jo vetë institucioni.
Por ndërkaq, ngjitur me objektin e shembur në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ndodhet gjysma e një pallati tjetër të dëmtuar nga tërmeti që sipas Bashkisë së Lezhës është rekomanduar të riforcohet nga Instituti i Ndërtimit që në dhjetor të 2020-s. Nga verfikimi ynë në terren rezulton se as puna për riforcimin e këtij objekti nuk ka nisur, ndonëse punimet sipas tenderit të Bashkisë duhet të kishin filluar në 5 maj të 2021.
Sipas afateve të bëra publike në tabelë, ndërhyrja përforcuese e pallatit duhet të kishte përfunduar në muajin maj të këtij viti. Por edhe pse është direkt përgjegjëse për këtë shkelje, Bashkia e Lezhës nuk ka dhënë sqarime duke u mjaftuar vetëm me informacionin se ky objekt është rekomanduar të përforcohet.
“Këtu nuk ka asnjë familje, pasi kanë ikur të gjitha. Pallati ka qënë ngjitur me atë tjetrin që u shemb dhe i janë dëmtuar shkallët, ndaj familjet ikën, sepse nuk kishin se si të ngjiteshin në apartamentet e tyre.”- na sqaron një tjetër banore e lagjes “Besëlidhja”. Referuar tabelës informuese të Bashkisë Lezhë, vlera e investimit për përforcimin e njësive të banimit në ndërtesat (pallat) dhe banesat individuale është 501.688.100 lekë pa TVSH.
Nisur nga verifikimi në terren si dhe informacionet që kemi marrë nga Bashkia e Lezhës, premtimin e kryebashkiakut Pjerin Ndreu, do ta kategorizojmë të pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo, premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.