Kryebashkiaku i Elbasanit Gledjan Llatja premtoi rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu” në fshatin Tregan dhe rikonstruksionin e shkollës “Naim Frashëri” në qytetin e Elbasanit. Në fund të vitit 2024, premtimi i kryebashkiakut mbetet thjesht në 3D. Nxënësit e shkollës 9 vjecare në Elbasan vijojnë të mësojnë me turne ndersa ata të fshatit Tregan kanë vite që bëjnë 5 km rrugë për tu shkolluar në një tjetër fshat.
Ndërsa kërkonte mandatin e dytë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023, kryebashkiaku i Elbasanit Gledjan Llatja premtoi rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu” në fshatin Tregan dhe rikonstruksionin e shkollës “Naim Frashëri” në qytetin e Elbasanit.
Megjithatë, në fund të vitit 2024, premtimi i kryebashkiakut mbetet i pambajtur.
Rikonstruksioni i shkollës “Naim Frashëri” në Elbasan
Sipas përgjigjes që Bashkia Elbasan i ktheu kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje në fund të Gushtit 2024, projekti me vlerw 243 milionë për rikonstruksionin e shkollës “Naim Frashëri” nuk është financuar as këtë vit.
Për të katërtin vit radhazi, rikonstruksioni i shkollës nuk është përzgjedhur për financim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Në një përgjigje të mëparshme, Bashkia Elbasan tha për Faktoje se “për shkak të kostos së lartë të preventivit [këto projekte] janë të pamundura për tu financuar nga buxheti i Bashkisë Elbasan”
Nga verifikimi në terren në Shtator 2024 Faktoje konstatoi se 731 nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” vijojnë të bëjnë mësimin me turne në ndërtesën ekzistuese.
Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan, 18 shtator 2024
Rindërtimi i shkollës “Jonuz Çarçiu” në Tregan
Ndërkaq, fshati turistik i Treganit shënon vitin e pestë pa një shkollë.
Që nga viti 2019, shkolla “Jonuz Çarçiu”, e vetmja shkollë e fshatit, është mbyllur si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti i Nëntorit 2019. Si rrjedhojë, mbi 200 nxënës të kësaj shkolle duhet të udhëtojnë 5 km me autobuzë për të ndjekur mësimin me turne në fshatin Kuqan.
Banorit L.P. të Treganit, shtëpia e të cilit ndodhet pak metra nga godina e shkollës 9-vjeçare kjo situatë i duket absurde. Për të pestin vit ai dhe e shoqja duhet t’i dërgojnë fëmijët e vegjël në një fshat tjetër. Këtë vit, ata kishin shtuar para nga xhepi për të transportuar fëmijët me taksi, sepse fëmijët më të mëdhenj në autobuzin e kontraktuar nga Bashkia i shqetësonin.
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 18 shtator 2024
Gjatë verifikimit në terren në Shtator 2024, Faktoje hasi të njejtën pamje si të një viti më parë.
Ndonëse fshati turistik ishte i mbushur me vizitorë, shkolla mbetej e vetmuar në majë të kodrës. Megjithëse struktura e jashtme e godinës nuk duket e dëmtuar, klasat janë vandalizuar.
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 18 shtator 2024
Godina rrethohet nga libra e mjete shkollore të shkatërruara. Dritaret janë thyer ndërsa bankat dhe dërrasat e zeza janë braktisur.
Shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan, 18 shtator 2024
Të dorëzuar përpara absurditetit, banorët u shprehën të nënqeshur se po shpresonin që pushteti lokal do t’i kthente sytë nga halli i tyre përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Duket se intuita e tyre nuk gaboi. Në Gusht 2024, Bashkia Elbasan na bëri me dije se ishte në pritje të miratimit të lejes së ndërtimit që të niste zbatimi i projektit me vlerë 161 milionë lekë. Në një përgjigje të vitit 2023, Bashkia kishte parashikuar se projekti do të kushtonte 128 milionë lekë.
Në 10 tetor 2024, Llatja deklaroi gjatë një takimi me banorët e Treganit se rindërtimi i shkollës 9-vjeçare kishte nisur. Në pritje të përfundimit të tij, premtimi i kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për rindërtimin e shkollës “Jonuz Çarçiu” mbetet i pambajtur.