Postimi humoristik mbi infermieren e Covid ndahet në rrjet si i vërtetë

Dezinformimi mbi Ukrainën

547

Në rrjete sociale po qarkullon fotografia e një infermiereje me shenja në fytyrë, për të cilën përdoruesit thonë se është nga Ukraina. Në rrjet pretendohet gjithashtu se shenjat në fytyrën e saj janë shkaktuar nga temperaturat e larta në Kharkov. Verifikimet e Faktoje tregojnë se infermierja është nga Italia dhe njerëzit kanë rënë pre e një fotomontazhi nga një profil satirik.

“Kjo është Alekseya Bonashenko, infermiere në Ukrainë. Fytyra e saj është shënjuar nga djegiet e diellit, të cilat i pësoi ndërsa ndihmonte si ushtarët ukrainas ashtu edhe rusë për shkak të nxehtësisë rekord në rajonin e Kharkiv-it.”

Postimi në profilin e Alessia Bonarit

Ky është një postim në Twitter publikuar nga llogaria e “Francesca Caldocchi” të cilin përdorues të tjerë të rrjeteve sociale e kanë bashkëngjitur në postime me një artikull të Gazetës italiane Repubblica me titull: “Coronavirus, infermierja tregon mavijosjet e maskës: “Qëndroni në shtëpi, mos i zhgënjeni përpjekjet tona”.

‘E njëjta fytyrë, e njëjta foto, por majtas shenjat në fytyrë i janë krijuar nga maska kur “shpëtonte” njerzit nga covid….Djathtas po ato shenja janë bërë duke shpëtuar ushtarët ukrainas dhe rusë() që ju bie të fikët nga temperaturat e larta për shkak të ndryshimeve klimatike në Kharkov.’, shkruan në profilin e tij në facebook një përdorues nga Shqipëria, teksa ndan dy fotografitë e mëposhtme. 

Fotomontazhi i shpërndarë në rrjete sociale

Verifikimet tregojnë se njerëzit kanë rënë pre e një profili satirik në Twitter që pretendon se infermierja është nga Ukraina dhe ka djegie në fytyrë për shkak të të nxehtit në zonën e Kharkov. 

Historia e vërtetë e infermieres Alessia Bonari u botua nga Repubblica në 10 Mars 2020. 

Alessia Bonari ishte diplomuar për Infermieri në Siena në vitin 2018 dhe punote në spitalin Grosseto në Itali. Ajo ishte në vijën e parë kundër virusit që terrorizoi botën dhe u bë e famshme pas një postimi në rrjetet e saj sociale në 2020.

Por njerëzit kanë rënë pre e mashtrimit nga dikush që krijoi këtë profil satirik të gazetares Francesca Mannocchi, duke e quajtur atë Francesca Caldocchi. Duke përdorur foton e infermieres me mavijosje maske që kishte qarkulluar gjerësisht në vitin 2020, në postim pohohet se mavijosjet në fytyrën e vajzës janë në fakt rezultat i valës së të nxehtit që po godet Evropën dhe Ukrainën. Kaq ka mjaftuar që disa njerëz të besojnë se është një lajm i vërtetë i dhënë nga një gazetar i vërtetë, duke shkaktuar polemika në rrjet pa asnjë bazë.